Blog

Faturën e vonesave në histori e paguajnë popujt - Nga Erl Murati

Nga: Erl Murati

Kush i ka lexuar kujtimet e Medlin Ollbrajtit apo edhe dëshmi të aktorëve të tjerë të kohës, e di se si shqiptaret ja plasën buzën amerikanëve derisa pranuan të nënshkruanin marrëveshjen e Rambujesë më '99, e cila i hapi rrugën çlirimit të Kosovës. Për një tekë, një llastim a një hezitim ajo marrëveshje (të cilën delegacioni serb nuk e nënshkroi) mund të mos kryhej dhe shqiptarët do të humbnin një shans historik.

Sot, presidenti Trump, sekretari i Shtetit, Pompeo dhe i dërguari i posaçëm, Grenell në mënyrë të përsëritur i kërkojnë shqiptarëve të heqin një taksë, e t'u japin mundësi amerikanëve të negociojnë një tjetër shans historik, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e saj në OKB.

Mbrëmë, Albin Kurti bëri një hap drejt pezullimit, por ky hap i ka lënë krejt të pakënaqur amerikanët. "Po bën gabim serioz" shkruan Grenell. (Siç shihet në foto)

Ka një kohë për patriotizëm folklorik, sovranizëm me pantallona me arna, por ka dhe një kohë kur duhet t'i thuash "po" aleatit kryesor, të cilit i detyrohesh ekzistencën.

Është e pamundur të mos admirosh idealizmin e Albin Kurtit, besnikërinë e tij ndaj ideve që i ka shpërfaqur prej 20 vitesh.

Është e vështirë të mos simpatizosh çiltërsinë e Haradinajt, një patrioti që ka humbur vëllain në luftë.

Por, sipas parimit "e dua Platonin, por më shumë të vërtetën", them se shqiptarët nuk kanë luksin të hyjnë në kurs përplasjeje serioze me Ameriken dhe e vërteta është se SHBA dhe askush tjetër, është arsyeja pse sot, Albin Kurti është kryeministër i një shteti dhe jo martir i harruar në burgjet e Serbisë.

Zhduke atë taksë Albin, nuk do të të quajë njeri tradhtar nëse e bën. Madje më shumë rrezikon të të thonë nëse s'e bën.

Në kujtimet e veta për Rambujenë, Ollbrajt shkruan se e tërbonte hezitimi i Thaçit dhe lojërat e tij, sa në një moment të bisedimeve ajo përplasi kufjet në tavolinë. "Thaçi ishte një nxënës i mirë - thotë ajo - por i dorëzonte detyrat me vonesë".

Vonesat kushtojnë në histori. Dhe historia ka treguar se faturën e vonesave nuk e paguajnë liderët, por popujt.