Blog

Malli na djeg, por atdheun e lëmë sepse nuk ofron standard dhe mundësi - Nga Ilir Levonja

Nga: Ilir Levonja

Një nga temat që po diskutohet studiove tona, është ajo e ikjes, e emigrimit. Të gjithë i mëshojnë një fakti, për një jetë më të mirë ekonomike. Përpos kësaj, qasja bëhet me atë pathosin e patriotit që atdheun akoma e ka në kokë vetëm pas mendjes së tij dhe bindjeve politike. Dhe nëse je panelist pro qeveritar emigrantin e përmbledh me vulgaritet, “kush e di se çfarë po bëjnë andej, banjot po pastrojnë”.

Madje këta që janë pro qeverisë, ''patriotët'' kanë alergji nga opinionet e emigrantëve rreth vendit, të vërsulen e të thonë: “Ti kur e do vendin përse nuk kthehesh”? Dhe nëse je anti qeveritar, pa mëdyshje që fajin e ka ai që po qeveris dhe shteti i tij.

Shkurt si shumë debate që ne nuk dimë t'i zhvillojmë, pasi nuk njohim as bazat elementare të komunikimit, nuk kemi synim problemin, në rastin konkret emigrimin, por shoqi-shoqin, ndaj ndërpresim njëri-tjetrin dhe ulërasim aq sa gjithçka kthehet në një gumëzhitje. Po të merremi seriozisht me problemin, debati do rrjedhë ndryshe.

Në fakt emigrimin si fenomen nuk e kanë ndalur dot as diktaturat megjithëse ikja atëherë quhej arratisje dhe dënohej si tradhëti karshi atdheut. Ne kemi plot viktima që në njëfarë mënyre janë heronj të lirisë dhe të të drejtave të njeriut, ekonomisë së tregut, por këta quhen firo, të tjerë janë ata që vlerësohen.

A është ekonomia faktori bazë? Sigurisht që po. Një vend që i ka të limitura mundësitë e punësimit është i rrezikuar nga zbrazja. Por meqë nuk jemi akoma në vitet 90-të, faktit ekonomik i janë shtuar edhe standardet e jetës. Sot nuk po emigrojnë vetëm të rinjtë, por edhe mosha e tretë. Dhe përse, pikërisht për standardet. Kur themi standard, mos gjykoni kushtet e shtëpisë, por klimën sociale duke përfshirë përkrahjen sociale.

A është emigrimi i vështirë, pa asnjë diskutim. A i pastrojmë banjot, pa asnjë diskutim. A bëjmë nga dy a tre punë, i bëjmë. A e humbim vendim e punës? E humbim, por gjysma e së keqes mund të gjesh shpejt një punë tjetër dhe pa ndihmën e mikut, partisë, a rryshfetit. A na mungon vendi ynë, sigurisht..., si qeni ngordhim mallit. Shtrydhemi për një kafe me mikun a shokun, por i jemi nënshtruar fatit. Në një farë mënyre qe zgjedhja që bëmë. Dhe kur shikojmë shkollën, ambientin a programet mësimore, mundësitë për fëmijët, i harrojmë të gjitha. Por a jemi edhe ne të kërcënuar nga problemet sociale këtu, pa gjumë rrimë, syrin tek rruga e kemi. Megjithatë standardi, fakti që kemi të drejtën të votojmë drejtorin e shkollës, të votojmë se si do shpenzohen fondet e shkollës e kemi me shumicë. Nuk na sjell partia në shkollë drejtor me teserë, por profesionistë të arsimit.

Si emigrant që jam kam hasur në shumë versione. Mbaj mend që më thoshte dikush pasi kishte mbaruar punë tek doktori, më mbetën sytë tek duart e mjekut, t'i jepja ndonjë gjë se kështu jemi mësuar. Çova buzën në gaz se vija vetë nga ajo mendësi. Megjithëse mjekësia është e kushtueshme, por të paktën këtu thuhet se si është. Dhe kur nuk ke ta paguash nuk të lënë të vdesësh, kanë ato përgjegjësi që duhet t'i përjetosh se nuk i kupton kurrë kur i thua, sidomos shtresave me mendësi nga mjekësia falas. Ilace të skaduara nuk të shesin, etj.

Ka plot që marrin prindërit jo vetëm për t'i patur pranë, por pikërisht për këto standarde, pasi edhe kartat ushqimore që përfitojnë janë me vlerë valutore më të lartë se pensionet e tyre. Megjithëse plot prindër këto karta valutore i marrin edhe aty ku janë, përmes Ëestern Unionit, prapë predikojnë vendin që nuk u jep bukë mjaftueshëm, qeverinë e dështuar dhe ia vënë fajin kurbetit.

Është alarmante si psikozë por është e jona, e prindërve tanë dhe duhet të jetojmë me të. Po a mund të ndikojnë qeveritë aty? Sigurisht që po, por kush e ka mendjen. Për veten i kanë të plota si ekonominë dhe standardin e jetesës, megjithëse kanë krijuar një shoqëri që qytetari e ka konceptin se vetëm shteti mund ta shpëtojë dhe trajtojë me dinjitet, jo privati. Kurse bota ka bërë të kundërtën. Pra, veç faktorit ekonomik, emigrimit i janë shtuar edhe standardet, por edhe liria e fjalës a garancia e jetës derisa akoma rregjistrohen qytetarë si azilantë politikë. Gjermania, Suedia, Anglia, Amerika dhe Kanadaja, janë vendet më të kërkuara.

Përse? Sepse është ekonomia, por edhe standardet, mundësitë, dinjiteti, pasaporta.