Gazetarët e vërtetë, një specie e rrallë - Nga Robert Kore
- Nga: Robert Kore
Kush kontrollon shtypin, kontrollon botën, thotë një shprehje. Dhe dihet që ata që e kontrollojnë shtypin janë miliarderët.
Kuptohet që miliarderët duan që përçuesit e narrativave të tyre të arrijnë tek ne në mënyrën më të besueshme të mundur.
Përçuesit, ose gazetarët, siç i quajmë ne, janë nga aktorët më të mirë. Ata kanë aftësi, të shoqëruar me elokuencë, me mimikë, ulje-ngritje të zërit deri edhe përlotje të syve, sa ta paraqesin ëngjëllin djall dhe djallin ëngjëll.
Kanë aftësi që një ngjarje të parëndësishme, ta paraqesin si fundin e botës, ashtu siç kanë aftësi që edhe një ngjarje të rëndësishme për publikun ta minimizojnë deri në atë shkallë, sa të duket sikur s’ka ndodhur asgjë.
Jo më kot shumë gazetarë janë milionerë. Jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri ka gazetarë milionerë. Dhe më shqetësues bëhet fakti që ata gazetarë që përhapin vazhdimisht fake news, janë dhe gazetarët që fitojnë më shumë se të tjerët.
Ata e dinë këtë dhe prandaj sot paraja predominon mbi moralin dhe ndershmërinë, që duhet të karakterizojë çdo gazetar.
Thonë se gazetaria është një profesion fisnik. Dhe kjo është e vërtetë, por vetëm për aq kohë sa gazetarët kanë integritet dhe bëjnë gazetari profesioniste dhe asnjëanëse, sepse shumë prej tyre në fakt bëjnë shpesh herë militantizëm.
Personalisht mendoj se gazetarët fisnikë e profesionistë të vërtetë po bëhen gjithnjë e më shumë një specie e rrallë. Dhe kjo është shumë shqetësuese.
Shtypi ka lindur si pushtet i katërt i pavarur për të mbrojtur publikun nga gënjeshtrat e qeveritarëve.
Fatkeqësisht ky mision i shtypit po përmbyset, sepse shumica e gazetarëve janë bërë palë me qeveritë për të gënjyer publikun.
Sidoqoftë, gazetarë të guximshem ka. Respekt për profesionalizmin dhe guximin e tyre.
Nuk do duhej të përdorej mbiemri “i guximshëm”, por sot është e domosdoshme t’i quash kështu!