Blog

Në Kosovë vazhdon një “valle” e poshtër politike - Nga Enver Robelli

Nga: Enver Robelli

Po i shoh disa shtete të mirëorganizuara duke u luhatur të ligështuara para humnerës. Shefi i Entit Federal të Shëndetësisë të Zvicrës sonte tha: “Gjendja në kantonin e Tiçinos është DRAMATIKE”. Për çdo ditë qindra të infektuar të rinj në mbarë Zvicrën. Korrespondentja e televizionit zviceran nga Berna në lajmet qendrore tha: “Sot për herë të parë dëgjova (nga burimet e sistemit shëndetësor) se nuk po bëjnë punë as respiratorët”.

Sot qindra ushtarë zviceranë të batalionit spitalor u kthyen për të shërbyer në ushtri. Komandanti ishte ngjitur mbi një xhip dhe mbajti një fjalim. Ai tha: “Keni lënë pas familjet, burrat, gratë, nënat, baballarët, fëmijët dhe keni ardhur për të shërbyer në gjendje lufte. Po, më duhet të themi kështu: gjendje lufte”.

Ndërkohë në Kosovë vazhdon një "valle" e poshtër politike me kurthe e pisllëqe, me lojëra cinike, inskenime, intriga, poshtërsi, dredhi, marrëzi, papërgjegjësi, hile, dhelpëri, rrena, mashtrime, veprime të turpshme, gara politike. Me ndonjë përjashtim individual, fajin për këtë situatë e bartin krejt partitë. Sepse po të kuptonin seriozitetin e situatës, për një çast udhëheqësit institucionalë do të linin anash dallimet, do të linin anash përrallat për zgjedhje të reja, do të linin anash përpjekjet që përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të marrin role monarkisto-diktatoriale për të jetësuar agjenda parapolitike që nuk kanë të bëjnë asgjë me luftimin e Koronës.