15 banorët e Botës së Çuditshme – Nga Jeta Dedja

- Nga: Jeta Dedja
Një herë e një kohë në një botë të çuditshme të krijuar nga s’di se kush, jetonin 15 qënie, le të themi njerëzore. Këta mendonin se ishin të vetmit në atë botë dhe përpiqeshin të mbanin lidhje me njëri-tjetrin e të kuvendonin online përmes një programi, të cilit ia kishin frikën për çështje sigurie. Prandaj përdornin nofka, jo emra të vërtetë.
Njëra ishte Lepurushja, tjetri Trapi, i treti Hipokriti, i katërti Gomari, i pesti Miushi, i gjashti Askushi, i shtati Debilushi, i teti Teknologu, i nënti Mr. Dollari, i dhjeti Kaqoli, e njëmbëdhjeta Tyryfyçka, i dymbëdhjeti Numërori, i trembëdhjeti Babuçi që nuk e fliste dhe aq mirë shqipishten, gjuhën e Botës së Çuditshme, e katërmbëdhjeta Zysha. Kjo e fundit i shërbente me përulësi banorit të 15-të, shef Qesharakut dhe zbatonte me lezet çdo direktivë të tij.
Një ditë të bukur ndodhi "Gjëma". Bota e Çuditshme e 15 banorëve u trondit. Disa banorë të tjerë ishin ngjallur dhe ishin vënë në kërkim të këtyre të Botës së Çuditshme, se për t’i futur një dru të mirë, se për t’u kërkuar ndihmë, se për t’u tallur keqazi me ta këtë nuk e kishin sqaruar.
Ata të 15-tët nuk i zinte vendi.
-Çfarë do bëjmë o banorë? Jepni mendimet tuaja-me këto fjalë nisi takimi virtual në datën 17 Maj 2117, ora 17:17.
-Të dashur nxënës, oh më falni se e kam sëmundje profesionale, të nderuar kolegë dhe miq, le të konsultohemi me Shef Qesharakun njëherë. Ai i di mirë këto punë-u përgjigj me zell zysha.
-Unë s’kam asnjë shef, jam i pavarur-foli Teknologu.
-Ashtu është Teknolog- ia ktheu zysha. Ne jemi si ata Këshilltarët e Urtë të Botës së Parë. Ne udhëhiqemi nga interesi i përgjithshëm. Apo jo Shef Qesharaku?
Shef Qesharaku nuk ishte në linjë, ose thjesht ndiqte bisedën në skuthëri.
-Mua të ngjallurit nuk më trembin. Janë ende të topitur- tha Babuçi, me atë shqipishten e tij rraka-zhdraga, i ndihmuar të kuptohej nga Zysha.
-Unë them ta lëmë këtë Botën tonë të çuditshme dhe të ndërtojmë një Botë të Re - dha një ide Trapi.
Zysha brofi menjëherë nga kolltuku ku kishte rehatuar prapanicën e saj dinake.
-O Trap, a e kupton ç’po thua? S’je në vete fare. Si do i lësh gjithë këto të mira që ke? Udhëtime, hotele, prestigj, emër, ku i dihet dhe parlamentin tonë do kemi një ditë. Duro o trap mos merr zjarr. Si të hidhemi drejt asgjësë? Dëgjoje zyshën, me qetësi dhe maturi! Unë vdes për botën tonë të çuditshme, jap jetën, jam atdhetare e flaktë. Më besoni! Mbani mend si u hodha për objektet e kulturës sonë të madhërishme. Por ne duhet të jemi të bashkuar, në një qëndrim, apo jo Shef Qesharak?
-Hehe hahaha hihihi zyshe - u shfaq më në fund në bisedë Qesharaku, dhe si gjithmonë duke qeshur. -Mos çani kokë fare. Ne do të vazhdojmë takimet tona, rolet tona, përgjegjësitë tona. Ju do vazhdoni të jeni përfaqësuesit e popullit që s’ju njeh hiç për të tillë, e as unë nuk e lë karriken e shefit për ca të ngjallur që bëjnë zhurmë atje poshtë. T’i bien qemanes ata. Atë punë do bëjnë edhe për një shekull tjetër.
-Sa bukur ke folur Shef Qesharaku. 10-të. Uh më fal, harrova që s’je më nxënës. Ca huqe dalin me shpirtin-ndoqi bisedën pas shefit si gjithmonë zysha.
-Më falni shumë që po kundërshtoj, por është e drejta ime të flas dhe të them mendimin tim të kundërt me tuajin, jo se dua t’ju ndryshoj mendjen, apo të ndikoj tek opinioni juaj, apo të marr 10-të, por dua të them se unë mendoj që ju mendoni se unë mendoj që kjo bota jonë është vërtet e çuditshme, kaq kisha”- e mbylli fjalën e saj Tyryfyçka.
-Po moj Tyryfyçkë, bravo, ja kjo është kulturë. Të thuash mendimin tënd pa droje. Si Tyryfyçka duhet të jeni të gjithë!- deklaroi me shkrim dhe me gojë shef Qesharaku.
-Ah boll me këto lëvdata. S’jemi këtu për lajkatime. Ju lutem shumë kam një karrierë të gjatë në çdo fushë. Le të mbështesim sivëllezërit tanë të ngjallur. T’i falenderojmë që u zgjuan. Dhe t’u japim çfarë duan. Ky është mendimi im. Dëgjo, shef Qesharaku, po s’të pëlqeu mendimi im, unë mund ta rishikoj. Se unë dua ta kemi mirë bashkë - i shkruajti në chat privat shefit, Hipokriti.
