Pa Bejlerë do ngordhni! - Nga Edison Ypi
Si jemi katandisur, s'ka kush na sjell një gotë ujë! - vuri kujën nëna e Eqerem Bej Vlorës kur u kishin mbetur 15 hyzmeqarë, aq sa Bejlereshës mund ti sillnin jo një gotë por krejt Vjosën.
Kaluan 20 e kusur vjet.
Hyzmeqarët e bejlerëve u bënë ministra dhe nëpunësa.
Bejlerët e hyzmeqarëve përfunduan nëpër burgje dhe pushkatime.
Kuja e Bejlereshës kishte qënë profetike.
Pa bejlerë, pa hyzmeqarë, pa gota, pa ujë, pa asgjë prej gjëje, Shqipëria u bë e tëra shkretëtirë.
"Bejlerët dhe Agallarët" në veshët e shumicës së shqiptarëve të sotëm tingëllon si "djajtë dhe xhindët".
Po cilët ishin, në të vërtetë, bejlerët e Shqipërisë?
Ishin "barinjtë" më të mirë të Historisë së saj.
Të vetmet infrastruktura urbane për së mbari që i përdorim ende sot, administratë dhe rend publik serioz, i bëri një Bej, që qe edhe Mbret.
I gjithë mendimi iluminist është përpunuar dhe përcjellë prej Bejlerëve.
Pothuaj të gjithë rilindasit shqiptarë ishin Bejlerë.
Poeti më i madh rilindas ishte një Bej.
Eqerem Bej Vlora ishte eruditi dhe atdhetari më i madh i kohës së vet, dhe një nga më të mëdhenjtë e Historisë së Shqipërisë.
Dëshmitë historike më të besueshme për individët dhe situatat më të vështira të periudhës më problematike të Shqipërisë moderne, i ka dhënë pikërisht Eqerem Beu.
Konservativi më i ndritur, i biri i Bejlereshës së kujës profetike, deputet i Partisë së Mbretit, pranonte dhe respektonte gjithçka institucionale, edhe harbutërinë në Parlament.
Eqerem Beu, vendin e tij dhe popullin e tij, i donte dhe i sundonte.
Ta sundosh atë që do, dhe ta duash atë që sundon, për shumicën e shqiptarëve të sotëm, është paradoks, nuk bën sens. Derisa pohimin e mësipërm ta kuptojnë dhe ta pranojnë, shqiptarët do vuajnë.
Shqipëria ka nevojë për barinj të mirë, pra për bejlerë.
Kot lodhen parellinjtë e sotëm t'i konkurrojnë Bejlerët. Nga Eqerem Beu tek gjyshi im që e ka mbushur Shqipërinë me kopilat e tij, janë të pakonkurueshëm.
Para se ta pushtonte hordhia e komunistëve, në raport me popullsinë Shqipëria kishte aq Bejlerë, Agallarë, Zotërinj, fukarenj, hyzmeqarë, sa kishin të gjitha vendet përreth saj.
Pa u rivendosur ky raport, s'bën hajër Shqipëria.
U bëtë të gjithë hyzmeqarë dhe të gjithë bejlerë. I provuat të dyja, dhe përpikmërisht sipas Kujës Profetike të Bejlereshës, nuk i dhatë dot asnjë gotë ujë njëri-tjetrit.
Pa Bejlerë, ju hedh në erë tritoli, ju grin korrupsioni, ju përpin fukarallëku, ju zhduk krimi në familje. Pa Bejlerë nuk mund të arrini kurrkund. Pa bejlerë do kalbeni. Pa Bejlerë do ngordhni.



















