Blog

Aktet normative të Ramës, si ato të Hitlerit me Kushtetutën e Weimarit - Nga Klodi Stralla

Nga: Klodi Stralla

Adolf Hitleri u betua si Kancelar i Gjermanisë në Janar të vitit 1933 dhe për të qeverisur i duhej të zbatonte Kushtetutën që kish votuar populli gjerman fill pas Luftës së Parë Botërore (1919).

Ajo ishte një kushtetutë republikane dhe demokratike, e hartuar nga sociologu dhe juristi i madh gjerman Maks Weber, që binte ndesh me llojin e qeverisjes që parapëlqenin nazistet, atë të thjeshtimit dhe anashkalimit të procedurave demokratike, duke filluar nga anashkalimi i parlamentit, presidentit, gjykates kushtetuese, bankes qendrore dhe institucioneve të pavarura, që përbëjnë thelbin e një shteti demokratik, me ndarje dhe balancim pushtetesh.

Hitleri jo vetëm s’ishte mësuar me këtë mënyrë qeverisjeje por, në thelb, e urrente atë. Si t’ia bënte?

Artifici u gjend brenda Kushtetutës ekzistuese, neni 48 i saj, sipas të cilit, në raste të veçanta emergjence (sipas vlerësimit të Hitlerit), edhe kur parlamenti ishte i mbledhur, mund të operohej me Akte normative, faktikisht urdhëra të vetë Fyhrerit.

Fillimisht, kjo u justifikuan me luftën ndaj komunistëve dhe çifutëve (djegia e Rajshtagut) dhe populli e brohoriste, por shumë shpejt, Akti normativ u bë praktikë e zakonshme pune dhe parlamenti gjerman i ngjante më shumë një fosili që të kujtonte një kohë të largët, kur ai bënte ligje me oponencë opozitare.

Nuk vonoi shumë dhe Hitleri i bashkoi nën një person të vetëm pushtetin e Kancelarit me atë të Presidentit, ndarje që e quante borgjeze dhe u shpall ‘Fyhrer’- i gjithpushtetshëm. Ushtria, gjykatat dhe institucionet e vendit betoheshin për besnikëri, personalisht ndaj tij.

Ky ishte “Fyhrer princip”, parimi sipas të cilit funksionoi shteti gjerman nga viti 1934 deri më1945. Pasojat e kësaj mënyre qeverisjeje të pakontrolluar tashmë dihen: mbi 10 milion gjermanë të vrarë, ekonomia në vitin zero, pasoja që u deshën vite të riparoheshin.

Këtë praktikë po ndjek edhe kryeministri ynë, i justifikuar fatkeqësisht, fillimisht nga tërmeti dhe tani edhe nga pandemia e Koronavirusit. Shumë shpejt, pasi ato të kalojnë, kam bindjen se do të mbeten praktikë pune me të cilën shqiptarët do të mësohen dhe nuk do të reagojnë.

Si jurist dhe njohës modest i funksionimit të shtetit, e shoh me shumë shqetësim përdorimin e Aktit normativ nga Edi Rama, aq më keq kur ai u njoftohet shqiptarëve nga bunkeri, në Surrel, të cilit, tërmeti dhe pandemia, sikur i kanë rënë prej qielli për të realizuar ambicien e tij, egoiste e perverse, të fshehur ndër vite në nënvetëdijen e tij, atë të nënshtrimit të të tjerëve përmes pushtetit dhe kënaqësisë që të jep ai.

Diktaturat gjithmonë lindin në kohë krizash, si justifikim për t’i zgjidhur ato, por, pasi instalohen qëndrojnë gjatë, sepse bëhet shumë e vështirë t’i shkulësh. Ne shqiptarët e kemi provuar diktaturën për një gjysmë shekulli. E po ndodhi përsëri kjo, më mirë të largohemi sa më parë nga ky vend. Në të kundërt, duhet luftuar që sot, pavarësisht justifikimit me gjendjen e jashtëzakonshme.

P.S. Ky opinion mori shkas nga Akti normativ i qeverisë ndaj qeradhënësve, të cilët, jo vetëm nuk kanë të drejtë t’u kërkojnë qeranë qeramarrësve të tyre por, nëse e bëjnë, do të ndëshkohen.

Në foto Adolf Hitleri në bunker, pak ditë para vetëvrasjes, Prill 1945.