Ata që ushtrojnë vesin, predikojnë si demagogji virtytin - Nga Faruk Myrtaj
Të jesh me veset e të dy palëve nuk do të thotë se je në rregull me virtytin dhe dinjitetin e njeriut të punës!
Po, koleg... Eshtë krye/krejt e saktë: Pavarësisht qëndrimeve dhe zgjedhjeve, të bëra prej dijes a padijes, mjediseve nga vijmë dhe në cilat kahje shkojmë, si gazetarë jemi përpara së njëjtës provë: të përpiqemi të bëhemi e të mbetemi njerëz...
Më e lehta ndër të gjitha... të gëzojmë dijen dhe djersën tonë!
Por dalin gjithnjë ca birbo që na e bëjnë të vështirë edhe këtë lehtësi: bëhen milioniere brenda pak netëve dhe, më për turp akoma, vazhdojnë të na predikojne ekraneve amoralitetin e tyre si virtyt të shoqërive të hapura dhe ... syve të mbyllura?!
Padyshim, nuk duhet të gëzohemi për fat/keqësi të askujt. Padyshim do duhet dëgjuar avokatia e gjithësecilit, nuk duhet t’ia urojme as hasmit padrejtësinë e shndërruar në qeli, por Njeriu është thirrur edhe si Dëshmitar në këtë Jetë...
Se, ku e ke të drejtë ti o Njeri, që (duke u bërë milionier pa punë e pa mend e pa ndërgjegje) tallesh me Të Urtin e Të Virtytshmin që e mban jetën e tij dhe të fëmijëve, bukën e përditshme dhe shkollimin publik të tyre, me thonj e me dhëmbë?!
Kush ta trashëgoi të drejtën ty të bashkohesh here me njerin kah politik, pastaj me tjetrin dhe me të dy të rrëmbesh prona publike që tek e fundit janë djersa e gjaku, por edhe dinjiteti i të Urtëve që Besojnë se Puna e vetem ajo i çon perpara, në këtë dhe në atë jetën tjetër, edhe nese ca prej nesh nuk besojnë se, edhe Andej, ka ca rregulla, ca vija te bardha e ligje, si Këndej?!
Qoftë edhe që të Tuve që mbeten më pas, të mos u lësh borxhe, së paku borxhe të rënda, ato që asnjë prind nuk do donte t’ua linte trashëgim fëmijëve të vet.
Nuk është fjala vetëm për ata pak që lënë pas Krime dhe kobe të mëdha Kombëtare, jo, jo vetëm për ata…
Sundimtarëve të nëmur prej qytetarëve të virtytshëm u duhen edhe ca “bashkëpunëtorë” ose thjesht ca “bashkëfajtorë vulgarë” ca që thjesht duan të vënë ca pasuri materiale mënjanë, të bëhen Njësha në njerën fushë a tjetrën të lëndës a të dijes, të krijimit a të dhuntisë…shndërrohen në “patriarkë” apo “derra të nginjur”, shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes së lirë edhe pse populli i tyre rënkon nën izolim e skamje biblike…
Për shkak të privilegjit dhe Kamjes pas Djersë, nuk e shkojnë ndërmend të përballojnë qenien “Sokratë të vuajtun” edhe pse bashkohen me predikimin e shoqërive të hapura (paçka se të kapura)!
Duket sikur “koha e maskarenjve” vazhdon dhe ky vend ka ndodhur t’i lodhë shumë Burrat e Ditur dhe Zemrat e Dëlira të Bijve të Bukur; këta që kanë dalë në krye, ka ndodhur, kanë bërë me faj pikërisht modelet e bukur, madje pikërisht komb/dashësit janë përgojuar si kolaboracionistë; ata që kanë shitur pronën e tyre për Shkronjat janë akuzuar si mesjetarë dhe tradhëtorë…Ali Asllani e shkroi kujtesën për “kohën e maskarenjve” dhe ne, të gjithë, pëlqejmë ta recitojmë siç bëjnë prova edhe ndoca asqerë bujarisht…
Ndonjehere duket sikur as shtetin as ligjet nuk i respekton kush, duket sikur hajde... “kap ç’a të kapësh”, se ne që kemi qeverinë ne e bëjmë edhe Ligjin për të Tjerët dhe me Tjetër ligj ecim vetë...
Nëse njera palë politike ta dha në përdorim një pronë publike (të komunizmit!) dhe tjetri këmbyes në pushtet ta legalizoi, nuk do të thotë fare se je në rregull, o Njeri!
Të jesh me veset e të dy palëve nuk do të thotë se je në rregull me virtytin e dinjitetin e Njeriut të Punës…
Nëse ke besuar se rrumpallhana do vazhdojë vjen sadokur një orë që të kujtojnë se nuk eshte keshtu... nuk mund të jetë…
Jo thjesht, së paku si metaforë, se është TjeterKushi që na vëzhgon, që u përpoq të na ndihmonte disa herë, duke na kujtuar se tërë gjërat që lidhen me njeriun si Shpirt janë të shenjta e ti s'mund të tallesh dot me gjëra të përjetshme...
Eshte Fake/Fact, krejt provizor, Fakti që kështu predikojnë, si demagogji virtytin, edhe ata që në jetët e tyre ushtrojnë vesin, pangopësinë materiale, sundimin pa ligj, privilegjimin për bashkëfajësi.
Ata janë të detyruar të mashtrojnë në emrin e së bukurës, por nuk e ngatërrojnë dot përgjithnjëshëm Njeriun…
As edhe vetëm në këtë jetën këtu…



















