Blog

Ylli Dylgjeri: Bukën e përditshme falna zoti Rama!

Deri më tash kam ndjekur me vëmendje Paketën Tuaj që ende nuk e keni ndarë mëndjen është sociale, ekonomike, apo social-ekonomike.

Them Paketa Yt-e dhe jo e Im-ja, sepse deri më tani paketa është ofruar, ose është studiuar që shumica të mos marrë dhe veçanërisht të përjashtohen shtetasit jo-Rilindas.

Them shteti Yt dhe jo i Imi se deri më tash Unë nuk gjej veten në asnjë kategori apo shtresë të përkrahjes sociale.

Për të kuptuar lexuesi, po i rikujtoj se sot jam i papunë prej 13 muajsh nga një largim arbitrar që Gjykata Administrative e rrëzoi, si të pambështetur në asnjë ligj.

Gjykata e rrëzoi dhe më dha të drejtë. Unë fitova gjyqësisht ndaj padrejtësisë së Ministrisë së Financave dhe Qeverisë.

Pra kam fituar gjyqet ndaj vendimeve arbitrare por nuk fitoj socialisht nga paketa financiare e po të njëjtës Ministri Financash dhe po të njëjtës Qeveri!

Në këto kushte, kryefamiljar, i papunë, i izoluar në shtëpi, duhet të pres se çfarë mbështetje mund të marr nga Shteti Yt (i imi) pa afat e pa asnjë shans.

Këtu me lind e drejta t'Ju pyes edhe si Kryeministër dhe siç thoni së fundi edhe si Baba:

Ku futem Unë dhe kategoria ime që kanë fituar gjyqet ndaj akuzave arbitrare?

Ku do të ha Unë?

Nëse nuk ka zgjidhje nga Ju, më ler të lirë të luftoj me Coronën.

Ose të më hajë Corona ose ta ha Unë Coronën.

Kështu siç jam, nuk mund të ushqehem as me cironka!

Zoti Rama!

Të drejtohem Ty, sepse në këtë vend dhe Zoti është marrë me konçesion nga Rilindja!