Blog

Kosova do të kthehet te Albini - Nga Ndue Dedaj

Nga: Ndue Dedaj

Nuk është e vështirë të kuptohet sot, pse u pengua aq shumë të krijohej qeveria e Albin Kurtit, duke i vënë gurë në rrota, sa njëri, sa tjetri, nga kulisat e politikës së vjetër. Dhe të bëhet të besosh se ajo u formua vetëm falë vullnetit të Vjosa Osmanit, e cila në atë moment nuk mund ta anashkalohej, sado që dhe kjo gjë u synua fort.

Për shumëkënd, ajo që po ndodh në Kosovë me qeveritë e fundit, veçmas atë të VV dhe LDK-së është e lidhur me heqjen e taksës, bisedimet me palën serbe, apo dhe shkëmbimin e përfolur të territoreve me Serbinë etj. Ne nuk mund të dimë se ku “fle lepuri”, ama për një gjë nuk ka medyshje, që Prishtina nuk është e njëzëshme lidhur me çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Krerët e politikës së vjetër vazhdojnë të bëjnë protagonistin, secili sipas “strategjisë” të vet, por pas pasur një strategji shtetërorë unike.

Nëse dikush do të na bënte vërejtje lidhur me terminologjinë që po përdorim, politikë e vjetër dhe politikë e re, këtë nuk është se e themi ne, por e “firmosën” zgjedhjet e fundit në Kosovë, që ua dhanë mandatin të rinjve për të qeverisur. Ka qenë kjo “përplasje”, e dukshme dhe e padukshme, mes të vjetërve dhe të rinjve, që nxitoi ta rrëzonte qeverinë Kurti, në kohën më të paimagjinueshmë të pandemisë së Coronavirusit.

Një gjë duhet ditur nga të gjithë, Kosovës nuk mund t’ia marrin peng qeverisjen e re për shumë kohë “kolosët” e vjetër, qoftë dhe të ndihmuar nga rrethanat e çastit, lë të themi, të sferës gjeopolitike. Ajo tashmë ka një vetëdije të re për udhëheqësinë e vet dhe do t’ia dalë.

Vlen të theksohet se nuk është vetëm Albini, por dhe Vjosa, çka do të thotë se ekzistojnë premisat e ndryshimit, vizioni dhe fryma e tij.

Dihet që e reja nuk lind përnjëherësh, një mësim i vjetër i historisë, që vlen dhe në këtë rast.

Kosova i përket filozofisë së Albinit dhe të Vjosës, që janë dhe “shinat” nga do të ecë politika e saj tash e mbrapa. Thjesht dhe vetëm se ata, si idealistë, janë në politikë për të shërbyer dhe jo për të bërë llogari me pushtetin, merr e jep prej tij, poste, pará, tendera…

Në Kosovë, po lind një politikë e re, që do të bëhet mësim dhe për rajonin.