Blog

Antisllavët si “tradhëtarë” të atdheut-Nga Alfons Zeneli

Nga: Alfons Zeneli

"Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi, hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendosi quhej Ernest Koliqi, një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar" (shkëputur nga shkrimi “Luksi shqiptar për t’u marrë me Koliqin dhe Camajn”, me autor Ilir Levonja, botuar ne Flasshqip.ca më 7 Korrik 2020).

Sipas mentalitetit të kooperativës trunore të komunistëve, Ernest Koliqi është tradhëtar pasi ka kontribuar për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë kur kemi qenë nën pushtimim fashist dhe Ernest Koliqi ka qenë kuisling. Po sipas këtij mentaliteti, nëse burgos, bën vrasje masive, terror e internime dhe varfëron ekstremisht popullin për shkak (hir) të parimeve të Marksizëm-Leninizmit, gjithçka është në rregull. Kur bëhen vepra madhore të mira në shërbim të popullit jashtë juridiksionit të Partisë Komuniste ose asaj të Punës, je armik i popullit dhe tradhëtar i Atdheut.

Në rastin konkret, anatema ndaj Ernest Koliqit më shumë se sa për "kolaboracionin" është mbarsur për faktin se me ndihmën e fashistëve ka cënuar tërësinë territoriale dhe juridiksionin Jugosllav mbi Kosovën. Blasfemia kryesore e Koliqit është rivendikimi territorial i "Jugosllavisë motër". Koncepti marksist-leninist (enverist) për Kosovën është shprehur në një "lapsus" logjik të vetë Enverit gjatë një takimi me Titon (në mos gabohem) në vitin 1946.

Tito e pyet: "Si do veprojmë për problemin e Kosovës"? Enveri i përgjigjet: "do ta zgjidhim sipas parimeve marksist-leniniste". Vetëm kaq dhe menjëherë, Enveri ndërron temë duke folur për proletariatin botëror dhe duke i kërkuar Titos që ta ndihmonte për ngritjen e një fabrike sapuni dhe një fabrike litari.

Tani, kush mund të ma thotë se si zgjidhet sipas parimeve marksist-leniniste dhe internacionaliste një problem aq i mprehtë nacional? Por gjatë kohës së luftës, Enveri ka dhe shfaqje të tjera të pandërgjegjshme të ndërgjegjes së tij anti-Kosovë. A iu implantua kjo patologji anti-Kosovë nga dashnori i vet, Miladini, apo nga dashnori i Nexhmijes, Dushani, apo nga të dy njëherësh, kjo nuk dihet.

Në një shkresë a trakt të kohës së luftës shkruan: "Populli shqiptar do ta fitojë lirinë e vet ashtu sikundër populli grek, populli çekosllovak, populli maqedon, populli kosovar" etj. Pra në ndërgjegjen e Hoxhës, populli kosovar ishte me popullin shqiptar në të njëjtin raport që ishin dhe popujt e tjerë të Evropës, Afrikës apo Azisë.

Ka edhe radiograme nëpërmjet të cilave urdhërohen forcat partizane të divizioneve 4 dhe 5 për të shfarosur nacionalistët kosovarë. "Nacionalistët kosovarë e kanë hak plumbin dhe litarin", shprehej në një letër, Enver Hoxha. Pra, ndërhyrja në Kosovë është në të vërtetë akti fatal i "tradhëtisë" së Ernest Koliqit.

Hapja e shkollave në Kosovë, përbën akt tradhëtie ndaj mësimeve të Miladinit, Dushanit dhe PKJ dhe jo ndaj popullit siç e shet propaganda e "stallave" të kuqe. Për të njejtën "tradhëti" u persekutua për së vdekuri edhe gjeniu i kombit At Gjergj Fishta. Çështja nuk është aspak e komplikuar.

Është e thjeshtë. Qëndrimi ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë motër është demarkacioni. Aq më tepër sot, kur siç thotë Dervish Baba i Surrelit, Evropa "nuk na do" dhe "ne do shohim punën tonë" në Mini-Shengenin me Serbinë.

©Alfons Zeneli