Një cigare hashash për të fituar sërish zgjedhjet - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini
Hashashin, që sot po e luftojmë për ta çrrënjosur njëherë e mirë nga vatrat tona, dikur populli ynë patriot e përdorte si bimë medicinale, për të vënë në gjumë foshnjat.
Ime gjyshe më tregonte dikur se ngaqë nuk kishin ku t’i linin fëmijët e vegjël, ndërsa vetë punonin arat dhe merreshin me punët e fshatit, u jepnin pak hashash që e zienin si çaj dhe ata flinin top, si qingja.
Disa ditë më parë edhe Kryeminisri ynë fejsbukor Z. Rama, në krah të ambasadorit të BE-së Soreca, shpalli nismën e tij për të legalizuar hashashin për “qëllime mjekësore”. Madje Kryeministri ynë deklaroi se është konsultuar edhe me ekspertët e BE-së për ketë.
Soreca i zënë “gafil” nga kjo deklaratë, e kaloi në heshtje, por pasi u “konsultua” me eprorët e vet bëri mënjanë duke thënë se as BE apo ekspertët e saj, nuk janë fare të përfshirë në këtë histori… ia la Ramës në derë “dobiçin hashash”.
Për t’ju freskuar pak memorien, ishte vetë Rama që në 2016 bashkë me ministrin e tij më te “suksesshëm” Tahiri, para ambasadorit amerikan Lu, deklaronte se luftimi i narkotikëve është një histori suksesi për qeverinë e tij.
Ambasadorët me z. Donald Lu në krye, të “magjepsur” nga “suksesi” i Vetting-Reformes në Pallatin e Drejtësisë, nuk i shihnin fare fushat me kanabis që gjelbëronin anë e mbanë atdheut tonë të dashur si për t’i bërë ca fresk e për t’i larguar vapën reformës.
U desh guximi i një oficeri policie, Z. Zagani dhe karabineria italiane, që do t’ia nxirrte petët lakrorit, duke çuar ministrin Tahiri nga më i “sukseshmi” në të pandehur e më pas të dënuar nga kjo “histori suksesi”!
Por tonelatat e drogës që lulëzuan si bimë medicinale në atdheun tonë të dashur, do të jepnin frytet e tyre edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 që gazeta gjermane “Bild” i telefosi me publikimet e përgjimeve skandaloze.
E përfshirë në tendera e P.P.P të e dyshimta që janë sot objekt hetimi i SPAK-ut, a mos valle kjo cigare hashash që po ndizet para zgjedhjeve do të jetë mjeti që do t’i bejë “high” apo “dunup” zgjedhësit dhe do mbushë më vota shportën e Rilindjes?
Me një lider që ka në dorë gjithë institucionet dhe me një parlament ku opozita e blerë gjysëm analfabete u bë gazi i botës, nuk është aspak e vështirë që Rama jo ligjin për legalizim e hashashit, por edhe po të donte të ndryshonte statusin nga Kryeministër fejsbukor në Naltmadhnia e tij Rama i Parë do qe fare e thjeshtë ta bënte.
Protestuesve opozitarë policia rilindase u hidhte gaz lotësjelles, ndërsa protestuesit paqësorë në ditën e Europës i ledhatoi me kërbaç dhe i tërhoqi zvarrë si për t’i përmendur se ëndrra europiane e shqiptarëve kalon nga vullneti i Ramës së Parë.
Pandemia COVID-19, ku virusi del xhiro vetëm kur e lejon Naltmadhnia nga Surreli, përzier me avujt e hashashit dhe me disa ambasadorë që i bëjnë fresk duket se do të jetë pejzazhi i zgjedhjeve të afërta.
Filozofi i madh Nitche ka shkruar se “nëqoftëse të gjitha lëmoshat do të jepeshin për mëshirë, të gjithë të uriturit do të vdisnin urie”!
A duhet te presim që lirinë tonë të na e japin si lëmoshë para zgjedhjeve?



















