Blog

Voto Tare, voto, se gomarët e korruptuar do zgjedhësh - Nga Rushan Xhaferi

Më në fund, ne si diasporë mund të votojmë, ose jo. Nuk është akoma e qartë, po kjo është edhe historia jonë prej shqiptari ku gjërat janë të qarta por jo dhe aq shumë. Nejse, ku e kishim fjalën se u ngatërruam shumë, më duket.

I ndjeri Sokol Olldashi ka qënë i vetmi politikan që ka denoncuar votën e vjedhur në Shqipëri. Në 2013 në Parlament, Sokol Olldashi mbajti një fjalim prej demokrati. Jo si deputet i Partisë Demokratike, por duke shprehur një fjalë prej demokrati evropian si politikan që e vendos veten në shërbim të popullit ku vendimarrja vjen nga mandati i qytetarëve.

Sokol Olldashin thuhet që e vranë. Sipas raportit zyrtar ishte aksident dhe makina e tij, Mercedes Benz S Class, rrësshqiti dhe solli si rrjedhojë marrjen e jetës së deputetit demokrat. Jam pak skeptik mbi raportet zyrtare që nuk marrin parasysh që kjo makinë, Benz gjithsesi, ka aftësinë të «mendojë». Kjo veturë është kundër vetvrasjes sepse kompjuteri i makinës parashikon aksidentin. Nëse shoferi humb ndërgjegjen, kompjuteri shikon situatën dhe frenon edhe kur shoferi jep gaz. Po, po! Në qoftë se nuk ka mundësi të frenojë, kampjuteri aktivon sediljen e shoferit në mënyrë që impakti të jetë sa më i parrezikshëm për drejtuesin e mjetit. Mall gjerman!

Olldashi vdiq dhe bashkë me të mundësia për të patur vota përfaqësuese.

Për kë do votojë Tarja, për gomarin e rradhës? 25% e të ardhurave bruto në Shqipëri vijnë nga diaspora. 25% e deputetëve duhet të zgjidhen nga ne. Problemi është se 25% gomerë, kush i do? Nga ana tjetër të krahasosh deputetët me gomerët eshtë ofendim për kafshën punëtore. Gomari ka si cilësi se për pak tagji jep shumë punë. Deputetët është e kundërta.

Problemi ngelet si gjithmonë vjedhja e votave! Anëtarët e KKD-së nuk e përmendën si problemin kryesor në mbledhjen online me kryeministrin dhe ministrin e Diasporës. Ose shumë vakët. Turpi i madh ishte dhe ndërhyrja në anglisht (WTF!) e kryetarit të KKD-së. Ti hajë mortja (në mënyrë figurative) këta anëtarë që kanë zgjedhur këtë kryetar! Është ofenduese për ne të gjithë, Dhe në mbledhje asnjerit nuk i bënte përshtypje.

Por mbi të gjitha, ideja e votës së diasporës po ofrohet si një zgjidhje mrekulli që do të vijë si ndërhyrje hyjnore për të rregulluar një sistem të korruptuar nga koka tek këmbët në Shqipëri.  Kontributi ynë si imigrantë nuk mund të çrrënjosë korrupsionin që ka zënë rrënjë të thella në mentalitetin shqiptar.  Dëshira jonë, sado e mirë, nuk do të zgjidhë asnjë gjë sepse ne mendojmë si perëndimorë nga eksperienca jonë jashtë shtetit për një vënd ballkanik. Nuk mund të instalosh një program digjital në një kompjuter analog. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese tregon haptasi mosfunksionimin e institucioneve demokratike në një Shqipëri që po kërkon veten dhe bredh si qeni pas bishtit. Lodhet pa vajtur askund!  Një hamster që rrotullohet në kafazin e tij jashtë Evropës.

Kur në një vënd ke dy parti të djathta dhe e majta shqiptare është më djathtas se Partia Demokratike, alternativat janë zero për shqiptarët. Akoma më keq është kur një pjesë e madhe e imigrantëve mund të votojnë për të ripërtërirë këtë sistem dhe ku alternativa për një parti të re vdiq më hyrjen e LSI si force politike balancuese.

Shqipërinë e morën disa dhe i vunë zjarr. Por këtë herë nuk është turku dhe vargjet e Çajupit nuk arrijnë dot të nxjerrin në pah shqiptarinë sepse ne po preferojmë të punojmë për të tjerë dhe nuk jemi aq fatkeqë dhe po financojmë vendin tek kemi lerë dhe po na heq. 

©Rushan Xhaferi