Pse nuk duhet t’i bashkohemi "korit anti Trump" - Nga Genc Tirana
Genc Tirana
Presidenti aktual i USA e ka emrin Donald Trump. Shumë prej kundërshtarëve të tij përfshirë dhe një pjesë të shqiptarëve, duket sikur nuk e besojnë ende se ky është presidenti i zgjedhur nga amerikanët dhe u duket sikur po shajnë një individ të parëndësishëm.
Epoka e disa dekadave më parë kur Shqipëria kosiderohej “shkëmb graniti në buzë të Adriatikut” dhe kur mediat e regjimit botonin në faqe të parë karikatura të presidentëve amerikanë duke i përqeshur si Daj Sami ka perënduar një herë e përgjithmonë. Për fatin tonë ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi aq të fuqishëm sa të sulmojmë të fortët, gjë që kërkon të organizohemi më mirë në mbrojtje.
Sharjet kundër Presidentit Trump nisën pas 2016 nga liberalët dhe mediat e financuara nga grupet dhe individët me influencë dhe interesa të caktuara por u përhapën shumë shpejt si një modë që nuk ka përmbajte në modelin që ofron.
Qysh në fushatën elektorale në mbështetje të Hillary Clinton, këngëtari Jay Z e etiketoi Trump-in në publik si “motherfucker”. Më pas, mjaft individë të njohur në Hollywood, si Robert De Niro që në tre fjalë për Trump dy i ka “fucking, fucking”, i kthyen në modë sharjet ndaj presidentit.
A është e ndershme, etike apo në interesin tonë si shqiptarë që t’i mbajmë iso këtij kori?
Duke nisur nga fundi, duhet thenë se nuk është aspak në interesin tonë që të shajmë Presidentin e Amerikës, kushdo që të jetë ai. Fati e desh se ne e nisëm keq këtë gjë qysh në zgjedhjet e fundit presidenciale kur Edi Rama u prononcua kundër Trump.
Problemi i Kosovës që ka dalë rishtas tani, mundet të kishte qenë më lehtë i zgjidhshëm nëse ne në unison si komb shqiptar të mos bënim dallime në përzgjedhjet që populli amerikan bën për administratën e tij.
Trump është njeri me nerva e me gjak si të gjithë dhe nuk është se rri urtë kur e shajnë. Të gjithë jemi dëshmitarë që ai nuk ka përtuar t’i përvishet të gjithëve që e sulmojnë përshirë gazetarin më ordiner e deri Papën e Romës.
Është e vështirë të marrësh me mend se cili do të jetë qendrimi i tij dhe ndikimi që mund të ushtrojë në politikën amerikane në këtë çeshtje, por një gjë dihet me siguri: kundërvenia që mund t’i bëhet atij nga çfarëdo niveli i shoqërisë shqiptare ndikon jo mirë në përqasjen që do të ketë Trump në këtë çështje.
Pra lobimi ynë do të jetë më i harmonishëm dhe frutdhënës nëse klasa politike shqiptare si dhe shoqëria civile të abstenojë kundërshtarët e Trump e të mos amplifikojë vrerin që vjellin ata. Kundërshtarët e Presidentit nuk na japin gjë ne dhe nuk do mbajnë anën tonë.
Me ndikimin e mediave sociale sot në përpunimin e opinionit publik, shoqëria civile përshirë qytetarët në trojet shqiptare dhe emigracion merr një rol të rëndësishëm në stabilitetin tonë si komb në raport me të tjerët. Pjesmarrja e disa prej nesh në këtë shfaqje të pakëndshme me sharje dhe argumente bajatë për të vënë poshtë Presidentin e Amerikës janë të pandershme dhe jo etike.
Për fat të keq sharjet kundër Trump në Facebook kalojnë pa doganë. Madje dhe kur nuk e shajnë por përpiqen ta kritikojnë apo ta denigrojnë mjaftohen vetëm duke postuar një link apo poster të prodhuar nga kundështarët patetikë të Presidentit dhe e shoqërojnë me ndonjë shënim të shkurtër aspak bindës, si në rastin e posterit me bidona dizinfektanti që pashë diku.
Kritika ndaj Presidentit të Amerikës nuk bëhet me sharje apo dy fjalë të shtuara në një fabrikim të dikuj tjetër. Lexuesi sot është i kualifikuar dhe nuk duhet trajtuar si naiv. Gjithsecili nxjerr konkluzione vetë kur lexon dikë që shkruan për fakte të verifikuara nga më shumë se një burim, citon atutoritete që janë më kompetentë në këtë fushë dhe nxjerr konkluzione të barazpeshuara pa ofenduar dhe lënduar njeri.
Çeshtja është se këtë nuk e kuptojnë kështu të gjithë. Disa kohë më parë mbaj mend mirë dikë që shkruante në Facebook “e më se Trampi karafil është”. Është për të qarë e për të qeshur por duke e etiketuar Trumpin si “karafil” nuk do të thotë se ke arritur të bindësh lexuesin se sa i keq është presidenti i Amerikës.
Madje ky nuk është si ai Karafili me kobure te Kodra Kuqe që jemi mësuar të shohim ne nëpër filma. Trump-i është karafil që me një urdhër ekzekutiv i hedh nënën e bombave dhe tomahokët në kokë atij që guxon të vrasë një qytetar amerikan apo helmon me gaz fëmijët. Ditën tjetër ai di të ulet edhe në tavolinë me diktatorë dhe të bisedojë. Presidenti i Amerikës ka kompetencë ekzekutive të madhe dhe fati e deshi që Trump po e përdor këtë kompetencë për mirë.
Shumë herë kur lexoj prononcime anti Trump që vijnë nga ata që jetojnë në trevat shqiptare apo në diasporën tonë në Europë me vete i justifikoj duke menduar se janë të keqinformuar. Me sa duket në Europë audienca më e madhe ndjek CNN apo media të tjera që 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës çirren kundër Trump.
Propaganda është mjet i fuqishëm dhe nuk është për tu çuditur që ndikon në këtë rast. Ajo që më bën përshtypje është fakti kur ndeshem me sharje e shfryrje ndaj Presidentit të Amerikës nga ata që jetojnë në Amerikë që kanë akses në media të tjera alternative.
Nuk duhet harruar se në kohën e Obamës qytetarëve amerikanë u priteshin kokat publikisht nga brigandët dhe ISIS shtrinte territoret. Trump nuk është politikan siç edhe e kritikojnë disa por fitoi popullaritet pasi përdori gjuhë të drejtpërdrejtë dhe jo të përdredhur politikanësh të shitur.
Politikanët e establishmentit ishin ata që lejuan eksodin e teknologjisë, fabrikave dhe punëve në Azi duke mbushur xhepat e miliarderëve dhe tkurrur klasën e mesme dhe njerëzit e punës.
Trump i ka dalë në mbrojtje qytetarëve të tij e për rrjedhim dhe atyre shqiptaro-amerikanë si përsa i përket sigurisë ashtu dhe punënimit të tyre duke bërë përpjekjet maksimale për të kthyer punët në Amerikë.
Në rast se mos e dhashtë Zoti Amerika e humb betejën me Kinën që Trump ka nisur me forcë, betejë të cilën duhet të kishin nisur paraardhësit e tij 40 vjet më parë çfarë do të bëjnë shqiptaro-amerikanët? Do të emigrojnë në Kinë?!
Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.ca.