Blog

Njerëzit pa kokë janë të lirë, të barabartë dhe vëllezër - Nga Alfons Zeneli

Brenda 2 muajsh kokat e 16,500 njerëzve "armiq të revolucionit" u prenë nga gijotina. Shifra në fakt ka qenë shumë më madhe. Gjithashtu 40,000 të burgosur si "armiq të revolucionit" u vranë pa gjygj ose vdiqën nëpër burgje prej torturave duke pritur ditën e gjygjit. Mjaftonte një dyshim sado i vogel dhe Tribuna Revolucionare, Garda Revolucionare ta mohonin egzistencën.

Mijëra të tjerë të vrarë e masakruar rrugëve. Shkrimtarë, poetë, mjekë, intelektualë, gra, burra, popull, priftërinj. Edhe shumë kohë më pas Parisi dhe Sena kutërbonin gjak e kufoma.Ky ka qenë konteksti në të cilin oratorët e revolucionit ngjizën lirinë, barazinë dhe vëllazërinë si një helm të bukur dhe aromatik i cili shumë shpejt do t`iu kthehej si vdekje vetë prodhuesve të tij.

Franca, kurrë nuk ka parë terror si ai i Revolucionit. Në kuptimin e cilësisë, ai lloj terrori ishte i pashoq për kohën. Më vonë do të kishte raste edhe më makabre e fatale, por që gjithsesi, edhe këta pasardhësit do ishin pikërisht të frymëzuar drejtpërdrejt prej shembullit të tij.

Revolucioni ishte pothuajse i panevojshëm e u be pa shkak. Luigji i XVI ishte liberal dhe reformator. Gjithë çka pretendonin udhëheqësit e Revolucionit për të arritur nëpërmjet diktaturës revolucionare dhe komunës, vete mbreti Luigj XVI ishte duke e realizuar. Bash në atë kohë ai po synonte uljen e taksave ndaj popullit dhe rritjen e detyrimeve për borgjezinë. Për të mos rënë në konspiracion, po themi vetëm një gjë thjeshtësisht të sigurt: Revolucioni nuk kishte vend në Francë në atë kohë, nuk dihet se kush e organizoi në të vërtetë dhe nuk pati të fituar.

Sa i përket organizatorëve dhe financuesve të vërtetë ka shumë hije dyshimi. Në falimin e fundit të jetës së vet Robespieri deklaron: "Unë nuk kam kurrfarë besimi në këta njerëz të huaj të cilët fytyrat i kanë të mbuluara me maska patriotësh dhe të cilët mundohen që të tregohen republikanë më të mëdhenj se sa jemi ne... Këta agjentë të fuqive të huaja duhet të zhduken".

Ne vërtet e dimë se çfarë ndodhi me Francën pas Revolucionit, por nuk e dimë se çfarë do kish ndodhur nëse Revolucioni nuk do të ishte kryer. Nuk e di se sa francezë janë vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore prej gjermanëve, por nuk besoj se ka patur ndonjë rast kur të jenë vrarë e masakruar çnjerëzisht kaq shumë francezë prej vetë francezëve. Për herë të parë në qiellin e Parisit u valëvit flamuri i kuq i cili më vonë do të bëhej simbol i komunistëve nëpër botë, simbolikë prej së cilës ne e dimë mirë se çfarë katastrofe i erdhi njerëzimit.

Revolucioni Francez ishte pikënisja e instalimit në praktikë të komunizmit, kaosit dhe socializmit. Aty u kurdis zemreku i një lloji njeriu të panjohur deri atëherë. Njeriu që vret për ide, që vret për dogma, njeriu që gllabëron me dhunë pronën private të dikujt tjetër, njeriu i pamëshirshëm. Këtë frymë mbolli filozofia revolucionare.

Njeriu më me influencë i Asamblesë, Robespieri, u shndërrua shumë shpejt në një tiran të pamëshirshëm e gjakatar, i çorientuar psiqikisht, i cili shkaktoi gjakderdhje masive për të kaluar në një rend më inferior dhe vulgar se sa ai të cilin e përmbysën. Shkrimtarja Ann Coulter shkruan se edhe vetë Adolf Hitler mori shembull nga Robespieri.

