Kur shpërfillen institucionet duhet të shprehet sovrani popull - Nga Arben Braçe

Arben Braçe
Kur dikush e pyeti Fyhrerin se cilët i ishin dukur njerëzit më të neveritshëm që ka ndeshur gjatë karrierës së tij, ai me të drejtë iu përgjigj: “Të gjithë ata që kur i kam pushtuar, negociojnë me mua kundër interesave të vendeve të tyre”. Pa dashur të lëndoj kënd për mendimin “ndryshe”, por edhe ata që këto ditë kërkojnë të na paraqesin argumenta “bindëse”, për shëmbjen e Teatrit Kombëtar, në dëm të interesave të trashëgimisë së tyre, (tonë) të përbashkët kulturore, duken njësoj sikur personazhet e mjerë, të atij që preku madhështinë dhe mjerimin më të madh njerëzor, mesisë së dhunës, shkatërruesit të Europës.
Teatri Kombëtar, objektet e kultit, Kompleksi i Universitetit të Tiranës, Ministritë, Bulevardi Kryesor, Kulla e Sahatit dhe shumë objekte të tjera të ndërtuara gjatë periudhës Ilire, Perandorisë Romake, Bizantine, Osmane, Monarkisë si dhe gjatë pushtimit Italian, por edhe disa ndërtesa të veçanta të ngritura gjatë sistemit totalitar, janë objekte që nuk ka nevojë të krijojmë debat partiak për ruajtjen apo jo të tyre. Për fat të keq nuk kemi shumë të tilla. Nga idiotësia jonë, me sy të verbuar nga ideologjia, një pjesë të mirë i shkatërruam gjatë sistemit totalitar dhe një pjesë ia lamë “tregut” për t’i ruajtur. Ato janë vlera të patjetërsueshme që mbartin identitetin tonë në vite dhe për ruajtjen e tyre jemi përgjegjës të gjithë. Deri në atë masë që ne jemi të ndërgjegjshëm, për vlerën e tyre, deri në atë masë, do të jemi në gjëndje për t’i mbrojtur.
Përvoja historike na mëson se ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore ka ardhur përherë nga poshtë lart, sepse cilido që qëndron lart nuk ka se si të tregojë interes për ruajtjen e tyre, sepse ato përbëjnë një vlerë shumë të madhe prej të cilave prodhohen interesa të mëdha materiale dhe përfitime personale. Ato lloj pronash janë gjithmonë në qendër, sepse janë ndërtuar të parat dhe për më tepër duke qënë publike, për ne që vijmë nga kultura totalitare, pronën publike, e konsiderojmë pronë të askujt.
Ai që ka zgjedhur t’i verë kazmën, natyrisht që ka zgjedhur fitimin mbi vlerat e trashëgimisë dhe për këtë është gati të sakrifikojë edhe personalitetin, lirinë e tij në një dorë të vetme…, por çudia është me të gjithë këta të tjerët, që dalin përditë në media plot patos, me argumente anakronike dhe bajate pro shëmbjes…!? I vetmi argument që përdorin pro shëmbjes, për ata është fakti që godina është e amortizuar. Edhe kur i paraqet fakte që vlera e teatrit nuk qëndron tek konsistenca e godinës, sepse edhe Teatrin Bolshoi, alla Scala, Koloseun, Katedralen e Notre-Dame të Parisit, Strasbourgut, Pallatin Mbretëror të Habsburgut, Saint-Brunit, Saint Peterbourgut po t’i godasësh me buldozer bien në tokë, por tek vlera e trashëgimisë kulturore, sepse aty janë luajtur e interpretuar me qindra premiera artistike të shkruara nga dramaturgë të njohur botërorë dhe për pasojë kanë frymëzuar dhe kulturuar gjenerata shqiptarësh. Përmban vlera të tëra historike, sepse aty janë zhvilluar promovime politikanësh që kanë bërë histori, janë zhvilluar gjyqe politike, simpoziume shkencore etj. Është memorie, me pamjen e së cilës janë rritur, dashuruar dhe edukuar me qindra qytetarë…
Gjithsesi, në qoftë se do t’i vësh re me kujdes, një pjesë vërtet nuk kuptojnë, nuk i lidh asgjë me teatrin, nuk kanë qënë kurrë atje, por edhe në qoftë se kanë qënë atje në moshë të madhe, kanë qënë thjesht me trup sepse mendjen e kanë pasur gjetiu dhe flasin për teatrin në gjëndje snobizmi, thjeshtë për të krijuar imazhin e “njeriut të kulturuar, njeriut të kohës”, që përpiqet për të ardhmen e vendit të tij. Me pro-në harbute nuk bëjnë gjë tjetër, veçse paraqesin pa vullnetin e tyre armiqësinë me teatrin, luftën që i kanë shpallur kulturës, pikërisht asaj, ku duan të bëhen protagonistë. Jam i bindur që në qoftë se do të shkosh në terrin e natës t’i shëmbësh teatrin, apo shtëpinë e kulturës së qytetit ku është rritur, padyshim që do të të futë duart në fyt dhe në retrospektivë pa tjetër që do të ishin konservatorë kokë gdhë vlerash edhe për një qymez të thjeshtë pulash, aty ku janë rritur dhe kaluar fëmijërinë.
Ndërsa një pjesë tjetër janë vërtet të rrezikshëm, pragmatistë, të shpifur, të shitur për një kockë, për një kacidhe dhe për një rreckë. Nuk i ka mbetur fije dinjiteti dhe për një kockë, marrin përsipër pa pikën e turpit të mbrojnë absurdin?! Janë produkt tipik i regjimeve që formuan njerëz kukulla, pa personalitet, që kur qëndrojnë në opozitë teatri ka vlera të patjetërsueshme, por që super tjetërsohen kur ata janë në pozitë.
Kjo është kategoria që shikon me shumicë në media që diskuton për çështjen e teatrit. Adhuruesit e vërtetë, protagonistët që i dhanë jetë teatrit dhe kulturës sonë janë strukur, pak nga harresa, mungesa e begenisjes, por dhe nga frika e të trokiturit në derë, pavarësisht se është politika ajo që ka detyrë të krijojë klimën e përshtatshme për zhvillimin e artit dhe të kulturës.
Sidoqoftë në një kohë kur njerëzit kanë humbur besimin dhe pronat e trashëgimisë kulturore shërbejnë për të majmur oligarkët dhe autoritarët, pikërisht atëherë kur shteti ka dështuar në politikën e tij, vetëm plebishiti mund të kthehet në një instrument të rëndësishëm, sepse sovrani përherë ka të drejtën të shprehet, të vendosë, kundër parlamentit dhe qeverisë që nuk kanë përfillur institucionet.





















