Lutje të ftuarit në studio - Nga Edison Ypi
O i ftuar në studio! Mos e vrit mendjen! Edhe kurrgjë të mos dish, edhe kurrkushi të jesh, përderisa dikujt i vajti mendja të të ftojë në studio, ti të gjitha i di, për gjithçka mundesh, hatanë mund të bësh, patjetër duhet të shkosh. Ama disa gjëra duhet ti kesh parasysh.
Së pari se televizioni nuk është i yti. As i atij me të cilin do kuvëndosh. Madje as i pronarit. Televizioni është i publikut.
Gjatë menderbisedës, edhe pse je tyç, që të dukesh sa më interesant, sa më i ditur, hidhu degë më degë, hallakate sa më tepër muhabetin.
Duart tregoji në atë mënyrë dhe mbaji në atë pozicion që gjindja që t'i ka ngulur sytë dhe po të ndjek të sigurohet se duart nuk i ke të palara, nuk i ke të përgjakura, nuk po krruan me to ndonjërën nga vrimat, nuk i ke zgjatur diku për të vjedhur diçka.
Mos thuaj kurrë “Kjo pyetje më pëlqen”, “Kjo pyetje s’më pëlqen”, “Kjo është pyetje e mirë” etj, etj. Pyetja nuk është e jotja. Pyetja është e tjetrit tyç, atij që po të pyet, e Tul Tangulit. Tanguli mban vetë përgjegjësi për pyetjen.
Përgjigja është e jotja. Për përgjigjen kujdesu. Ama nëse pyetjen nuk do ta bëjë Tul Tanguli por Tub Taplasi, mendohu pak para se të përgjigjesh. Por pyetjen mos ia paragjyko. Se derrat e divanit që po të ndjekin duke gromësitur, kaq gjë e dinë, këto gjëra i kapin. Sado të thuash ti; "Hë mo se televizioni është sipërfaqsor, përtyp e flak si çamçakizi është”, gromësimtarëve nuk ua hedh dot. Janë të pajisur nga Zoti me ca ndjeshmëri të pagabueshme.
Kurrë mos nis të përgjigjesh duke thënë; “Së pari do desha të….”. Së pari e së treti e së pesti shko shiti tjetërkund. Tanguli, Taplasi, Tafuti, Taqiti, apo të tjerë nuk mund të jenë më tepër të interesuar për broçkullat e tua se për përdredhjet e veta.
Për ndonjë gjë që nuk e di, thuaj nuk e di, se s’bëhet qameti. Në fund të fundit të squtët e dinë sa budallej janë tuhafët, budallenjtë e dinë sa bosh janë të squtët. Po fole edhe për ato që nuk i di, i ke të mbyllura shtigjet e lavdisë të cilën aq shumë e do e aq tepër lodhesh.
Mos mbaj letra përpara demek sikur ke ardhur i pajisur, i armatosur. Po mbajte letra përpara, teleshikuesi do të të harrojë ty, do ua mbërthejë sytë letrave të tua, do i turbullohet mendja se mund t'i duken letra dashurie, apo dhe më keq, letra anonime.
Mund të ndodhë që në ndonjë moment të ndjehesh ngushtë, të mos dish nga t’ja mbash. Bëj kujdes. Ata të divanit mbajnë gjithë kohën në dorë një bombë që quhet telekomandë. Po të ngecësh, ikin, të harrojnë, ndërrojnë kanal.
Po deshe të më futësh në dhé të gjallë thuaj, “Për mendimin tim” dhe “Të them të drejtën”. Se po the këto, del sikur deri në atë moment për ty ka folur një tjetër, dhe ti deri në atë çast ke gënjyer.
Sakën se thua “Faleminderit” në fund të bisedës. Kurrë dhe askujt. As Tafutit, as Taqitit, dhe askujt tjetër nga korifejtë e banakëve. Po falenderove, do ta bësh lesh arapi. Falendero njëri, falendero tjetri, askush nuk merr vesh cili ishte nderi, kush dhe kujt ja bëri, ç'kuptim pati pjerdhja mediatike që sapo ndodhi, pse qe e nevojshme shurra komunikative që sapo rrodhi.
Prill 2020



















