Blog

Hashim Thaçi nuk ka qenë komandanti i UÇK, akuzat nuk cënojnë Luftën e saj - Nga Dritan Goxhaj

Që kur prokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë deklaroi se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, rrjetet sociale pothuajse janë mbushur me deklarata dhe thirrje se duhet reaguar se po sulmohet UҪK-ja, se po sulmohet Kosova.

Në krye të gjithë këtij patriotizmi ambulant sot u vu miku i tij personal, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili shfrytëzoi foltoren e Kuvendit jo vetëm për të shitur patriotizëm por edhe për të vazhduar manipulimin e historisë të bërë pikërisht nga Thaçi e Veseli.

E them me bindje patriotizëm ambulant, pasi ata që sot bëjnë thirrje për protesta dhe që bëjnë thirrje se duhet protestuar sepse po akuzohet UҪK dhe Kosova, tregojnë se ata nuk e njohin as UҪK-në dhe as Kosovën.

Këto akuza ndaj këtyre personave dhe të tjerëve nuk janë aspak akuza ndaj UҪK-së, pasi po të themi që janë akuza ndaj UҪK-së i bie që të pranojmë barazimin që këta njerëz i bëjnë UҪK dhe Kosovës me një person ose dy. Ky barazim është pasojë e manipulimit që këta dy persona i bënë dhe po vazhdojnë ti bëjnë historisë së luftës në pasluftën e Kosovës.

Këta persona e kanë shpallur veten si heronjtë e Kosovës dhe si udhëheqësit e luftës dhe drejtuesit e UҪK-së. Dhe çdo kush që sot ka rënë në rrjetën që këta manipulatorë kanë ngritur bën gabimin e të deklaruarit se me këtë aktakuzë po akuzohet UҪK-ja dhe Kosova.

Epo, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë këta dy individë nuk kanë qënë as udhëheqës të luftës dhe as komandantë të saj. Thaçi dhe Veseli kanë qënë dy anëtarë të Shtabit të Përgjithëshëm të UҪK-së dhe drejtonin secili nga një drejtori të këtij shtabi.

Përkatësisht, Thaçi drejtonte Drejtorinë Politike dhe Veseli Drejtorinë e Shërbimit Informativ, ndërkohë që Shtabi i Përgjithëshëm kishte edhe 10 drejtori të tjera që realisht bënin luftën, siç ishin Drejtoria Operative, e Ndërlidhjes, e Xhenjos, e Logjistikës etj.

Luftën e ka drejtuar Shtabi i Përgjithëshëm dhe komandant i përgjithshëm i UҪK-së ka qënë Azem Syla deri në vajtjen në Rambuje dhe pas saj Sulejman Selimi. Pra si edhe shihet këta nuk kanë qënë as komandantë të luftës dhe as udhëheqës të saj, por thjesht anëtarë me të drejta të plota në Shtabin e Përgjithshëm, i cili vendimet i merrte gjithnjë në mënyrë kolegjiale, dhe këta të dy kishin vetëm nga një votë secili dhe jo të drejtë vetoja që të mund t’i jepte këtyre atributin e drejtimit të luftës.

Ndaj kur nuk dini, mos merrni flamurin e patriotizmit qorr se në vend që të rregulloni diçka, bëni më shumë dëm nga ç’ua merr mendja. E aq më pak që këta dy individë të krahasohen me Kosovën dhe të barazohet kjo e fundit me ta duke parë se çfarë i bënë Kosovës në këto 20 vite të pasluftës.

Të gjithë ju që sot bëni thirrje kundër kësaj prokurorie me në krye kryemanipuluesin dhe bashibozukun Edi Rama, duhet të dini në rradhë të parë se kjo prokurori nuk është as e Hagës dhe as e huaj, por i përket Kosovës, e ngritur me insistimin e vetë Hashimit dhe Veselit dhe vota të Kuvendit të Kosovës, sëbashku me LDK-në dhe votat e serbëve në Kuvend, si dhe me miratim deklarativ edhe të Tiranës zyrtare e cila tashti për nevoja të maskarallekut patriotik ambulant po e anatemon e para.

Ҫdo lloj akuze ndaj çfarëdo individi ish-pjesëtar i UҪK-së për krime të bëra më shumë pas lufte nuk e implikon aspak dhe nuk cënon kurrë UҪK-në dhe luftën e saj dhe nuk besoj se e cënon as Kosovën, pasi krimet këta i kanë kryer kur kishin pushtetin pas lufte, pushtet të cilin po mundohen ta mbajnë me çdo kusht e çmim.

Ndaj miq e shokë, bashkluftëtarë dhe shqiptarë, mos bini pre e manipulimit dhe manipuluesve të historisë sonë, por gjykoni me arsye e veproni me mend e mos tregoni mungesë atdhetarizmi dhe intelektualizmi duke dalë në krah të abuzuesve, të cilët edhe në këtë ditë duan sërish të abuzojnë dhe të përfitojnë nga ju, ashtu si kanë bërë deri më sot.

Si ish pjesëtar i UҪK-së ju them që UҪK-ja ka mbrojtjen më të mirë të mundshme që mund ti ndodhë një ushtrie çlirimtare, ka mbrojtjen e bashkëpunimit me NATO-n gjatë luftës, ka mbrojtjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton dhe të ish-sekretares së Shtetit Madelen Ollbrajt që kanë deklaruar në kujtimet e tyre se lufta e UҪK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kaq mjafton për të ndarë UҪK-në nga ata që u munduan të përfitojnë prej saj.

©Dritan Goxhaj