Blog

Media gjatë pandemisë: ekspertë vs gjithologë - Nga Çapajev Gjokutaj

Nga kodrat e Selitës qielli i Tiranës shfaqet më transparent se kurrë. Koronavirusi ka sjellë kufizim në maksimum të lëvizjes automobilistike, ndaj smogu është bërë fir. Jo çdo e keqe ardhka vetëm për keq.

Një huq i vjetër për kapërcime metaforike më çon nga qielli tek emisionet televizive talkshow. Janë paksuar gjithologët që na ishin bërë si pjestarë shtëpie dhe janë shtuar ekspertët, kryesisht doktorë që flasin për virusin, për pandeminë, gjendjen në vend dhe për ecurinë e lëngatës sot e në të ardhmen. Pjesmarrja e kësaj kategorie bëhet më e dukshme e më mbresëlenëse ngaqë pernatë e më shumë dëgjojmë edhe doktorë e intelektualë shqiptarë që punojnë nëpër botë.

Nuk është hera e parë që ekspertët “pushtojnë” ekranet. Diçka e ngjajshme ndodhi edhe në periudhën pastërmet fundvitin që shkoi. Atëmot inxhinierët, sizmologët, gjeologët etj. u bënë violinë e parë e ligjërimit publik e mediatik. Vetëm se, si kaluan pak javë u kthyem në fis: gjithologët rimorën pozicionet ballore në emisionet televizive bisedë dhe pergjithesisht në debatin publik, kurse ekspertët kaluan në surdinë. Natyrisht nuk flitej më për tërmetin, po për politikë, më saktë për batuta, deklarata e intriga politikanësh, derdhur të gjitha këto në emisione ala Babale.

A do të ndodhë diçka e ngjajshme dhe kësaj radhe?

2.

Politologu i njohur bullgar, Ivan Krastev, shkruante këto ditë se kriza e përbotshme që po shkakton Covid-19 po sjell rritjen e besimit tek ekspertët. Sipas tij, kriza financiare e vitit 2008 gjeneroi pakënaqësi të mëdha kundër ekspertëve bankierë, ekonomistë etj. E gjithë kjo me rrënjë tek paaftësia e tyre për të parandaluar kolapsin e sistemit bankar në shumicën e vendeve të zhvilluara.

Zjarrit të këtyre pakënaqsive u kanë fryrë ndërkohë politikanët populistë, që ndihen si peshku në zall në një kontekst të mbizotëruar nga ekspertiza, ngaqë në thelb populistët nuk operojnë me logjikën e shkencës, por me temperaturën emocionale të turmave. Tani që një rrezik ekzistencial na ka ardhur në prag dhe rrezikon shëndetin e secilit prej nesh, njerëzit, si rregull, duan shpresë e siguri, ndaj orientohen nga ekspertiza dhe ekspertët.

Alternimi “ekspertë - politikanë populistë”, dmth dalja në plan të parë herë e njerës palë dhe herë e tjetrës, është dukuri botërore, që po shfaqet edhe tek ne. Le të urojmë që roli i shtuar i ekspertëve në ligjerimin publik dhe më gjerë të mos mbarojë me perfundimin e emergjencës, por të vazhdojë dhe të bëhet normë. Ëndërr e bukur, por jo dhe aq e lehtë për t’u bërë realitet.

3.

Mungesa e ekspertëve në ligjërimin e përditshëm publik dhe përmbytja e këtij nga politikanë mediokër të përforcuar prej gjithologë banaqesh televizive mund të ketë arsye të ndryshme, por një gjë duket e sigurt: nuk shkaktohet nga ekspertët, aq më pak nga paaftesi të tyre, profesionale jo se jo, por as paaftësi në të folurin publik. E konfirmojnë këtë të vërtetë dhjetra ekspertë që, siç e përmenda, u shfaqën në media gjatë pastërmetit dhe sidomos tani, duke trajtuar probleme të mprehta dhe duke lënë pergjithësisht mbresa të mira te publiku.

Mungesa kronike e ekspertëve në ligjërimin mediatik duket se i ka rrënjët gjetkë, buron prej faktorësh të tjerë. Dy mbase janë ndër më kryesorët: vendi i madh e i pajustifikuar që u rezervohet politikës e politikanëve si dhe mungesa e dobësi strukturore të medias.

Ka diçka që, të paktën në pamje të parë, duket kontradiktore. Ligjërimi publik, sidomos ai i rrjeteve sociale, është i mbushur me pakënaqësi, kritika e përqeshje të politikanëve dhe të politikës. Megjithate duket se njerëzia vazhdojnë të ndjekin dhe të klikojnë me shumicë lajme, emisione e opinione për politikën, partitë e politikanët.

Prirja për të folur, shkruar, lexuar e dëgjuar politikë nxitet nga një varg faktorësh. Mes tyre më i moçmi është fakti që politika në anët tona ka qenë dhe mbetet ndër mjetet kryesore të sigurimit të jetës dhe sidomos të pasurimit e të arritjes së një statusi të lakmuar social.

Zë fill ky model qysh me pushtimin osman, kur tokat e çifligjet ndaheshin nga pushteti qendror në bazë të kontributeve në luftë, kurse në rang njësie administrative e krahine duhet të bëje pjesë në tarafin e parisë që të siguroje status, pozitë e mirëqenie.

