“Reforma” zgjedhore, marrëveshja e radhës - Nga Afrim Krasniqi
Reformë?
Jo, nuk ka asnjë element për tu quajtur reformë. Është marrëveshja e radhës, në listën e gjatë të tyre në dy dekadat e fundit. Impakti tek zgjedhjet 2021? Nuk ka asnjë garanci se gjërat do të ndryshojnë.
Palët ia besuan zgjedhjet militantëve të tyre dhe eksperimentuan me identifikimin biometrik. Trafiku i votës, ndikimi kriminal, kandidatët e “e fortë”, përdorimi i shtetit në fushatë, oligarkët, listat e emëruara, presioni ndaj zyrtarëve në listëpagesë, etj, nuk u trajtuan seriozisht, nuk morën përgjigjen dhe as zgjidhjen e duhur.
Pas 5 Qershorit liderët e përjetshëm partiakë janë më të fortë, ndërkombëtarët me mandat 3 vjeçar janë më me ndikim, institucionet tona të brishta janë edhe më të dobëta, standardi i zgjedhjeve të lira shtyhet në kalendrat greke.
Bilanci i pazarit të radhës?
Qytetarët e përgjegjshëm duhet të jenë ndjerë të fyer nga pakti që nuk zgjidh asgjë dhe që nuk mori në konsideratë asnjë prej kërkesave thelbësore të shumicës së shoqërisë.
Pakti i palëve për të refuzuar reformën reale, - hapjen e sistemit, transparencën dhe llogaridhënien, është goditje e demokracisë në zemër në emër të stabilitetit dhe ky ishte suksesi i mbrëmjes së 5 Qershorit.
Cilët fituan?
Të gjithë ATA. Militantët ndjehen mirë sepse kanë humbur lidhjet me realitetin, administrata zgjedhore u rehabilitua pasi gjatë viteve bëri me votat gjithçka deshi me përjashtim të numërimit, PS siguroi paqe për pushtetin dhe futi opozitën në sistem duke mos paguar ndonjë çmim të madh, opozita vetëm sa delegjitimoi parlamentin duke i dhënë më shumë pushtet Këshillit Politik sesa atij.
Cilët nuk fituan?
Shteti, shoqëria, kultura e ligjit, institucionet dhe qytetarët e lirë. Mesazhi ka qenë, është e mbetet i qartë: jashtë syve të publikut, pa transparencë dhe llogaridhënie, pa ndjenjë përgjegjësie dhe asnjë shenjë të maturimit politik.
ATA de facto konfirmuan se ndonëse nuk ka zgjedhje të reja, as Rilindje dhe as Republikë të Re, ATA janë e mbeten konsensualisht pengesë (e pakalueshme) për progresin dhe ndryshimin në Shqipëri.
©Afrim Krasniqi





















