Blog

Sërish do votojmë listën, jo personin - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Sipas shenjave sistemi zgjedhor nuk ka për të ndryshuar. Thënë ndryshe edhe në zgjedhjet e ardhshme do jemi të detyruar të votojmë po këto parti. Sistemi ekzistues dekurajon çdo përpjekje për krijim partish të reja, më pëfaqsuese.

E tepërt të thuash se edhe në zgjedhjet e ardhshme do jemi të detyruar të votojmë lista dhe jo personin që do t’i delegojmë të drejtën tonë për të marrë vendime të interesit komun.

Me një fjalë do votojmë të përzgjedhurit nga kryetarët e partive dhe pastaj do kthehemi të bëjmë sehir gallatën që bëjnë në parlament. Të dhënë pas gallatës, do e vemë dhe s’do e vëmë re batërdinë që do vazhdojë me pronat, tenderat, koncesionet.

Dhe do i japim gajret vetes duke thenë se zgjedhjet, zemereku dhe balanca e demokracisë, vazhdojnë të funksionojnë.

Ka një paradoks çmeritës në gjithë këtë lojë groteske. Fatin e shtetit dhe të shoqërisë vazhdojmë ta lemë në duart e dy partive e gjysëm, grupe të mbyllura interesi që veprojnë si bashkësi tribale.

Të vëna nën thundrën e një kryetari që bën dhe shiun dhe diellin, pa jetë të brendshme demokratike e pa meritokraci, luftojnë e përpiqen për të ardhur në pushtet a, më troç, për të shtirë në dorë vendin me gjithëçka që, pastaj ta shqyejnë si pre dhe ta ndajnë mes tyre, sipas sërës e takatit, thelat politikanëve e oligarkëve, thërrimet militantëve, kurse popullit spektaklet politike të dala boje.

Më shumë se parti politike këto janë grupe tribale të modelit ‘dil, gjuaj, shqyej e ndaj’. Dhe këtu shfaqet paradoksi: presim që këto bashkësi tribale të na sjellin përparimin dhe modernizimin e shoqërisë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Po ta shihnin këtë parodi pleqtë e qëmotit, do shpërvilnin buzët e do thoshnin: mos shpresoni qiqra në hell, po vure prapanicën kuzhiniere, dihet se ç’do të të gatuajë.