Edhe sot, megjithese ka rrjedhur koha lumë e pretendojmë se kemi ekonomi tregu e konkurencë, dalin më të fituar dhe majmen biznesmenët pranë pushtetit të radhës. Edhe militantët e partive të sotme, ashtu si tarafet e djeshme, e sigurojnë statusin jo aq me punë a sipërmarrje, sa me lidhje klienteliste sipas motos: na ndihmo në betejat e radhës që, kur të marrim pushtetin e të shqyejmë prenë dmth administratën publike, të të hedhim ndonjë thelë.

Ky model promovimi e pasurimi kaq i lashtë por në thelb i njëjtë patjetër që ka patur, ka e do të ketë ndikim të madh tek njerëzit dhe do ushtrojë trysni që politika të jetë tema kryesore e ligjërimit publik.

4.

Por pëlqimi i publikut për prurje mediatike që vertiten rreth politikës ka të ngjarë që lidhet edhe me një faktor tjetër. Shumicën e kohës mediat tona nuk flasin për politika zhvillimi, por për grindje, intriga e deri batuta partish a politikanësh. Me një fjalë lenë menjanë politikat e vërteta, thelbin e tyre dhe e kthejnë ligjërimin për politikë në mjet argëtimi, herë si skandal që merr trajtë seriali e herë si spektakël humori.

Dhe dihet që në kohën tonë ka një etje masive për informacion të lehtë, intrigues dhe sidomos argëtues. Që të bindesh se kjo përbën trend mjafton të kujtosh vetëm një fakt: në vite mund të numërosh qindra seanca parlamentare që kanë aprovuar ligje të rëndësishme, por që mediat në vend që të informonin për thelbin e këtyre ligjeve dhe të analizonin ndikimet e tyre në jetën publike, shumicën e herëve janë përqendruar te batuta, akuza a sharje, që kanë shkëmbyer politikanët nga foltorja e parlamentit.

Thenë përmbledhtas, publiku ka interes për politikën, sidomos për anën sensacionale e komike të saj. Kjo krijon një kërkesë të fortë në tregun mediatik, ndaj dhe televizionet, radiot, gazetat etj. ofrojnë me shumicë mall të tillë. Por krahas trysnisë që bëjnë pelqimet e publikut, shpesh edhe vetë redaksitë dhe gazetarët janë të interesuar për të përcjellur jo aq anët thelbesore të politikës dhe politikave, por aspektet sensacionale, argëtuese e komike.

Ndodh kjo jo se u pelqen redaksive dhe gazetarëve apo se kënaq shijet e tyre, por sepse u shkon pas interesit. Një pjesë e mirë e mediave tona nuk janë në treg, në kuptimin që të ardhurat nuk i nxjerrin nga shitja e produkteve mediatike, por nga reklamat. Dhe reklamat sigurohen më lehtë kur biznesi sheh që kjo apo ajo medie ka audiencë të gjerë e klikime të shumta. Që t’i sigurosh këto duhet sensacioni, argëtimi, qeshja e perqeshja edhe kur të duhet të flasësh për gjëra serioze.

Një pjesë e mirë e mediave priren të flasin me perparësi për politikë a gjasme politikë të shtyra edhe nga një arsye tjetër, që lidhet me kërkimin publicistik. Të gjesh lajme, të zbulosh probleme, ngjarje e personazhe interesante kërkon përgatitje të lartë profesionale, por edhe mund, djersë e kohë. Natyrisht që e ke më lehtë të rrish në kafenetë rreth bulevardit dhe të marrësh e të percjellësh në publik ato që thonë partitë politike, se sa të endesh poshtë e lartë vendit e të kërkosh informacion vital e autentik. Kjo bëhet edhe më e hasur kur je i paguar keq dhe i nëpërkëmbur në të drejtat e tua si gazetar e si punëmarrës.

Shpesh qasja pasive e redaksive dhe gazetarëve, dmth marrja e lajmeve të gatshme nga selitë e partive lidhet edhe me një fakt tjetër: aktualisht ngjan se kemi shumë më tepër media se sa kapacitete profesioniste për t’i ushqyer ato. Dhe mediat nuk janë libra që presin me durim deri sa të kryhen e pastaj të shkojnë në shtyp, mediat janë komunikim periodik, thenë figurshëm u ngjajnë tenxhereve të vëna mbi sobë, duhet të shtosh diçka në to që të mos përvëlohen.

Një nga arsyet pse informacioni dhe analiza publicistike janë gjallëruar e bërë më tërheqëse gjatë pandemisë është se janë shtuar burimet. Me që Covid-19 ka sjellë shqetësime e probleme të ngjajshme në rang global, mund të marrësh gjëra të gatshme dhe sidomos cilësore nga mediat më të mira botërore.

Këto e të tjera argumenta të shtyjnë të mendosh se kur të kalojë emergjenca dhe gjërat t’i kthehen përditshmerisë ekspertët do kalojnë persëri në hije, kurse gjithologët do zenë kuotat e lëshuara përkohësisht dhe mëngjes, drekë e darkë do vazhdojmë të hamë poltikë a më saktë lëtyrë politike sipas motos së moçme: haja e qenit, pija e qenit, edhe bjeri karadyzenit.