Blog

Babai i kombit - Nga Ilir Levonja

Nga: Ilir Levonja

Vendi im ka një hero kombëtar, një vizionar. Bie tërmet, ai është në krye.

Nuk ka nevojë për inxhiniera, nuk ka nevojë për shefa të emergjencave civile, nuk ka nevojë për sizmologë, i bën të gjitha.

Nuk ka nevojë për projektues urbanë, specialistë të shpronësimeve, nuk ka nevojë për mjete si varinskë a transportues reportabël, për sociologë e psikologë, për ndihmës të shpejtë, i bën vetë të gjitha.

Nuk ka nevojë për ushtrinë, xhenierët, kampet e fushimit dhe strehimit, nuk nevojë për ndihmësit publikë për sistemimin e mbetjeve të zeza, i bën vetë.

Nuk ka nevojë për planifikim ekonomik, për ekspertët, të dijë fuqinë buxhetore, sa rëndon në arkë rrënimi i shtëpisë së një qytetari, i bën vetë të gjitha.

Vendi im ka një hero baba, një Skënderbe baba, një Simon Bolivar baba, një juventin gango në rrugët e Torinos, një bohem i Parisit a i lagjes Pigal, por hero ama.

Ra ky mort i madh ai është në krye. Nuk ka nevojë për shefin a ekipin e sëmundjeve epidemiologjike, i di dhe i bën vetë të gjitha.

Nuk nevojë të dëgjojë mjekët, i mëson ata me duart mbrapa. U thotë të mos kruajnë hundët, ndërkohë që është duke kruar të vetën.

Nuk ka nevojë të dëgjojë specialistin e murtajës, fruthit, tbc-së, ebolës, covid-it, u bërtet sysh, vendosni maska, ndërkohë vetë nuk e njeh atë. Me përjashtim kur jep ndonjë intervistë për Bruno Vespën.

Nuk ka nevojë të dëgjojë psikologun për depresionin social, as sociologun për adoptimin e ndonjë ligji mbi distancën, mbi funksionimin e marketeve etj. I di dhe i bën vetë të gjitha.

Mbylluni brenda se shtypa, 1 orë keni për të blerë e për të dalë. Kaq dhe pikë. Nuk dua të dëgjoj se e kam larg dyqanin, se jam vetëm në shtëpi, turp të kenë ata që ju kanë lënë e ikur. Një orë do dilni dhe kur të dilni ngjeshuni e shtypuni se kokën do hani!

Vendi im ka një hero kombëtar.

Ka tre ditë që po shqyhen mediet, nisi 30 mjekë në Itali.

Ka tre ditë që ka infektuar edhe Italinë. Nuk e hap dot televizorin se lajmi i parë është sensacioni i babait në botë për punën e 30 mjekëve.

Babai juventin, kryetrimi i skuadrave të shpëtimit, epidemiolog, xhandar, shpërndarës misri. Babai thumbaxhi.

Ka edhe një kokorosh që u ndan pako me miell të vobektëve në rrethinat e Tiranës. Fisnikët me çati të rrëzuara e shohin me droje. Nuk duan të jenë krijesa të zheleve. Se, ''mjerimi gjithashtu len dhe n'trashigim -jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme, por eshtnat e shtrembta e n'gjoks ndoj dhimbe''.

I trëmbet kamerave, mos po e sheh ky apo ai dhe i bëhet qejfi atij që unë po vuaj. Megjithëse e kemi krenari të themi, ne shqiptarët, atë që bëje të mirën dhe hidhe në lumë.

Po babai i kombit tim dhe zhigoloja i tij, e kanë postulat, bëje të mirën dhe plasja sytë shqiptarëve.

Se ''kush ka median pushton botën'' (Trocky), media është adrelnainë.

Baba, kur do ta ngrejnë monumentin në zemër të Tiranës?