Blog

Pse nuk bie dakord me Dom Gjergj Metën - Nga Endrit Mullisi

Nga: Endrit Mullisi

Lexova thirrjen prekëse të Dom Gjergj Metës që njerëzit të mos largohen nga Shqipëria se nuk mund të vendosin rrënjë dot diku tjetër.

Me shumë respekt për të dhe shumë miq të mirë që ende besojnë në të ardhmen pozitive të Shqipërisë, më duhet të mos bie dakord.

Realiteti si për diasporën shqiptare dhe të tjera, është që kanë zënë rrënjë në vende të tjera.

Me mall për vendlindjen, por sistemi jo i korruptuar në vendin mikpritës është më i ëmbël se balta e vendlindjes.

Pse ekziston gjithë kjo frikë për lëvizjen jashtë kufijve të shqiptarëve?

Pse nuk flasim për largimin e njerëzve nga fshatrat malore në ato fushore, apo të atyre që jetojnë në fusha e që shkojnë në qyteza apo qytete dhe për ata që lëvizin prej qyteteve në kryeqytet?

Nëse njerëzit kalojnë kufijtë e fshatit, qytetit apo krahinës së tyre, kush është ndryshimi nëse kalojnë kufirin shtetëror?

A mos i bën më shumë tradhëtarë largimi në një vend joshqipfolës?

Nëse shumica e shqiptarëve të Shqipërise do emigronin në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni, a do të ishte kjo frikë?

Miq, kush do e përmirësojë Shqipërinë?

A nuk po votohen gjithmonë e më shumë në krye të politikës bastardë qe nuk i vete mendja për përmirësimin e jetës së shqiptarëve por për pasurimin sa më shpejt te tyre?

Miq, në Shqipëri themelet janë keq prej një kohe të gjatë dhe sa më shpejt ta kuptoni këtë aq më mirë është për të gjithë.

Askush nga drejtuesit politikë nuk jep dorëheqjen. Askush prej tyre nuk ka moral, pavarësisht se fajin ia hedhin të tjerëve. Nuk po gjendet dot një politikan apo zyrtar i varfër.

Këtë jave fola me një familje të mirë dhe me pyetën se si mund të vijnë në Kanada. Burri më tha që brenda ditës largohet, pavarësisht se ishin të dy në punë. Pse? Sepse nuk mban më ujë pilafi.

Sot njerëz të ndryshëm më treguan indirekt problemet që ende kanë me hipotekat. Njerëz që kanë blerë shtëpi prej 20 vjetësh dhe u duhet ta hipotekojnë shpejt se nuk i dihet.

Këtu ku jetoj unë, është e paimagjinueshme një burokraci e tillë dashakeqëse. E pse më duhet mua të dua Shqipërinë që është bërë e frikshme të jetosh rehat?

Le t'i heqim tutje sentimentalizmat dhe të flasim drejt!

Mbreti i gjatë i shqiptarëve, jo Zogu, por ky që është tani de facto, e ka bërë të qartë qëllimin e dinastisë së tij.

Ne jemi vend me mentalitet oriental dhe nuk i shkëputemi dot, edhe nëse gratë vishen me minifunde apo burrat flasin anglisht.

Im atë, mbaj mend që thoshte se "vota e një intelektuali është e barabartë me atë të një injoranti".

Sot, ende më shumë se kurrë, këta injorantët që edhe votojnë edhe drejtojne vetë, po i bëjnë të dyja.

Arsyeja që unë reagoj ende në rrjete sociale online është sepse më dhemb shpirti, jo vetëm për familjarë dhe miq që i kam ende në Shqipëri, por më dhemb shpirti se e tatëpjeta është e pashmangshme.

Përveç nëse ka një pendim të thellë të atyre që ende kuptojnë.

Përveç nëse ata që drejtojnë sot të largohen nga drejtimi dhe asnjë këlysh i tyre nuk i zëvendëson.

Për sa kohë kjo nuk ndodh, në Shqipëri do mbesin gjithmonë e më pak shqiptarë nga ata që ende kanë mundësi të largohen…

*Autori për shumë vite ka qenë Pastor i Kishës Ungjillore shqiptare në Toronto

©Flasshqip.ca