Blog

Ja pse i stopuan Vjosën e Albinin, ja pse e rrëzuan cubat Republikën - Nga Xhafer Shatri

Xhafer Shatri

Konkretisht, pse cubat e Kosovës e shkelën brutalisht vullnetin e qytetarëve të shprehur masivisht më 6 Tetor 2019?

Sepse në negociatat e ardhshme, Serbia ka kërkuar me këmbëngulje të ketë përballë njerëz që i ka në dorë!

Sepse një qeveri reformatore rrezikonte seriozisht interesat e oligarkëve të Kosovës, interesat e atyre që ua kanë vjedhur riskun edhe gjeneratave që akoma nuk kanë lindur!

Sepse do të nxirreshin para drejtësisë vrasësit e Behadin Hallaçit, Ahmet Kasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Shaban Manajt, Ekrem Rexhës dhe shumë të tjerëve!

Sepse do të zbuloheshin dhe do të ndiqeshin penalisht ata që i keqpërdorën dhe tjetërsuan Fondin e 3% dhe Fondin Vendlindja Thërret!

Sepse mënyra më e lehtë për ta nënshtruar një popull, është kur atij ia vret shpresën!

Sepse do të futeshin në burg ata që nënshkruan marrëveshje të rrezikshme për Kosovën dhe cënuan seriozisht integritetin territorial të saj!

Sepse, vetëm duke krijuar një atmosferë kaosi, mund të copëtohet Kosova dhe Hashim Thaçi t'i shpëtojë burgut!

Sepse mbajtja e zgjedhjeve do ta çonte rrjetin e Thaçit brenda LDK-së në bërllogun e historisë dhe do ta kthente LDK në shtratin e natyrshëm shtetformues, ndërsa kallam kusurin e partive të tjera të Hashim Thaçit do t'i defaktorizonte si me i shkundë tërmeti!

Sepse do të futeshin në burg ata që shkatërruan Telekomin e Kosovës, KEK-un, Trepçën, ata që shitën asetet e Kosovës dhe i vodhën të hollat e qytetarëve!

Sepse do të demaskoheshin dhe do të dënoheshin ata që shkatërruan sistemin e drejtësisë, të arsimit, të shëndetësisë!

Sepse do t'u konfiskohej pasuria atyre që e kanë plaçkitur buxhetin e Kosovës!

Sepse kapësit e shtetit do t'i provonin prangat në duar dhe burgimin e gjatë!

Sepse Kosova do të çlirohej njëherë e mirë nga cubat dhe shtetrrënuesit e saj!

©Xhafer Shatri