Blog

Kur do ta kemi edhe ne "PULITZER-in" tonë? - Nga Klodi Stralla

Nga: Klodi Stralla

Ashtu si çdo shkrimtar e ka ëndërr që një ditë puna e tij krijuese të vlerësohet me Çmimin “Nobel”, ashtu edhe çdo gazetar apo gazetë profesioniste ëndërron që puna e saj të kurorëzohet me Çmimin “Pulitzer”. Është një çmim kombëtar për gazetari që ka filluar të jepet që nga viti 1917 në gazetarinë amerikane.

Gazeta apo gazetari që fiton këtë çmim simbolizon përsosmërinë gazetareske dhe tregon se si duhet raportuar në një demokraci funksionale, ku gazetari dhe gazeta janë misionarë informimi të publikut të gjerë. Bota demokratike njeh gazetarë të vrarë duke raportuar nga vija e parë e frontit të luftimeve ose nga kurajoja për të investiguar në foletë e korrupsionit qeveritar.

Ky çmim ndahet çdo vit në muajin Prill, sepse data 10 prill 1847 është dita e lindjes së gazetarit të famshëm amerikan, me origjinë hebre nga Hungaria, Joseph Pulitzer, për nder të të cilit edhe është krijuar ky shpërblim prestigjioz në gazetari.

Edhe tek ne, në këto vite të demokracisë, formalisht janë ndarë çmime për gazetari, nga Ministria e Kulturës, Instituti i Mediave, Unioni i Gazetarëve etj. Ka edhe një çmim të emërtuar “Vangjush Gambeta” (ish kryeredaktor i ZP-së para viteve ’90-të). Por të gjitha këto çmime janë shumë larg çmimit “Pulitzer”, i dhënë nga një juri e paanshme prej 77 botuesish, redaktorësh dhe profesorësh universiteti, që mblidhen çdo prill në Universitetin e Kolumbias për të gjykuar dhe vlerësuar konkurentët.

Sa larg nga tradita jonë, ku fituesit janë të paracaktuar: Fevzot, Muçët, Minxhozët, Ballat & Co, manipulatorë të paguar të lajmit, sipas interesave të partive apo pronarëve të tyre!

Nëse shoqëria shqiptare do të dojë një ditë vërtet të demokratizohet e të përparojë, ajo ka nevojë, ndër të tjera, ta themelojë “Pulitzer-in” e saj.

Kurrë nuk është vonë!