Blog

Pandemia, reflektimi dhe banaliteti i konsumit - Nga Dom Gjergj Meta

Në botën e civilizuar, ku ende njerëzit mendojnë e reflektojnë, koha e pandemisë ka sjellë edhe diskutime rreth disa gjërave të rëndësishme të jetës njerëzore.

Është reflektuar rreth jetës, rreth marrëdhënieve ndërnjerëzore, rreth të ardhmes së planetit, të krijimit, të kulturës, librit, universitetit etj.

Kur hap e lexoj në rrjete sociale, por edhe në shtypin e shkruar nuk ka asgjë në gjuhën shqipe rreth këtyre temave. Modestisht mund të them se jam prej atyre që dy reflektime i ka bërë e jam munduar disa t'i ndaj me të tjerët, qoftë në biseda e qoftë në rrjetet sociale ku hera herës jam aktiv.

Sigurisht që kjo mungesë e ka shkakun të varfëria e tejskajshme materiale dhe intelektuale e shumë njerëzve. Po ashtu zaptimi i hapësirës publike nga politika dhe nga shteti ka zbehur apo errësuar çdo përpjekje për një lloj ngritje në lartësitë e mendimit dhe të reflektimit.

Atëherë pyetja është si të ngrihemi nga niveli i stomakut në atë të mendjes dhe të shpirtit. Si të dalim nga një lloj banaliteti, që fatkeqësisht na përfshin të gjithëve, në momentin që bëhemi konsumatorë të papërmbajtur të lajmit të fundit, të debatit politik të ditës, të statuseve "vendimarrëse" të shtetarëve?

Jemi, e do të vazhdojë për shumë kohë, të zhytur në mediokritet intelektual dhe shpirtëror. Mundohemi të rekrutojmë, të formojmë elektorat apo prozelitë, të gjitha shenja të sëmundjes që mbart istinkti i pushtetit brenda nesh, por jo të krijojmë kohezion e hapësira përkujdesjeje, reflekimi dhe diskutimi.

Kthejmë gjithçka në konsum të ditës përderi edhe citimet religjioze e kështu zbrazemi dita-ditës. Edhe festat religjioze na janë kthyer në një pretekst konsumi më shumë se sa një hapësirë shpirtërore. Do duhej së paku këtë hapësirë ta mbanim larg banalitetit dhe konsumit.

Po ndërtojmë një botë dhe një shoqëri në të cilën nuk reflektohet më, ku kërkohet gjithmonë më shumë, pa qenë të gatshëm të japim nga vetja. Modelet që na serviren dhe servirim nuk janë më ato të idealeve, por të fitimit.

Ne duam të kemi gjithçka, pra t'i japim gjithçkaje një çmim që përkthehet në fitim ekonomik ose në pushtet. Atëherë pasojat janë të dukshme. Kur gjithçkaje i vihet një çmim ne humbim lirinë dhe dinjitetin. Për të mos folur për sundimin hedonist.

Pandemia ishte dhe është rasti të kuptojmë se sa pak vlejmë vetëm e sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin. Në rast se nuk e bëjmë me vullnet të lirë, do të ndodhë me pahir, por pasojat nuk mund të llogariten.

Nëse duam të shndërrojmë shoqërinë, nuk ka rrugë tjetër veçse shndërrimi i vetevetes. Ky është procesi më i vështirë, por është parakusht i domosdoshëm që si individë e shoqëri të ngrihemi në lartësitë e thirrjes tonë njerëzore.