Blog

Letërsia lufton përhapjen e “murtajës” së gjuhës - Nga Ndue Ukaj

Nga: Ndue Ukaj

Pandemia nëpër të cilën po kalojmë, ka shkaktuar një rrëmujë globale dhe frikë të madhe. Rrëmujë financiare, politike dhe veçanërisht rrëmujë shpirtërore.

Kjo mbyllje e madhe e botës së "madhe", po tregon sa të vegjël jemi.

Në këtë rrëmujë - i madh dhe i vogël- të fuqishmit dhe të dobëtit, po ndihen hiçgjë.

Planeti ynë po duket se po kalon nëpër një krizë serioze dhe pasojat mund do të jenë të paparashikueshme.

Nëse bëhemi nxënës të mirë, do të mund të mësojmë dhe breznive të reja do t'iu lëmë një botë më të bukur dhe më humane.

Ajo çka është më e rëndësishmja në këtë kaos informacionesh dhe në këtë rrëmujë shpirtërore e psikologjike është të ruajmë thelbësoren: të mbetemi njerëzorë dhe të mos shtazifikohemi. Dhe në këtë betejë, nuk ka armë më të fortë se arti dhe letërsia.

Fatkeqësisht, këto ditë, krahas epidemisë dhe frikës, shohim se si përhapet urrejtja dhe terrori psikologjik.

Prandaj, njerëz, mos lexoni dokrra!

Mos e bjerrni kohën kot me marri dhe duke lexuar fletërrufe urrejtjeje që përhapen me shpejtësi.

Për t'i forcuar antitrupat që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës, dihet empirikisht se letërsia e mirë ndihmon shumë. Është ilaç.

Sepse "letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës" - shkruan shkrimtari i madh italian, Italo Calvino.