Blog

Bujar Llapaj: Të bëjmë sot më të mirën e mundshme!

Mbrëmë kur po thithja një cigare në ballkon pashë një gjysëm hënë që herë çfaqej herë zhdukej midis reve të errëta dhe direkt më shkoi mendja ta quaj “Hëna hileqare”, por shpejt arsyetova: Nuk ishte Hëna që fshihej por ishte lëvizja e reve që e bënte atë "hileqare".

Dhe po kështu ne shpesh gjykojmë njerëzit, politikanët, lëvizjet e ndryshme shoqërore, etj.

Në Shqipëri shumë aktivistë, analistë, politicistë janë vënë në një "betejë" për ndryshimin e Sistemit Zgjedhor, gjë për të cilën nuk jam kundër, por edhe këtu del qartë niveli shumë "revolucionar" i debatit dhe debatuesve.

Unë personalisht jam kundër revolucioneve dhe revolucionarëve, sidomos në politikë.

Unë jam për Evolucion të politikës dhe shoqërisë. Ua kemi parë hajrin “revolucionit Socialist, Kulturor, Demokratik, Pink” etj. që në shqip përkthehen “Luftë”: klasash, brezash, pronës private, pasurisë publike, historisë, kulturës, vetvetes.

Ka shumë që thonë se “kjo klasë politike duhet zhdukur”!

Mbase e meriton, por si?

Këtu “analistët”, “revolucionarët” vijnë vërdallë nëpër studio, japin “mënd për të tjerët”.

Shumë komode dhe tradicionale: shqiptarët i kanë dhënë mend gjithë botës, bile shumë kryeministra etj, por për vete kanë mbetur tek “dëshirorja” e foljes, jo tek veprorja.

Asnjë sistem nuk është i përkryer, aq më pak një politikan.

Demokracia përsoset nëpërmjet pjesëmarrjes aktive.  Shmangia me pretekstin e “Sistemit Zgjedhor” është dorëzim para realitetit të dhënë.

Opozita në Shqipëri nuk mund të jetë si ajo në Gjermani, dhe Lulzim Basha nuk mund të jetë një “Merkel”, por njëkohësisht nuk është një “EdRama”, pra egziston një alternativë më e mirë.

Kur “Diellit Rama” i kanë mbaruar bateritë dhe gjithçka është në errësirë, refuzimi i një “Hëne Basha” qoftë jo e plotë dhe “hileqare”, por me mundësinë për t’u ndihmuar për të gjetur “rrugën e humbur” në terr, do të ishte një vend-numëro, xhirim në baltë i makinës së demokracisë shqiptare.

Unë jam me parimin oksidental: Bëj sot më të mirën e mundshme me njerëzit dhe mjetet e dhëna!

E nesërmja do të jetë më e sigurt dhe shprësëdhënëse.

©Bujar Llapaj