Blog

"Atdheu pa tabu" - Nga Artan Gjyzel Hasani

“ATDHEU" është laboratori ku ata bëjnë eksperimentet

në një epruvetë futën injorancën tonë dhe djallëzinë e tyre

i përzien bashkë ideologjitë vrastare dhe filozofitë mashtruese

lugën e florinjtë me çeqet e bardhë, pak bar dhe marihuanë

Doruntinat e Rozafat, Argjirotë, Mujët, Halilët dhe Kreshnikët,

Skëndërbetë dhe Terezat, me varfanjakët anonimë që zhgrryhen te tezgat

Njeriun e Ri dhe enverët e vegjël me lypsarin me Iphone

barngrënësit me postkomunistët,

lum si ne bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë

e që receta të ishte e plotë

edhe pak teatër kukullash të majta e të djathta

dhe pastaj na urdhëruan të gëzohemi

për ngjyrën e bukur të qelqit të ylbertë

dhe haj berihaj…

hosanna…hosanna…

dinin vërtet diçka më shumë ata që thanë

“sh.k.ë.r.dh.e.j.u nënën të të thonë baba”…

 

Ne jemi

një tufë delesh e gomerësh,

batakçinjsh e të pandershmish

Injorantësh e të pacipësh,

egoistësh e intrigantësh,

hipokritësh e të pabesësh,

vrasësish e halabakësh,

të korruptuarish e hajdutësh

teveqelësh që për hunde na tërheqin

ankimtarësh patetikë legjendaromitikë

pordhacë e frikacakë njëkohësisht,

përderisa prodhojmë pambarimisht

plehrat që historikisht na udhëheqin…

 

Kjo tufë jemi akoma unë dhe ti

trushplarë nga e njëjta vorbull

jemi militantë skizofrenë partish…

numra rendorë në listat zgjedhore…

ne jemi elektorat …

tufë që prodhon idhuj të rremë

 

ATDHEU është bërë si ne…

ATDHEU s’ka atdhe

e për fat të keq

nuk ka as popull…

 

(fragment nga poema "Atdheu pa tabu")

©artangjyzelhasani