Shqipëria dhe Kosova, “Inçest” apo Bashkim Kombëtar - Nga Artan Gjyzel Hasani
Marrëdhënia politike mes dy Bijave të një kombi të vetëm Amë, Shqiperisë dhe Kosovës, në mënyrë metaforike i ngjan një marrëdhënieje inçesti.
Dhe dihet që inçesti prodhon vetëm pasardhës “gjakprishur”.
Klasat politike të të dy shteteve shqiptare e shesin këtë inçest si një dashuri të madhe dhe të jashtëzakonshme reciproke.
Fjalet “shtet” dhe "qeveri" janë diçka abstrakte, sepse pas tyre qëndrojnë njerëz dhe jo robotë apo pajisje.
Sillni ndërmënd që nga dita e Pavarësisë së Kosovës të gjithë këta njerëz që ne i identifikojmë me emërtesën “shtet” dhe "qeveri", emrat e të gjithë politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit që abuzuan me kauzën e bashkimit kombëtar në çdo mënyrë që u leverdiste.
Pothuajse të gjithë. Njëri më i akuzuar dhe abuzues se tjetri. Engjej djallezore. Djaj engjellore. Horra dhe Heronj, Maskarenj dhe Patriote, Vrasës dhe Të nderuar, Hajdutë dhe Atdhetarë.
Në përfundim askush nuk dihet çfarë është në të vërtetë.
Dihet vetëm diçka: asnjë prej tyre nuk është i pastër.
Dhe vazhdon pingpongu i vlerave dhe antivlerave te pasuesit e tyre andej e këtej kufirit. Dhe zmadhohet përmasa e inçestit e zbret në popull andej e këtej kufirit, në bandat me papion dhe elektoratet përkates.
Një romantikë patriotike e përzjerë me gjykata Hage, varre masive, molotove, duele, akuza dhe luftëra brenda shtepisë, harta banditësh me kostume kryeministrore a presidenciale, predikues dhe agjitatorë dy lekësh dhe treg territoresh nga trungu amtar.
Të gjithë këta shtetarë janë quajtur dhe kanë quajtur njëri tjetrin tradhëtarë të kombit. U bënë palë më krimin dhe të keqen, përkrahën banditë dhe njerëz pa moral kombëtar, përdorën njëri-tjetrin dhe pasuesit e tyre deri në keqpërdorje.
Dhe kjo nuk është romancë patriotike mes të dy bijave, por një raport inçestuoz mes politikanëve andej e këtej kufirit të cilët flasin gjithnjë në emër të kombit.
Kjo maskaradë palaçosh andej e këtej kufirit duhet të marrë fund dhe secili shtet të shohë punën e vet dhe të gjejë të Keqen brenda vetes dhe ta zhdukë atë.
Dhe kjo nuk behet duke duartrokitur Mesitë dhe emrat e përveçëm që shfaqen çdo katër vjet rrugëve apo podiumeve.
Nuk bëhet me idhuj të rremë dhe monumente me bazament rëre, por duke krijuar ekipe TEKNOKRATËSH profesionistë të çertifikuar, udhëheqës me një strategji frymëzuese që t’i ngjasojë një ideologjie dhe feje të re, asaj fesë së njohur të Pashko Vasës.
Kaq e thjeshtë është. Çdo devijim nga kjo është kundër bashkimit kombëtar real.
Që ky inçest të marrë fund e të fillojë një marrëdhënie e re dhe normale që do të kurorëzohet me bashkim kombëtar duhet që të dy shtetet bija, Shqipëria dhe Kosova të bëjnë Political Distancing.
Pa vetëviktimizimin dalëboje dhe shqiponjat patetike të duarve, të lënë njëri tjetrin të rriten fiziologjikisht dhe te mos sillen si dy kurva idiote dhe as si tutore te fishkura.
Të arrijnë moshën e pjekurisë jashtë interesave personale të karrierës së drejtuesve të tyre dhe larg inkubatorëve të huaj dhe vetem pastaj do të shkrihen natyrshem në një të vetëm, jo si dy partnerë dysheku, por si dy gjymtyrë të të njëjtit trup që përqafojnë Amën.





















