Blog

Kosova nuk më do - Nga Edison Ypi

Nga: Edison Ypi

Kosova do duhej të qeverisej e begatohej nga intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit e ardhur nga universitetet që mezi presin t'i shërbejnë. Por Kosova kontrollohet nga hajnat e ardhur nga bodrumet marksiste-leniniste të Europës që e kanë bërë Kosovën si i lypset shkaut, lesh arapi plot me pëllitje imamësh që më bëjnë të uluras; Kosova nuk më do më!

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një Shqipe me të lujt menia e kres, me tu ndal fryma, muzikë, sinfoni e tëra. Por ndërkohë, Shqipja e tyre mediatike është një mballosje e dialektit të mrekullueshëm kosovar me Shqipen standarde, një pështjellim aq i gërrditshëm gjuhësor sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, të cilën prej shekujsh e dashuroj, tash sa kohë më ka bo lanet.

Humori televiziv kosovaresk është aq qesharak sa të vjen turp me e pa e me e nigju.

Debati televiziv në Kosovë është më gdhë se i Shqipërisë.

Komentet e kosovarëve nëpër rrjeta sociale, janë më të trasha se vetë trashësia. Sado ta dua unë, me nivel komunikimi të tillë, Kosova nuk mundet me më dash mua.

Me biseda të shpëlara, batuta pa kripë, modë, muzikë, kuzhinë, pa realizmin e përditshmërisë, pa erë që fryn, pa shi që lag, pa pula që kakarisin, pa gjela që këndojnë, qen që lehin, kosovarët dhe kosovareshat snobiste televizive sado të lodhen nuk e bëjnë dot televizionin. Rrjedhimisht Kosova mua nuk më do.

Me ardh në behar në Durrës me u rrezit pranë detit. Me ndejt në diell aq gjatë sa lëkura me tu përzhit në thellësi të mishit me shpresë se dielli të ka hy brenda dhe deri beharin tjetër aty do rrijë e do të shërojë, keq më vjen ta them, por Ti Kosovë këtë e bën. Domethënë që mua nuk më do. Po të më doje, nuk do ta bëje.

Çdo ditë e më tepër pica, bifteqe, hamburgera dhe çdo ditë e më pak Pasul, është një tjetër krim që provon se ti Kosovë nuk më do.

U lirua Ura në Mitrovicë. Bukur. Mezi e pritëm. Por shembën Xhaminë. Xhaminë e Tiranës as kurvi nuk guxoi ta preki. Xhamia e vjetër nuk duhej shembur. Kosova nuk më do, prandaj e shembi Xhaminë.

E kam provu me ju afru Xhulietës time Kosovë, natën si Romeo, ditën si Don Juan, në mëngjez si dashuror, në mesditë si gentleman, nëpër ëndërra si Engjull, nga Morini si teptil, nga Maqedonia si patriot kafeneje, nga Luma si luftëtar çiftelie. E pa mundur. Ajo prej grave të mia që digjem t'ia shpreh dashurinë, ta përkëdhel, ta puth, dhe për të cilën derdh lotë, sa më tepër i afrohem, aq më tepër më largohet. U bënë vite që sa herë nisem në Kosovë përfundoj në Myzeqe, Devoll, Dibër, Pukë, Tepelenë, nëpër maja, gërrxhe, përrenj, shkëmbinj, hone, humnera.

Unë që fill pas bombardimeve udhëtova nëpër Kosovë tre dit e tre net me lot në sy. Kosovën nuk mund ta vizitoj. Në Kosovë nuk mund të shkoj. Në Kosovë s'kam çfarë të bëj. Kosovën e dua. Kosova nuk më do.