Tani nuk po shohim asgjë, ajo do të vijë më pas - Nga Alfons Zeneli
- Nga: Alfons Zeneli

Kur të mbarojë karantina dhe gropa septike e Ramës nuk do ketë justifikim për termin “luftë”, “tradhëtar”, “armik” etj, kur nuk do ketë justifikim për aktet normative luftarake dhe për VKM, ai do gjendet në një pozitë shumë të vështirë, pra pa komoditetin e komandimit të gjithçkaje nga bideja e Surrelit.
Kur të mbarojë karantina, ai do tentojë t’i zbutë sa më pak të jetë e mundur masat shtërnguese të vendosura ndaj popullsisë gjatë kësaj kohe, që ai qëllimisht po përpiqet ta ngulitë në psikikën e njerëzve si një luftë mirëfilli.
Qëllimisht po e përsërit formulën e vet sugjestionuese të “luftës me armikun e padukshëm”, për t`i bërë njerëzit të besojnë se virusi ka bërë yrysh me një qëllim të caktuar, me një plan strategjik, me ushtri e gjeneralë.
Përdorimi termit “luftë” në vend të atij real, që është “fatkeqësi natyrore”, nuk është aspak thjesht si një figurë letrare. Rama nuk po e përdor aspak si të tillë.
Ai po përpiqet që të krijojë tek njerëzit terrenin psikologjik mbi të cilin ai do të ndërtojë sistemin e masave të egra “post-luftë”. Sepse i bie logjikshëm që “babai” të mos e lerë kombin në mëshirë të fatit.
“Babai” nuk duhet ta lerë kombin, sepse kombi nuk e di se cila është e mira dhe e keqja e tij.
Ashtu siç e përcjell sot gjithë derdhjen e vet psiqike nëpermjet trakteve dhe komunikatave luftarake online, ashtu do sokëllijë edhe nesër ndaj “bashkëpunëtorëve të armikut”.
Pas “çlirimit” nga okupatori virusal, do jetë e natyrshme që vendi do të ketë nevojë për një “baba”.
E ku mund të gjëndet një më i mirë se sa ky i vetmi që na “çliroi” nga “armiku i padukshëm” dhe udhëhoqi me largpamësi luftën antivirusale nacional-çlirimtare?
Kush qëndroi heroikisht në Vilën e Surrelit (Kasollja e Galigatit) dhe prej atje drejtoi divizionet e ushtrisë së lavdishme qeveritare dhe i shpartalloi forcat armike virusale dhe bashkëpunëtorët e tyre kuislingë e tradhetarë-opozitarë gjatë operacionit të Shkurt-Mars-Prillit 2020?
Kush na udhëhoqi i vetëm deri në shkatërrimin e plotë të armikut të padukshëm?
Kush kaloi mes suferinash i vetëm dhe e “çliroi” vendin pa ndihmën e anglo-amerikanëve që i gjeti të papërgatitur virusi?
Dihet, “babai” i kombit!
Kjo do të bëjë që natyrshëm, qysh ditën e parë të “çlirimit”, “babai” të ratifikojë, të moderojë e forcojë masat, pasi armiku i brendshëm i mbështetur nga mbeturinat e virusalit të jashtem, sëbashku do përpiqen përsëri që nëpërmjet grupeve diversioniste të rrëzojnë pushtetin mavipopullor, fitorjet mavi të realizuara e të ndërtuara me grikën e ... ekranit të laptopit dhe të ERTV.
Kjo është pamja të cilën po përpiqet të ndërtojë Rama dhe t`ia vërë si çip në tru popullsisë.
Sepse ndryshe, askush nuk do të mund ta pranojë represionin antidemokratik e antikushtetues që ai po përgatitet të bëjë në të ardhmen e afërt.
Ky është problemi i vërtetë!
Virusi do iki, por ajo që do bëjë Rama fill pas “çlirimit”, është ajo që do të vijë dhe që nuk e kemi parë akoma.



















