Richard Grenell, gjumëprishësi i europianëve - Nga Enver Robelli

Enver Robelli
Nëse për diçka shqiptarët e Kosovës duhet t'i thonë faleminderit Richard Grenellit, atëherë kjo është për meritën e tij për t'i zgjuar nga gjumi europianët, e sidomos gjermanët, të cilët qe një dekadë flenë, shikojnë me indiferencë zhvillimet në Ballkan, mbajnë qëndrim gjithnjë e më neutral ndaj politikave agresive të Serbisë në rajon, bllokojnë liberalizimin e vizave.
Se çfarë do të sjellë e ardhmja nga fushata ndërmjetësuese e Grenellit mbetet të shihet, por për rolin e gjumëprishësit të europianëve ai meriton respekt. Kanë qenë zyrtarët e papërgjegjshëm të BE-së që nuk i kanë stopuar bisedimet për prishjen e kufijve të Kosovës, përkundrazi: Federica Mogherini ka qenë mbështetëse e "korrigjimit të kufijve të Kosovës", zyrtarja cinike e BE-së, Angelina Eichhorst, ka thënë se "edhe Serbia duhet të fitojë diçka", komisioneri austriak i BE-së Johannes Hahn ka folur po ashtu për "shkëmbimin e mundshëm të territoreve" ("Washington Post", 14 Prill 2019), edhe Josep Borelli, shefi i ri i diplomacisë së BE-së ka thënë: nëse duan t'i prekin kufijtë, kush jemi ne që t'i pengojmë.
Tani fjalimet me ton dramatik të deputetëve gjermanë se gjoja u hyri Amerika tinëz në kopësht dhe po tenton të gjejë një zgjidhje për Kosovën duke anashkaluar europianët, vetëm shpalosin paaftësinë gjeostrategjike të BE-së dhe të kryeqyteteve me ndikim. Me çfarë argumenti i hiqen vizat Ukrainës dhe Gruzisë? Vërtet ato janë shtete ku ligji sundon më mirë se në Kosovë?
©Enver Robelli




















