Blog

Dasëm në Toronto në kohën e Coronavirusit - Nga Pastor Endrit Mullisi

Nga: Endrit Mullisi

Përzierje shoku, frike dhe pasigurie filluan t’i lenë vendin planeve për izolim dhe sigurim të gjërave të nevojshme.

Si të krishterë, herë pas here na kalojnë ndër mend historitë biblike të fundit botes dhe pa pritur mendon: “A mund të jetë një nga shenjat?”

Më desh të informoja dhe organizoja kishën, ku njerëzit ishin të ndarë në dy grupe: ata qa ishin ta ndërgjegjshëm nga rreziku dhe ata që dukeshin te shkujdesur sikur asgjë e rëndesishme nuk kishte ndodhur.

U ra dakord pezullimi i gjithë takimeve përveç shërbesës kishtare të së dielës, e cila u pezullua në fakt pas një javë.

Nuk mbahet mend se kur janë ndaluar shërbesat e kishes! A na mbron Zoti në këtë rast, apo na duhet të mbrojmë veten?

Një pyetje që herë thuhet me zë dhe herë të tjera mendohet, ndërsa unë si pastor i kishës përpiqem të gjej balancat praktike dhe teologjike.

Tani po eksperimentojmë të bëjmë takimet online. Por sfida dhe mrekullia më ndodhi dje. Dy të rinj që kishin planifikuar dasmën më datë 21 Mars u martuan para Zotit dhe shumë pak dëshmitarëve.

Më vinte keq për ta, ndërsa kufizimet po shtrëngoheshin dita ditës dhe ata zvogeluan numrin e të ftuarve nga 200 ne 20, nga dy bankete të bollshme të planifikuara në restorante, në një dreke modeste në një nga sallat e kishës.

Ata kishin vendosur të martoheshin edhe pa shumë pompozitet. Dasëm në kohen e virusit. Ndoshta shkruaj dhe një tregim për ta.

Pyetja që e kam menduar vite më parë m’u shfaq prape: cila është më e rëndësishme martesa apo dasma, betimi para Zotit apo kërcimi përpara njerëzve?

Kjo kohë ka sjellë reflektime që përkuan dhe me Kreshmën, veç nuk e menduam që do ishte një periudhë me dhimbje. Para syve të mi shoh gjëra që më parë ishin si kryesore, tashme të papërdorshme dhe po kuptoj pak më shumë se cilat janë gjerat thelbësore të jetës.

Po kuptoj frikërat e mia por dhe forcen time, dëshiren peë të bëre karrierë dhe dëshirën për të jetuar në mënyre minimaliste.

Tani familja ka organizuar gjithçka të punojë nga shtëpia: secili me një dhomë të kthyer në zyre dhe së shpejti vajza duke studiuar dhe ajo nga shtëpia.

Ndoshta do realizoj idenë për të dhënë mësime muzike online. Sigurisht kam për të shkruar më shumë, do fitoj kohë nga 2 orë që harxhoja çdo ditë në trafik.

Nuk di sa do të vazhdojë, por lutemi që të ketë sa më pak viktima dhe sa më pak goditje në ekonomi!

Mendja prapa tek prindërit që i kemi në Shqipëri, duke menduar që ata nuk kanë komoditetet dhe mbështetjen që ne kemi këtu.

Dhe me gjysmë zëri themi: Sa mirë që na zuri kjo kohë virusi në Kanada!