Blog

Hosana Internet - Nga Vangjush Ziko

Nga: Vangjush Ziko

Njeriu modern po vuan nga vetmia!

Kjo është bërë tashmë një aksiomë e pamohueshme. Nuk e përsëritin vetëm nostalgjikët e kohëve që kanë perënduar, por dhe ata që kanë lindur bashkë me shekullin e ri.

Kjo vetmi nuk është aspak vetmi e qëllimshme, por është kthyer, dashur apo pa dashur, në një nga mënyrat e funksionimit të jetës së njeriut modern.

Prej kohësh ne kemi harruar të flasim të vërtetën. Komunikimi ynë me njëri-tjetrin ka një dozë të theksuar falsiteti. Energjia e miqësisë së vërtetë nuk ekziston më. Atë e ka zëvendësuar lidhja virtuale pa bashkëbisedimin e gjallë.

Komunikimi ynë nëpërmjet Facebook na bën që ta harrojmë për një çast vetminë, qoftë dhe në mënyrë iluzore.

Ne mbyllim Facebook-un dhe mbetemi përsëri vetëm. Vetmia është një ndjenjë e pamposhtshme, që po i sfidon marrëdhëniet njerëzore midis miqsh, shokësh, brenda vetë familjes.

Televizioni, interneti i gozhdon njerëzit pas ekranit dhe u mbyll gojën, telefoni i ka rralluar vizitat tona te njëri-tjetri, nocioni i farefisnisë po zbehet çdo ditë dhe më tepër.

Njeriu e ndjen veten të vetmuar çdo ditë e më shumë, megjithëse jeton në një botë plot me njerëz, me zhurma shurdhuese jo vetëm mediatike, por me një kaos të vërtetë dhe kakofoni djallëzisht të strukturuar nga vetë shoqëria njerëzore.

Pra, ne jemi viktima të vetvetes dhe të vetëzhvillimit, që shpesh na duket si vetëshkatërrim. Është paradoksale, por vetë ky zhvillim galopant teknologjik dhe lehtësitë e komunikimit elektronik, po na mbyllin në vetvete dhe po na bëjnë egoistë.

Ky zhvillim na krijon gjithnjë e më shumë mundësinë që ta ndiejmë veten të pavarur, autonomë, na jep mundësinë të marrim vendime të pavarura, të përgjigjemi vetë për veten tonë.

Kjo autonomi ka sjellë dhe zbehjen e lidhjeve tona, komunikimin tonë fizik, gjë e cila është një shprehje e vakumit ekzistencial, vakum i cili e humb kuptimin e pyetjes “për çfarë dhe përse jetojmë”.

Paaftësia për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje është dhe rezultati i dramave dhe tragjedive të panumërta individuale dhe kolektive njerëzore sot në botë.

Por në botë ka sot plot mendimtarë që e mbështetin këtë vetmi si shpëtimtare për individin. Ajo nuk quhet më fatkeqësi, por një zgjedhje e ndërgjegjshme e mënyrës së jetesës në disa vende shumë të zhvilluara, siç është Suedia.

“Të mbetesh vetvetja në botën e cila përpiqet vazhdimisht të na bëjë dikë tjetër, është një fitore nga më madhështoret”, pohon Ralf Emerson. Kurse Xhorxh Kluni e mbron vetminë egoiste duke e quajtur jetën personale një tabu që nuk duhet kursesi të shpallet, të flitet për të botërisht, sepse e humb privatësinë, nuk është më vetjake.

Psikologët venë në dukje se një njeri me një egoizëm ekstrem është plotësisht i vetmuar. Dhe ky njeri është i aftë ta sakrifikojë vetveten duke fituar kështu më shumë se sa sakrifikon.

Paradoksale! Por një realitet modern.

Gjer më sot ne kemi pohuar se njeriu, si qenie shoqërore, është sinonim i dialogut, jo i monologut. Dhe dialogu nënkupton gjithmonë dy njerëz konkretë.

Këtë e dëshmon edhe praktika e përditshme e Facebook, që ka përfshirë të gjithë globin. Është vetmia moderne që kërkon të shfryjë në një mënyrë të re bashkëbisedimi. Antidoti i vetëm i kësaj vetmie mbetet komunikimi virtual internetik.

Hosana Internet!