Blog

Shihemi te brryli - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

“Po puna e komisarit ishte lojaaaa”-tha Ndrek Luca në rolin e kapterit kur gënjeu ushtarin besnik te idealit Skënderin.

Mjafton të shohësh kulisat apo gjuhën e trupit të politikanëve tanë, për të kuptuar që sherret e tyre që duken sikur do shqyejnë njëri-tjetrin, janë thjesht loja për të gënjyer elektoratin dhe për të ruajtur karrigen e kryetarit fuqiplotë partiak, deri sa të kërkojnë “azil” pensionist politik si “kryetar nderi”.

Politika për njerëzit e ditur është arti i qeverisjes, ndërsa për elektoratin shqiptar të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur post diktaturë, është arti i të gënjyerit bukur dhe premtimeve të mosmbajtura. Politikanët tanë që fryhen si kokoshi majë plehut gjatë premtimeve elektorale, pavarësisht gërr-vërreve, asnjëherë nuk kanë çuar në gijotinën e ligjit kundërshtarët e tyre edhe pse kanë bërë be e rrufe para elektoratit. Apo e thënë ndryshe, mbamëni se e vrava.

Mjaftoi një cikje brrylash mes dy “armiqve” Rama-Meta për të na treguar si dikur në drekën e famshme të ngjalave se ata pavarësisht gjuhës e përbetimeve të helmatisura, kur vjen puna për vazhdimësinë e qënies së tyre politike, cikin jo brrylat, por edhe zemrat. Ndërsa brrylat mbeten për elektoratin, ose edhe për opozitën që në mungese të qënies në parlament e pushtetin lokal ka mbetur si peshku pa ujë.

Brryli ndaj opozitës

Me disa thërrime që iu dhanë opozitës me kodin e ri elektoral, që kemi 30 vite që e ndryshojmë e nuk gjejmë karar, u ruajt sërisht stakuoja e listave të gatshme dhe e deputetëve gjysëm të gatshëm që gatuhen në guzhinat partiake. Mjafton që të mblidhet parlamenti i kukullave për të bërë këtë formalitet edhe pse “opozitarët” duket sikur e kundërshtojnë. 

Një “bamirësi” e radhës nga qeveria dhe opozitarët do binden për të ngritur kartonat pro. Kjo, pasi që nga 90-ta, ky është parlamenti i parë eksperimental (i krijuar me kujdesin më të madh nga faktori ndërkombëtar me në krye “Rrugën e Elbasanit”), ku në 80 përqind, ka votuar njësoj si maxhoranca edhe opozita. Me pushtetin gjyqësor apo “kolegjin zgjedhor” që është në darën e qeverisë për shkak të vetingut, si dhe me administratën e policinë partiake të Rilindjes, opozita po vete  në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare si “cjapi te kasapi”.

Ambasada e rruges së Elbasanit që kërcënoi opozitën nëse do të prishte zgjedhjet e para një partiake post pluraliste, jo vetëm mbylli sytë në shëmbjen e mureve të Teatrit dhe godinës së shtetit ligjor, por e “përshëndeti” me një status me lule të nesërmen.

Brryli i tretë

Megjithëse brryli është një arterie e rëndësishme e qytetarëve të Tiranës që ndodhet jo larg 21-shit, madje tani është edhe moda e takimeve nga pandemia Covid, qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërise do të kenë mundësi ta “shijojnë” në zgjedhjet e 2021-it. Me shumë gjasa do jetë “brryli” i tretë fitues i mazhorancës rilindase. Pas hapjes së 300-mijë vendeve të punës, paketës ekonomike të tretë dhe largimit të më shumë se 300-mijë shqiptarëve, ky do jetë mandati i tretë. Apo siç thotë populli i treti i vërteti.

Brryli apo besa… fjala e dhënë

Në ndryshim të madh nga politika shqiptare e 30-viteve të tranzicionit, shteti i ri i Kosovës po na jep një shembull krejt ndryshe. “Po te më dëgjonte mua, Albin Kurti do ishte ende Kryeministër”- tha presidenti Thaçi. Por jo, Albin Kurti nuk iu bind kulisave të pushtetit, as i bëri lepe-peqe ambasadorëve te sojit Grenell, po i qëndroi besnik premtimeve që i bëri elektoratit. Ai pranoi më mirë të dorëzonte karrigen e pushtetit, por jo dinjitetin.

“I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”-Adlai Stivenson

©Iliri Gjini