Blog

Kujt i mbeti dopio gjashta? - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini

Lëvizja e fundit e kreut të opozitës Basha për hapjen 100% të listave, ka lënë të surprizuar përveç kundërshtarit të tij polititik edhe deputetët e “mazhorancës” që të veshur mbajnë qyrkun e opozitës parlamentare. Të kapur gafil pas hapjes totale të listave që ishte kali i betejës së Murrizit & Co, Basha ia dogji jo me shfaqje groteske, ku hapin vetëm fundin e listës sa për të larë gojën, por me hapje reale.

Pas garës së hapur në PD për të votuar kandidatët për deputetë nga strukturat partiake, kjo lëvizje për hapjen totale të listave, ka lënë  pa fjalë edhe nismëtarët e “Lëvizjes  Thurje” që pasi mbodhën plot 50.000 firma për hapjen e listave të thurura nga kryetarët, nuk po gjejnë kohë të shthurin përpjekjet e Kryeministrit për rrëmbimin e zgjedhjeve përmes ndryshimit të Kushtetutës me opozitën e opozitës, që me rolin opozitar e lidh vetëm  qyrku.

Të përjashtuar nga radhët e opozitës që hoqi dorë nga të gjitha privilegjet e qënies deputet, opozitarët e “qyrkut” kanë mbetur si “Lipe Shtogu” pas listës së mazhorancës, ndaj po përpiqen të marrin maksimumin nga afati një vjeçar që u ka mbetur, deri sa emri do t’u kujtohet vetëm në rubrikat gazmore ose në kurset e analfabetizmit.

Nëse deri tani mazhoranca fshihej pas opozitës së parlamentit që donte hapje të listave, me lëvizjen e fundit opozita reale ia la në dorë dopio gjashtën, që ta shohin se çfarë fshihet pas përpjekjeve për ndryshim të Kushtetutës jo vetëm shqiptarët, por edhe Ambasadorët që u përpoqën kaq shumë për të mbajtur gjallë dordolecët e opozitës parlamentare.

Të gjithë duhet të humbasim diçka tha Kryeministri?! Po a nuk ishte opozita që hoqi dorë nga një kërkesë e saj për qeveri teknike tre muaj para zgjedhjeve? E ka dhe Maqedonia fqinje qe nuk ka 15 kushte për të plotësuar! Pasi zotëron 100% Parlamentin, Bashkitë, Pallatin e shtrembër të Drejtësisë dhe Tv-të kombëtare, tani duhet t’i heqim opozitës edhe të drejtën për të bërë koalicione? Pra të ndryshojmë Kushtetutën në një Parlament gjysmak që më shumë ngjan me show-n “Portokalli” se sa me Kuvendin e Popullit?!

Pushteti i Pestë

Në gjithë vendet demokratike në ujrat e të cilave me varkë të çarë po përpiqet të lundrojë edhe “Rilindja” pushtetet janë katër: Parlamenti, Qeveria, Gjyqësori dhe Media. Në atdheun tonë të dashur janë pesë, aq sa është nota kaluese në shkollë.

Pushteti i Pestë që “de facto” është edhe më i rëndësishmi, është ai i Ambasadorëve. Janë këta të fundit që të japin notën kaluese për zgjedhjet, reformën në drejtësi apo edhe për “reformat në parti”.

Ishte ambasada e “Rrugës së Elbasanit” ajo që nuk e pa përdhunimin e Kushtetutës me shembjen e Teatrit! Po tani që po shemben muret e Kushtetutës a do reagojë përsëri me ndonjë status me lule? Topi tani nuk është te “miku” i saj Luli, po te protomiku Rama.

I mbetet zonjës Kim, si kumbare e reformës zgjedhore ta gjuajë!

P.S. Katër pushtetet janë në xhep të Kryeministrit. Po i Pesti?

©Ilir Gjini

Grafika ©Avni Delvina