Blog

Në Kosovë interesi i luftës politike po dominon interesin shoqëror - Nga Veton Surroi

Nga: Veton Surroi

Interesi shoqëror në Kosovë ka qenë dhe është që të luftohet kundër krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, atë të COVID-19. Me inicim të mosbesimit ndaj Qeverisë, fiton interesi i luftës politike, jo interesi shoqëror.

Çfarëdo interesi shoqëror tash i nënshtrohet interesit politik. Pra, lufta kundër COVID-19 i nënshtrohet luftës politike.

Lufta politike duhet të gjenerojë një Qeveri të re pa hyrë në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo do të thotë se duhet të formohet një Qeveri e cila gëzon besimin fillestar të Hashim Thaçit, si president i Republikës i cili duhet ta japë mandatin për formimin e saj.

Në gjashtë muaj e fundit Hashim Thaçi ka trajtuar dy çështje si parësore në komunikimin e tij me diplomacinë amerikane. Ka kërkuar mënyra për ta kundërshtuar veprimin e Gjykatës speciale, në letrat dërguar sekretarit Pompeo. Dhe, paralelisht, ka kërkuar që të arrihet marrëveshja me presidentin serb, e me ndërmjetësim të ambasadorit Grennell, një marrëveshje e cila ka nxitur spekulime konstante për këmbim territoresh, autonomi territoriale serbe në Kosovë dhe eksterritorialitet të Kishës ortodokse serbe. Rrjedhimisht, mandati i Qeverisë së ardhshme do të jepet me parapëlqim për këto dy çështje.

Luftimi i krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, ajo e COVID-19, prej sonte i është nënshtruar një lufte politike e cila pikësynim kulmor ka pezullimin e veprimeve të Gjykatës speciale dhe arritjen e një marrëveshje të shpejtë Thaçi-Vuçiq.