Mund të më quani ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi - Nga Rushan Xhaferi
- Nga: Rushan Xhaferi
Një botë e re...
Montreali, si çdo qytet tjetër në botë, po kalon një situatë të paimagjinuar më parë. Njerëzit, si asnjëherë, janë duke vënë në diskutim çdo vlerë të mëparëshme: as kisha, as xhamia, as njerëzimi, as leku, asgjë nuk është në gjëndje të shpjegojë këtë situatë. Njerëzit nëpër rrugë u ngjajnë më shumë mumjeve të serisë Walking dead sesa komshiut të përditshëm. Gjithësecili i trembet çdokujt! Është e frikshme! Duke ecur nëpër trotuare, njerëzit ndërrojnë rrugë. Ti ndërron rrugë. Ai përballë teje ndërron rrugë dhe kur kjo ndodh, ti je i qetë në frikën tënde.
Financiarisht, bursa botërore po kalon një nga momentet më të vështira të saj. Shumë «specialistë» shprehen gjithandej për katastrofën ekonomike. Shpresoj që bursa të zhduket duke lënë pas saj kujtimin e një ekzistence shkatërruese për njerëzimin sepse financa nuk është ekonomia reale. Në 2008, financierët amerikanë krijuan një nga krizat më të mëdha ndërkombëtare. Kriza financiare u transformua në shkatërrim ekonomik botëror. Në Evropë, grekët e paguan më shumë së çdokush dhe Greqia iu shit xhaba bankierëve evropianë të paskrupuj. Spanja dhe Italia kaluan momente shumë të vështira dhe qeveritë të kushtëzuara nga politikat e Bashkimit Evropian shkurtuan fonde në të gjitha shërbimet, sidomos në shëndetësi. Nuk është habi që dy vendet më të prekur nga Covid-19 në Evropë të jenë po këto dy shtete.
Në këtë moment, ne po përballemi me një virus që po vret prindërit tanë. Një virus që e ka vënë, pak a shumë, kufirin tek personat mbi 60 vjeç. «Një plak që zhduket është një biblotekë që digjet», thotë një proverb afrikan. Në këto ditë, janë me mijëra "bibliotekat" që po shuhen në qetësi, pa zhurmë. Prindërit pleq po ikin pa pasur mundësi tu thonë fëmijëve të tyre lamtumirë dhe ata që munden i lënë amanetet nëpërmjet një ekrani të zbehtë dhe pa jetë.
Një ditë, virusi vrasës do të zhduket. Atë ditë, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për mundësinë që na jepet. Kjo mundësi e re duhet të na lejojë që të heqim qafe bankat vjedhëse si dhe shoqëritë e sigurimeve mashtruese. Këto institucione nuk kanë punuar asnjëherë për të siguruar mirëqënien e njerëzve.
Është e çuditshme që shumica e gazetarëve nuk vënë në dyshim këtë sistem i cili rigjenerohet mbas çdo krize sepse në të përfshihen persona të cilët nuk kanë asnjëherë si pikësynim mirëqënien e popullsive. Politikanë, financierë, por edhe gazetarë e analistë janë pjesë e një sistemi, në thelb i shkatërruar, por që mbahet në këmbë nga aftësia e tij për të korruptuar çdo person ose gati gati çdo person.
…
Një fjalë për Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare (KKDSH). Kur të mbarojë kjo krizë dhe shqiptarët do të rigjejnë normalitetin shpresoj që përfaqësuesit fallco të Këshillit pa dobi të mos marrin më fjalën dhe të japin dorëheqjen në heshtjen më të madhe. Kjo instancë është aq e dobishme për shqiptarët sa dhe një gji i tretë.
Pikërisht, në këtë moment, prononcimi i KKD me gjysëm zëri, i këtij këshilli të çkoordinuar, tregon mediokritetin e tij. Edhe pse në jetën e përditshme dhe për familjet e tyre, këta persona mund të jenë me shumë vlerë, në këtë moment duket se emërimi i tyre ishte politik dhe relacion publik për një qeveri që po jepte shpirt e cila i përdori për imazhin e saj politik. Këta persona nuk janë të paditur, por ngrohtësia e një karrigeje të bën të mbyllësh nja dy apo tre sy. Ka ardhur momenti që këta persona të marrin përgjegjësinë që u jep roli i tyre.
Ndoshta këta persona nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë Këshill Koordinues. Shqiptarët që ndodhen jashtë shtetit dhe që nuk kthehen dot në atdhe ndodhen në një situatë të paimagjinuar për ne të tjerët dhe KKD duhet të bëjë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje.
…
Bota e vjetër po shëmbet dhe revolucioni botëror po vjen; ndihet era ndryshim. Disa kohë para virusit, qytetarë të shumë vëndeve ishin në rrugë për të kërkuar një botë të re: Bolivi, Liban, Kili, Spanjë, Iran, Irak, Algjeri, Hong Kong por sidomos në France për më shumë se një vit.
Për më tepër, ekosistemi i tokës përfshin një shëndet të përgjithshëm, një ekuilibër. Dhe kur mjedisi ndihet keq, ne qëniet njerëzore a mund të jemi në rregull? Kur bota e kafshëve vuan, ne nuk mund të kemi shëndet të mirë. Kur Amazonia digjet, gjallesat e tjera nuk mund të marrin frymë lirisht se trupi nuk jeton dot pa mushkëri.
A është wake-up call, domethënë sinjal alarmi, apo rastësi, virusi me emër birre, ai po na jep mundësinë më të mirë për të dalë nga kllapia e zymtë që na kishte zënë në një botë ku mbizotëron konsumi pa kuptim, mbikomunikimi pa humanizëm si dhe degradimi i gjeneralizuar.
Asnjëherë më shumë se në këtë moment, kënga "Imagine" e John Lennon nuk ka pasur më shumë kuptim. Po ju lë tekstin e kësaj kënge për ta rilexuar me realitetin e Prillit të vitit 2020...
Imagine
Imagine there's no heaven
It's easy if you try
No hell below us
Above us only sky
Imagine all the people
Sharing for today... Aha-ah...
Imagine there's no countries
It isn't hard to do
Nothing to kill or die for
And no religion, too
Imagine all the people
Living life in peace... You...
You may say I'm a dreamer
But I'm not the only one
I hope someday you'll join us
And the world will be as one
Imagine no possessions
I wonder if you can
No need for greed or hunger
A brotherhood of man
Imagine all the people
Sharing all the world... You...
You may say I'm a dreamer
But I'm not the only one
I hope someday you'll join us
And the world will be as one