Blog

Frika do t'ishte më e vështirë për t’u mundur - Nga Bela Aleksi

Ky reflektim nuk ka të bëjë direkt me pandeminë Covid-19, por sërish ka lidhje me të.

Po dëgjojmë përditë e më shumë me rritjen e rasteve të të infektuarve edhe pasazhe nga jeta e tyre private: zonja ishte tek e bija në Tiranë, zotëria shiste qofte tek posta, djali erdhi për ditëlindjen e nënës...e sa e sa të tjera...

A thua sikur zonja donte të sëmurte të bijën me familje dhe gjithë Tiranën? A thua ai që shiste tek posta kishte bërë krim dhe shiste bashkë me qoftet edhe virus pa lek, apo djali që erdhi për ditëlindjen e nënës bëri krimin më të madh....

Këto nuk ndodhin vetëm në Shqipëri se ndryshe nuk do përbënin trend, por po kështu dëgjojmë dhe lexojmë për gjithë botën.

Zonja 73 vjeçare ishte më parë në Francë, Marok dhe pastaj erdhi në Kanada nga Los Anxhelos. Ai tjetri ishte në karburant dhe në kafe... një tjetër erdhi nga Anglia e kështu me radhë.

Vendet që përmenden lokale apo më të mëdha shfaqin panikun, dridhen dhe fillojnë diskriminimin apo fajësimin ndaj atij që shiste qofte, asaj që vajti të shihte të bijën, apo atyre që ishin në Angli, duke i kthyer njerëzit në urryes të njëri-tjetrit...
Por kjo është vetëm njëra anë socio negative e virusit.

Më kryesorja është që ka humbur privacia dhe do humbasë akoma më shumë në jetën tonë post Covid-19, tashmë plot pa siguri.
Ndoshta e ka këtë numrin 19 për të dalluar dekadën kur filluan ndryshimet (2019).

Tani po gjurmohen e po ndiqen njerëzit kë takuan apo ku ishin?! Sa shpejt i gjejnë...
Nëse kjo sot bëhet për virusin dhe përhapjen e tij, nesër kjo do shkojë më larg po në emër të mbrojtjes tonë, dhe qeveritë diktatoriale do marin hov nga kjo.

Shpresoj mos të jetojmë pas kësaj të survejuar në emër të frikës. Uroj mos të jetojmë një jetë të frikësuar.

Frika do jetë më e vështirë për t’u mundur sesa virusi!

 

*Bela Aleksi-mësuese, Toronto

Tagged under Covid-19 Bela Aleksi