Blog

Me Rruspë e Penë për Mëmëdhenë - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Me pushkë e penë për Mëmëdhenë

Kjo qe simbioza e Rilindasve tanë të ndritur. Edhe politikanët tanë kërkojnë shumë të hiqen si rilindas. Madje për të fituar simpatinë popullore PS-ja e Ramës u prezantua para elektoratit si Rilindja e Shqipërisë. Për shembull, Rama si Ismail Qemali, Taulant Balla si Petro Nini dhe Gramozi si Çerçizi.

Pas 7 vitesh qeverisje, po t’i ballafaqosh me premtimet, llogaria nuk del gjëkundi. Pena rilindase e mjekësisë falas eshte zëvendësuar me PPP-të e Vilmës, që ta mat kokën me spango edhe kur nuk bën fare teste. Lëmoshat për të vobektët priten e hiqen nga listat e asistencës, mirëpo mbushen xhepat e oligarkëve, që duhet t’i paguash sa herë ngrenë traun e Rrugës së Kombit.

Qershia mbi tortën rilindase, “Ligji Fusha”. Firma Fusha që me bujari ofron një teatër në këmbim të disa kodrave - kulla që do ishin spektatorët që do duartrokisnin vdekjen e teatrit 80 vjeçar.  Ne asnjë parlament të botës, madje as ne North Korea nuk do gjesh një ligj të tillë si Ligji Fusha, që mori bekimin rilindas.

Për ta bërë realitet këtë ligj duke ecur në gjurmët e rilindasve tanë, rilindasit socialistë në vend të pushkës përdorën rruspën, pasi pena e shkresat nuk mjaftuan.  Teatri i kombit dha shpirt nën rruspat e rilindjes, ndërsa Europa Nostra këtë kasaphanë e krahasoi me Erdoganin e Turqisë, që shkatëroi qytetin e lashtë Hasankeyf.  

Për të ngjarë më shumë me rilindasin Ismail Bej Vlora edhe rilindasi yne u bë deputet i Vlorës, madje la edhe mjekërr të bardhë. Vetëm se ngjashmëria mbeti vetëm te mjekrra, pasi nga akti barbar mbi Teatrin ngjason me “rilindasin” Ismail Kuçi, që për të ndërtuar burgun në kalanë e Gjirokastrës, prishi dantellat e kalasë dhe ujesjellësin, se i duheshin gurët.

Policia rilindase

Sa herë që ndrrohet pushteti, aq herë ndryshojnë edhe drejtuesit, madje deri te policët e thjeshtë. Politikanët e shohin policinë si polici të partisë, jo si polici të ligjit. Po të shohësh ndërhyrjen brutale te Teatri ku u dhunuan artistë e qytetarë, madje edhe gazetarë, bindesh se kjo nuk është policia që duam dhe e paguajmë me taksat tona.

Dikur ministri Tahiri kërkoi që edhe Byroja e Hetimit te varej nga ai… ndërsa gjenerali i sotëm i policisë kërkon nga qeveriparlamenti kompetenca si hetimi dhe përgjimi, që me ligj i ka Prokuroria. Edhe vetë prokuroria speciale “SPAK”, është kundër. Po kush pyet? Rasti i Teatrit tregoi që kur Rilindja jep fjalën, “ther edhe  djalën” pa pyetur për ligj e Kushtetutë.

Opozita e Lulit perballë Rilindjes

“Nuk isha unë dezhurn sot” - tha Monika kur e pyetën pse nuk e mbrojti me trup Teatrin, duke ia lënë Lulit dezhurnin në derë. Nga 17 Maji i marrëveshjes pas çadrës, te 17 Maji kur la dezhurnin për mbrojtjen e Teatrit, z. Basha zhgënjeu edhe një herë mbështetësit e vet.

A mund ta mbronte Basha Teatrin nga shembja? Sigurisht që jo, por do tregonte se është konseguent për fjalën e dhënë. Për më tepër, do fitonte mjaft simpati në popull, pasi po mbronte një kauzë të drejtë. As edhe asin nën mëngë që Meta i dha me demaskimin e reformës, pas dokumentit tronditës që publikoi, ai e refuzoi.

Që Luli i madh i opozitës, mos mbetet Luli i vocërr i Migjenit që pret lëmoshën e radhës nga ndërkombëtarët, i duhet të burrërohet politikisht. I duhet të hapë partinë edhe për “kundërshtarët”, të ndryshojë sistemin zgjedhor në mazhoritar ose lista të hapura, si dhe të kërkojë me forcë votën e emigrantëve. Vetëm vota e emigranteve që nuk e shesin atë për një vënd pune, një thes me miell apo tender, do të nxjerrë në krye të vendit rilindasit e vërtetë!

Dua ta djeg trupn’ e kretë

për atë zotn’ e vërtetë

me zjarr ta djeg mushkrinë

e të digjem për njerinë (Naim Frashëri)