Meditim mbi “pandemitë” - Nga Vangjush Ziko

Mbrëmë, kur këtej në Kanada po vinte mesnata dhe në qytetin tim të lindjes dhe të jetës sime zbardhte mëngjesi, më kapi trishtimi.
Ishte duke u mbyllur Dita e Librit dhe po fillonte një ditë e zakonshme, tashi për ne, ajo e pandemisë.
Në këto ditë të gjithë jemi më të trishtuar dhe më nostalgjikë. Krejt e natyrshme.
Është lufta që po bëjmë për të ekzistuar nga një “armik” i padukshëm dhe i pabesë.
Libri, në këto ditë, është bërë “miku” dhe “inkurajuesi” ynë më i madh, përkrah mjekësisë dhe vetë mjekëve, që janë në vijën e parë të frontit.
Mjekët janë bërë këto ditë personazhet kryesore të mediave dhe të shtypit. Dje u bënë, për disa çaste, edhe shkrimtarët me intervistat e tyre për librin dhe rolin e tij në jetën e njerëzve.
Një gjë më gëzon dhe më trishton! Kam dëgjuar intervista interesante dhe të mençura të mjekëve tanë të shpërndarë nëpër Botë! Sa shumë që qenkan!
Mendja më shkoi edhe te shkrimtarët. Sa shumë që qenkemi!
Dhe fillova të numëroj shkrimtarët, poetët dhe krijuesit e ndryshëm letrarë të qytetit tim. Numërova të dyja duart dhe nuk më mjaftuan gishtat. Edhe pala tjetër e duarve mezi më mjaftoi!
Sa shumë krijues paskan emigruar nga qyteti im, në Ballkan, në Evropë, në Kontinentin Amerikan!
Edhe kjo një “pandemi” tjetër e ditëve tona, jo vetëm për qytetin dhe vendin tim. Për tërë Botën.
Pandemitë e ndryshme po e bëjnë “mishmash” Botën!
“Pandemia” e librit nuk është vrastare si kjo e Covid-19!
Ajo, sigurisht, e ka varfëruar jetën letrare të qytetit tim. Por jo krijimtarinë e shkrimtarëve të tij, kudo që jetojnë.
Krijuesit mbeten përjetë të lidhur me gjuhën, kulturën dhe problemet e vendit të vet.
Problem mbetet se sa vendi i tyre kujtohet për krijimtarinë e tyre.
Sa e mbështet dhe sa e ndihmon për t'u botuar dhe propaganduar?
Sa nisma merren për t'i mbajtur pranë dhe për t'i quajtur një vlerë kulturore dhe shpirtërore për vendin dhe për emigracionin, shkrimtarët e mërguar?
Sa merret në konsideratë dhe sa vlerësohet krijimtaria e tyre nga qyteti apo vendi amë?
E përshëndes nismën e “Botës së Re”, klubit të shkrimtarëve në Korçë, për të ftuar krijuesit emigrantë në një ekspozitë të librit më të fundit të botuar dhe në një konkurs letrar.
Le të thellohet dhe le të vazhdojë, le të zgjerohet kjo nismë!
Le të mos mbeten ata “prapa listës” numerikisht të varfëruar për arsye objektive bashkëkohore!
Krijimtaria letrare, kudo që shkruhet, i përket, në radhë të parë, qytetit dhe kombit të vet.
Nisma të tilla janë nxitëse dhe frymëzuese, në çdo drejtim, për vetë krijimtarinë dhe krijuesit rezidentë vendas, por edhe për organizmat dhe institucionet e ndryshme kulturore, bibliotekës, shtypit, radio-televizionit etj.



















