Blog

Komedia “Parlament 2020” dhe “Pallati 176” - Nga Ilir Gjini 

Organi më kardinal i demokracisë, aty ku bëhën ligjet dhe merren vendimet më të rëndësishme të një shteti, Parlamenti, te ne është kthyer në një gallatë batutash dhe gaztorësh nën regjinë mjeshtërore të Kryeministrit.

Para disa ditësh, pamë shoun e radhës. Rama si një komedian shkëlqente me batuta me deputetin e opozitë-pozitës, ku në thelb ishte “shenjtënia” e mustaqeve dhe shamia e beqarit. Kushtet që nga 9-të, shkuan në 15-të, vetëm për Kryeministrin nuk egzistojnë, duke nxjerrë batutën e radhës se janë 1500.

Në këtë shtetbërje komedi batutash të ngjashme me Komedinë “Pallati 176”, rolin Vanit që dashuronte magazinën e luan me sukses mbreslënës opozita e re parlamentare.  Vani u bë magazinier falë krushqisë me drejtorin, kurse në komedinë “Parlamenti 2020”, Rama kërkon të bëhet “magazinieri” i pushtetshëm i gjithë Shqipërisë për të tretën herë, falë krushqisë me Jovan Opozitën. 

Në këmbim të Shqipëri-Magazinës, po ia kthen me ndonjë post të vogël magazinieri “opozitës së re”, siç bëri me të vëllanë e Rudinës. Rolin e Sandër Mafishes që e kishte humbur si “Xhaferi simiten”, po e luan me sukses Selami Jenishehri që harruan ta ftonin në takim me Znj. Kim, po që ka votuar 100% ligjet e mazhorancës edhe pse hyri nga lista e opozitës. Ndërsa rolin e teto Ritës, e ka tejkaluar në sukses Majlinda që në mungesë të suksesit të krushqisë me drejtorin, po bën krushqi “happy end” me Kërpëratën.

Të ashtëquajturit deputetë opozitarë që votojnë pro të gjitha ligjeve që propozon maxhoranca, tani kanë marrë misionin e radhës: të kundërshtojnë koalicionet para zgjedhore dhe listat e mbyllura. E bëjnë këtë, sepse vetëm kështu Rama Kryeministër do të bëhet Rama i Tretë. Përsa i përket koalicioneve para zgjedhore, ato i përmban Kushtetuta. A ka moral kjo tufë mercenarësh “opozitarë”, që kanë marrë vetëm një grusht votash nga sovrani popull, të ndryshojnë Kushtetutën?

Covid-Demokracia

E gjithe bota po jeton nën ankthin e pandemisë Covid-19, kurse në Shqipërinë tonë Covidi ka prekur edhe demokracinë e brishtë. Eshtë infektuar me Covid-in e Partisë Socialiste Opozita Parlamentare, Pallati i Drejtësisë, Media Tv, ndërsa doktori ambasador i “Rrugës së Elbasanit” prodhoi një vaksinë anti-Covid dhe e pagëzoi me emrin SPAK (Simptomat e Pacientëve Anakronikë). Por, virusin e drejtësisë së vjetër e trashëgoi edhe e “Reja”, kështu që eksperimenti me vaksinën SPAK rezultoi i pa sukseshëm. Çudi?

Në Zimbaven e largët që nuk ka asnjë aspiratë Euro-Atlantike, për një tender u arrestua edhe Ministri i Shëndetësisë. Vetëm se prokurorët atje, nuk pritën tre javë siç priti SPAK për të siguruar dokumentat e tenderit, po i sekuestruan “right away”.

 Me Covid duket se do infektohen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2021, pasi do administrohen nga qeveria që ka dhënë mjaftueshëm prova që di të “fitojë” edhe kur në ekran dalin brekët e grisura të Shukriut. Arresti shtëpiak i vëllezërve Budina edhe pse nuk kanë asnjë simptomë Covidi dhe për më tepër tamponi iu bë vetëm atyre dhe jo familjarëve të tyre, na rrezikon të gjithëve. A kemi garanci se shumë nga ne nuk do na nxjerrin me Covid në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të na fusin në karrantinë parazgjedhore?

Z. Meta, edhe pse je shkrirë së qeshuri me “Pallati 176” dikur, sot duhet t’i fikësh dritat e skenës (ashtu siç bënte me ne dikur inspektori i skenës Kalaci, që na dëbonte nga skena kur ishim të paqethur) komedisë shëmtirë “Parlament 2020”!

©Ilir Gjini