Blog

Fuqia e të rinjve - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

52 vjet më parë, në Majin e 1968-ës, gjithçka filloi si diçka e vogël dhe e izoluar, por shumë shpejt përfshiu gjithë Francën. Mbi 11 milion francezë mbushën sheshet dhe paralizuan gjithë vendin. Ishin kryesisht të rinj, nxënës shkollash e mësues, studentë e pedagogë, punëtorë sindikalistë, të gjithë të lindur pas luftës. Pati përleshje në rrugë me forcat e rendit, të plagosur e të burgosur, shoqëruar me shumë dëme materiale.

Presidenti Charles de Gaulle, heroi i rezistencës antifashiste dhe themeluesi i Republikës së 5-të, shpërndau pa mëdyshje Asamblenë Kombëtare dhe shpalli zgjedhjet e parakohëshme. Ndonëse partia e tij qeverisëse siguroi 38% të votave, ai dha dorëheqjen dhe u tërhoq në jetën private për të kaluar vitet e fundit të jetës në fshatin e tij të lindjes, me amanetin që të varrosej aty pa ceremoni zyrtare.

Ka patur shumë interpretime për thelbin e vërtetë të kësaj revolte mbarëkombëtare mosbindjeje civile, që jo vetëm tronditi strukturën sociale të Francës, por pati edhe jehonë në shumicën e shoqërive të përparuara perëndimore, përfshi edhe SHBA-në, që aso kohe ishte në telashet e luftës të Vietnamit.

Për mua ajo ishte një përplasje brezash. Në vitet ’60-të shoqëritë perëndimore ishin ende tejet hierarkike, të ngurtësuara e plot tabu. Të rriturit vendosnin të gjitha rregullat dhe të rinjtë nuk kishin alternativë tjetër veç bindjes ndaj tyre. Autoritarizmi dhe anti-autoritarizmi u përballën dhunshëm në fabrika dhe universitete, në shkencë dhe në art, bile edhe brenda familjes. Rinia po vinte në pyetje strukturën e shtetit dhe të vetë sistemit kapitalist.

Ndonëse shumë nga aspiratat e lëvizjes nuk u realizuan, shoqëria franceze, pas saj, nuk ishte më si më pare; transformime të pakthyshme kishin ndodhur dhe të tjera do të pasonin në vitet më pas. Mbi të gjitha lëvizja rinore evidentoi forcën e një populli të përgjumur që, kur zgjohet dhe ndërgjegjësohet për gjendjen në të cilën ndodhet, merr përpara çdo gjë të vjetër, të kalbur dhe jofunksionale dhe e hedh në koshin e Historisë.

Po ne shqiptarët, çfarë do të bëjmë?

Edhe ne e patëm Dhjetorin tonë të 1991, por rinia e asaj kohe nuk e shpuri dot deri në fund projektin e nisur nën sloganin - “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Lëvizja studentore u sabotua nga krerët partiakë të kohës që, ose ishin të infiltruarit e regjimit të vjetër në lëvizjen studentore, ose u mungonte përvoja dhe sakrifica e nevojshme.

Sot, pas 30 vitesh, kemi përballë Narko-Shtetin, një Parlament dhe Qeveri të inkriminuar, një administratë xhahilësh militantë, shkolla e universitete që lenë shumë për të dëshiruar, një informalitet dhe korrupsion galopant dhe një polarizim të frikshëm social, shoqëruar me braktisje masive të vendit. Po fjetëm gjumë do të vdesim, këtë na mëson historia e popujve të tjerë.

Mesa duket puna e lënë përgjysëm nga rinia e asaj kohe duhet rifilluar, por kësaj here nga rinia e sotme, shkollore e studentore, e pandikuar nga partitë politike të të gjitha krahëve, që janë të diskredituara dhe përgjegjëset kryesore të kësaj gjendje agonie të stërgjatur 30 vjeçare.

A mund të dilet nga ky ferr social? Nuk e them dot me siguri, ndonëse jam shumë pesimist. Veç di të them se duhet dalë me çdo kusht. Nëse jo, na pret fati i muhaxhirit nëpër rrugët e qyteteve të Europës.

©Klodi Stralla