Blog

Sistemi shëndetësor i doktor Adhamudhit në kolaps - Nga Ylli Dylgjeri

Nga: Ylli Dylgjeri

U bënë ditë që ndjek në media strukturën shëndetësore në vend dhe nuk po kuptoj gjë.

Eshtë shpallur një Pandemi... Bota shëndetësore është shkundur. Po vdesin njerëz çdo orë, po infektohen çdo minutë. Po tremben çdo çast.

Ndërkohë, po derdhen miliarda në botë e kudo ku shfaqen vatrat e reja të kësaj flame të padëgjuar. Po ne? Ku jemi ne?

Thuhet se janë hedhur mbi 3 milion euro. Uaaaaaa! Me një arithmetikë të thjeshtë i thonë 1 euro për shqiptar. 1 kondom bën më shumë.

Më tej, kemi edhe dy zëdhënësa, një nga Surreli dhe një nga Brati. Kemi dhe numrin 127.

Po sistemi parësor ku është? Ku është qendra shëndetësore? Ku është mjeku i familjes? Mjeku i familjes i Hitlerit u rrëmbye nga amerikanët gjatë Luftës së Dytë Botërore për të marrë vesh nga se vuante ai.

Po ne pse i kemi?!

Ata që shoh sot e çdo natë janë administrate nga shëndeti publik që dalin në TV e flasin për pacientë imagjinarë që janë vetëngujuar në shtëpi dhe presin përgjigjen kur tu vijë.

Po përgjigja?

Dro vje, dro s’vje! Është nis...

Më tej. Shoh policë e ushtri rrugëve bosh që kontrollojnë makina në situatën Shtet-Rrethim.

Ndërkohë nuk po shoh kërkund shërbimin me pacientët e sëmurë. Nuk po shoh krevat me të sëmurë. Ku janë mjekët që gdhijnë pavioneve? Ku janë infermieret sypagjumë?

Në mëngjesin që vjen dëgjoj sërish që numri i të infektuarve rritet dhe qe do të rritet e rritet se kështu e thotë Kryeministri i ngujuar në shtëpi e që di gjithçka. Po pres neser të më thote edhe sa janë të infektuar nga PD, LSI, PR, PBDNJ…

Orët ecin e sërish dëgjoj vetëm vetëm thirrjen: Rrini në shpi e lani duart!

Nuk po shoh fytyra të lodhura, të vrara, të pagjumë që shërbejnë. Shoh vetëm gra të vrara në moshë, me vathë, grim inkadeshent, bluza të kuqe që bëjnë zëdhënësin në banaqe e Ministri. Gratë më sqarojnë se ç’duhet të ndodhë e jo ç'po ndodh në këtë vend!

Shoh sërish vetëm titullarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë të kapardisur e të kollarisur, që japin deklarata lartë e poshtë. Dëgjoj zëdhënësin Brataj të 127 që edhe pse është kreu i Urgjencës Shëndetësore rri me kostum e kollare e në fund "plas bombën" i bëni derman vetes se 127 nuk merret me ju të gjithë! Mos na bllokoni linjat! Tamponët nuk bëhen në shtëpi! Dëgjoj Ministren dhe Rektorin që bëjnë thirrje për vullnetarë të sistemit kur pa punë në pritje janë mbi 800 mjekë e infermierë. Dhe si të mos mjaftojë vullnetarizmi, u kërkojnë vullnetarëve edhe aplikim online?! Hahaaaaaa. Edhe vullnetarë edhe aplikoni!

Kjo është situata e javes së parë.

Në fund bilanci: 1 i vdekur dhe 38 të infektuar. Do rritet prapë numri në javën tjeter. Kështu e tha doktor Adhamudhi.

Shënim: Deklarata e plotë e Skender Brataj

Nëse keni ardhur nga një vend i prekur nga koronavirus, ose keni qenë në Shqipëri në kontakt me persona të konfirmuar me koronavirus, jeni të lutur të qëndroni në shtëpi për 14 ditë. Çdo qytetar që në banesë do të shfaqë shenja dhe simptoma, të ndjekë këto këshilla. Nëse do të ketë temperaturë, të paktën për 2 ditë, mbi 38.5, është i këshilluar ta trajtojë atë me paracetamol, nga 500 deri në 1000 miligramë, për të rritur është 1000 miligramë.

Nëse pas dy ditësh nuk kontrollohet temperatura, mund të përdorni brufen 400 apo 600 miligramë dhe mund ta bëni edhe nëpërmjet këshillimit me mjekun apo pediatrin. Nëse do të keni kollë, mund të përdorni shurupe të ndryshëm, që përdoren për qetësimin e kollës. Nëse do të keni dhimbje fyti, mund të përdorni spraj, propolis, gargarë, paracetamol apo brufen. Mund të përdorni edhe kompleks vitaminash, lëngje frutash, çaj, ushqime të shëndetshme, fruta dhe perime.

Nëse do të keni vështirësi në frymëmarrje, jo nga paniku, atëherë merrni numrin 127 për t’u këshilluar me mjekun. Nëse do të përkeqësohet, mund të ketë nevojë për terapi me antibiotikë që mund ta merrni nga mjeku i familjes. Nëse përkeqësohet merrni 127 dhe do vijnë ekipet për t’ju dërguar në spital. Nëse do të keni ethe, është një nga gabimet që bëhet duke i mbuluar me batanije, por do të thotë që në atë moment trupi po rrit temperaturën për të luftuar mikrobin në organizëm, nuk duhet të mbulohemi por të zhvishemi dhe të trajtojmë rritjen e temperaturës.

Nëse temperatura është 39 apo 40, mund të përdorim edhe kompresat me ujë të vakët, sidomos tek fëmijët në rrëzën e kofshës, në sqetulla dhe ballë. Nëse do të keni diarre merrni loperamid, ose buskopan. Duhet të kujtoheni për protokollin e higjienës personale. Ruani qetësinë, jemi bashkë. Ajros ambientin, dezinfekto mobiliet, laji duart sa më shpesh, përdor maskën nëse je në grup me njerëz. Ruaj distancën nga njerëzit. Simptomat do t’i trajtojmë së bashku, por nuk duhet të themi më shumë nga sa kemi sepse shkuarja në spital mund t’ju infektojë.