Blog

Veton Surroi: Qeveria në Kosovë ta vazhdojë punën!

Nga: Veton Surroi

Interesi publik të cilit sot i nënshtrohet çdo interes tjetër i veçantë (politik, a tjetër) është lufta kundër krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI. Këtë interes publik po e mbrojnë me sukses në kushte shumë më të vështira se vendet e tjera evropiane institucionet e Republikës së Kosovës, të prira nga Qeveria e saj.

Shprehja e mosbesimit ndaj Qeverisë për interesa të veçanta politike (pozita e një ministri, divergjenca rreth tregtisë së lirë me Serbinë, dallime rreth marrëveshjes Thaçi-Vuçiq, Gjykatës speciale) është akt i rëndësishëm politik, por është akt dytësor karshi obligimit për luftimin e COVID-19.

Edhe në rast të votimit të mosbesimit Qeveria e kryesuar nga Albin Kurti ka për obligim të vazhdojë punën për mbrojtjen e Kosovës nga COVID-19 dhe pasojat e kësaj pandemie globale në të gjitha segmentet e shoqërisë (shëndet, ekonomi, arsim,etj).

Mosbesimi ndaj kësaj Qeverie është vetëm akt politik paralajmërimi se dikur do të ketë qeveri tjetër. Qeveria tjetër, sipas iniciuesve dhe përkrahësve të mocionit të mosbesimit duhet të vijë që të zgjidhë problemet e veçanta politike (pozitën e atij ministri, divergjencat rreth tregtisë së lirë e të tjera) në momentin kur ta marrë mandatin e ri prej qytetarëve të Kosovës, në zgjedhje të parakohshme.

Pra, edhe në rast të mosbesimit bëhet detyrë atdhetare që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta përkrahin Qeverinë e Republikës së Kosovës në detyrë në luftën parësore kundër pandemisë COVID-19 dhe pasojave të saj shoqërore.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron garanci për vazhdimin e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës deri në krijimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve të lira.