-Hej shokë nuk kam kohë të rri në chat gjithë ditën. Më thoni sa dollarë ju duhen kur të mbaroni, nëse do konkludoni për ndonjë gjë me vlerë. Auf Wiedersehen- iku rrufeshëm Mr. Dollari.
-Ah, çfarë njeriu fantastik është Mr. Dollari. Nuk ka të dytë si ai. Fisnik, i mençur, fjalëpak, na i zgjidh hallet. Le ta mbajmë shok,- porositi zysha, -Mos e mërzisni asnjëherë Mr. Dollarin, thuajini gjithmonë “Po” dhe “ke të drejtë”. S’ju kushton asgjë të jeni interesaxhinj dhe praktikë. Ah, dhe që të dukeni sa më miqësorë, kërkojini mendim, gjasme konsultohuni me të.
-Mirë zysha-pohuan në kor 13 kokat e mbetura të Botës së Çuditshme.
Por Kaqolin nuk e mbante vendi. Edhe donte të fliste, edhe s’ia mbante. Sa i pasigurt ishte! Donte të thoshte diçka të mençur, por s’po gjente asgjë në Google. Ok, do e them - i dha guxim befas vetes.
-Hajdeni e mbyllim komunikimin tonë këtu, se nuk ka më kuptim ky organizimi jonë.
-Pseeee? Oh jo Kaqol, mendohu kur flet. Mos harro qëllimin tonë. Ne jemi bashkë të mbajmë lart flamurin e Botës së Çuditshme. Ne përfaqësojmë gjithë ata që janë nëpër botët e tyre që neve në fakt nuk na intereson ku janë, por ama ne i përfaqësojmë ata.
-As atyre s’u bëhet vonë për ne - shtoi me zë të ngjirur Gomari.
-Mirë o zysh, po tërhiqem - u shpreh me dyzim ende Kaqoli. Ndërkohë që i shkruante në chat zyshës: “Shyqyr që nuk e hodha në FB statusin që do hiqja dorë. Megjithëse, kujt i plas për ne.
-E sheh sa mirë bën kur flet me shokët. Bravo Kaqol. Kështu vazhdo - inkurajoi Zysha.
Lepurushja, Miushi, Askushi, Debilushi, Gomari dhe Numërori, iu përgjigjën me figuriçkën “Dashuri” reagimit të fundit të zyshës, e cila edhe njëherë e tregoi veten sa e aftë ishte të punonte për interesin më të lartë të saj, që përputhej gjithmonë me interesin e shef Qesharakut.
Ndërkohë, Shefi u dha një detyrë banorëve apo Këshilltarëve të tij, siç i leverdiste t’i quante, që të përgatitnin një deklarate për t’ua postuar atyre të ngjallurve që u ishin vënë pas.
Vetëm zysha mbeti në dhomën virtuale me shef Qesharakun.
-Aman o shef, të më besosh sa e sëmurë që jam. Nuk e lë dot grupin dhe Babuçin pa ndihmuar. Ai i ziu nuk di të shkruajë mirë, ka nevojë për edukim special dhe unë jam shumë e specializuar në linguistikë qëkur kam ndjekur ato bursat e famshme imperialiste që shefat e dikurshëm me bujari të madhe mi ofronin. Më donin të trajnuar mirë e mirë për këtë ditë të madhe. Ja kështu siç më ofrove edhe ti me bujari këtë rol që unë me përgjegjshmëri të lartë dhe frymë vullnetare e ushtroj.
-E di zysha e di. Ke sakrifikuar gjithë jetën tënde për idealet e shefave që janë përputhur gjithmonë ama me idealet e tua-tha me ëmbëlsinë e tij karakteristike shef Qesharaku.
-Po o shef Qesharak, ja sa mirë më kupton. Unë nuk do ta braktis asnjëherë misionin që më ke ngarkuar ti. Do ta mbaj ngritur përgjithmonë moralin e Botës së Çuditshme e nuk do lejoj asnjë të ngjallur nga bota jonë të na prishë planet.
Me një ngërdheshjë qëndisur në portret, shef Qesharaku pyeti në formë urdhërore për herë të parë:
-Banorë, e përpiluat deklaratën?
-Si urdhëron Shef Qesharaku-u duk sikur blegëruan qëniet njerëzore.
-Ok, ma bashkangjisni dhe do ta shoh me vëmendje me Zyshën.
Babuçi po gërryente veten nga xhelozia. Kishte bërë çmos të ishte i preferuari, por kjo zysha, që gjasme hiqej si ndihmëse e tij, ia kishte futur.
-Jeni të lirë të vazhdoni jetën tuaj tani. Pata moj Pata, shpërndahuni! Hahaha mu kujtua Fatbardh Pikaloshi, na e vinin ata të pavionit çdo të diel- sqaroi Qesharaku.
-Shef Qesharak doje të thoje ata të Televizionit- ndërhyri Zysha.
-Hmmm, po po sigurisht.
E me kaq banorët u shpërndanë në cepat e Botës së tyre të Çuditshme. Shefi mbeti me Zyshën për ca minuta më tepër në privat. Do rishqyrtonin akoma deklaratën që do t’u postonin atyre të ngjallurve.
Por a kishin menduar vallë ata se të ngjallurve nuk u interesonte hiç deklarata e 15 banorëve të ngordhur??
Ata ishin tashmë pas derës…
P.S. Çdo ngjashmëri me persona realë apo situata është krejt rastësore.
21 Maj 2020
©JD