Arrogant dhe tiran ai dhe gjithë makineria e tij propogandistike manipuluan aq sa mundën historinë dhe njerëzit për të krijuar urrejte ndaj Monarkise, katolicizmit dhe për të justifikuar dhunën frenetike. (A nuk vepruan identikisht kështu dhe komunistët shqiptarë gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj kundër bejlerëve, biznesmenëve, inteligjencës dhe klerit?)

 Gjithashtu, kjo masakër revolucionare dhe kjo diktaturë revolucionare nuk do të mund të kishte sukses pa një strategji mashtrimi. Për shembull ishte krijuar ideja se Bastija ishte shndërruar në një burg fërr të mbushur plot brejtës, sëmundje, pisllëk dhe të burgosur politikë që torturoheshin. Mirëpo kjo ishte thjesht një shpifje për të nxitur turmat drejt Bastijës. Në fakt Luigji XVI kish vite që nuk mbante të burgosur në Bastijë dhe këtë gjë Robespieri bashkë me udhëheqësit e tjerë ë dinin mirë.

Gjithsesi, sipas David Bell, profesor i historisë franceze në Universitetin e Prinstonit, USA, "kur Bastija ra, në burgun e saj ishin gjithësej 7 të burgosur: 4 falsifikatorë, 2 të çmendur dhe një fisnik i dënuar për perversion seksual". Po sipas Bell, kështu u shpik dhe mashtrimi se gjoja kur i thanë Maria Antuanetës populli s`ka bukë, ajo u përgjigj: të hanë tortë apo amareta.

Sajesa prototipike spekulantësh revolucionarë të cilët mund të sakrifikojnë mijëra njerëz për një muaj pushtet. Pikërisht, këtë metodologji shpifjesh do e pranonin në mënyrë novative të gjithë udhëheqësit revolucionarë komunistë që do të vinin më pas: që nga Lenini e deri tek sekretari i organizatës bazë të partisë në fshatrat e humbur të Shqipërisë.

Popujt i bëjnë, i pësojnë dhe i klasifikojnë vetë aktet e tyre. Dhe askush nuk mund t`i gjykojë ata. Aq më tepër (qoftëlarg) të gjykojmë francezët. Ne nuk e dimë se si do kish qenë Franca. Por shohim qartë se çfarë iu ngjau kombeve të tjerë të cilët ranë pre e virusit të kuq të komunës dhe revolucionit frëng(!?). Prej tij u përligj e u lajmërua si sistem urrejtja klasore dhe lufta e klasave, lufta ndaj besimit dhe në tërësi ndaj çdo lirie njerëzore, luftra të cilat u zhvilluan më tej prej kombeve të tjerë dhe që shpesh për fatin e tyre të keq u aplikuan. Mjafton të numërojmë viktimat e komunizmit përgjatë këtyre dekadave që nga Revolucioni Socialist i Tetorit e në vazhdim. Shifrat flasin frikshëm. Mbi 100 milion të vdekur drejtpërdrejt për shkak të komunizmit dhe socializmit.

Tribuna revolucionare çoi në gijotinë më shumë se 25,000 njerëz. Të gjithë të pafajshëm. Asgjë më shumë se gijotina nuk e mishëron fizionominë dhe karakterin e Revolucionit. Shpikësi i gijotinës ishte mjeku ligjvënës Zhozef Injac Gijotin, i cili vetë mezi shpëtoi nga ajo, pasi u arrestua dhe u burgos (nga revolucioni i vet - Partia e vet e arrestoi) gjatë terrorit në vitin 1794. Kjo ngjan si një miniaturë e të vërtetës tragjike të shprehur në sentencën kuptimplotë "revolucionet hanë bijtë e vet".

Gijotina ngrihej e binte papushim si rrufe, sa hap e mbyll sytë për ta mbushur Sheshin e Revolucionit me koka të prera, sytë e të cilave nuk do të hapeshin më kurrë. Mbi këtë mal kokash të prera do të ngulej e do të valëvitej flamuri i "liri-barazi-vëllazëri".

©Alfons Zeneli