Blog

Damian, tani e ka radhën Kushtetuta - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini

“Tërmet, tërmet, i … nënën” tha në orgazmën paselektorale Damiani për zgjedhjet e Dibrës. Bashkë me Ymerin e famshëm të Lalajve, që bëri edhe vajzën deputete, i përdhunuan me radhë zgjedhjet vendore të Dibrës.

Mes lulëzimit të hashashit që vaditej nga policët e “Rilindjes” dhe administratës që mes presioneve duhej të fotografonte votën, u “fitua” eksperienca për zgjedhjet e radhës. Këtë përvojë të vyer për zgjedhje “model”, tani që Shqipëria drejton OSCE, mund ta “përçojë” edhe në vendet me problematikë zgjedhore si Azerbaxhani. 

E ndërsa në zgjedhjet e Dibrës u kërkua edhe ndihmesa e djemve problematikë, tani që duhet përdhunuar edhe njëherë Kushtetuta, mund t’i kërkojë ndihmë edhe Murrizit.

Ka muaj të tërë që Murrizi u ngjir si këngëtar opere duke kënduar arien “lista të hapura”. Po tani që opozita po këndon më fort se Murrizi këtë arie, pse i humbi zëri Murrizit? Mos po pret urdhërat e dirigjentit Kryeministër?

Në taborin opozitar të Parlamentit po mbizotëron heshtja. Përveç Selami Jenisherit që e pranon hapur shërbimin si jeniçer i “Rilindjes”, të tjerët nuk po dinë si të orientohen! Ta çojnë deri në fund rolin e shërbëtorit, apo të bëjnë sikur po zbatojmë porosinë e “Ndërkombëtarëve”?

Edhe “Ndërkombëtarët”, që nuk e kanë kursyer mbështetjen e tyre për qeverinë, tani që bëhet fjalë për ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës, janë në siklet. Pas dështimit spektakolar të Reformës në Drejtësi, kur vendi ka mbetur me një drejtësi gjysëm të vettingosur e gjysëm të prerë nga gërshëra “vetting”, me krasitjen e ligjeve në Kushtetutë me gërshërët e Murrizit, Jenisherit e Gjuzit, a do të bëjnë sikur nuk shohin Ambasadorët?

Rama, kur sulmonte opozitën, gjithmonë u referohej Ambasadorëve, kurse tani që qëndrimi i tyre është në mbështetje të opozitës, u kujtua që jemi vend sovran. “Keni frikë të ndesheni me PS-në?!” - tha Rama.

Me kë do të ndeshet opozita?

Opozita, në zgjedhjet e ardhshme, nuk do të ndeshet me PS-në, por me makinerinë elektorale të “Rilindjes”. Aty, përveç militantëve që kanë mbushur administratën, mediave televizive që funksionojnë si kanale ERTV, në pararojë janë oligarkët e tipit Vilma që PPP-të i kanë kthyer në Para-Pushtet-Pallim të zgjedhjeve.

Prandaj Damiani dhe komandanti i tij që ia morën dorën përdhunimit të zgjedhjeve, tani mund të përdorin taborin e jeniçerëve të Parlamentit për të përdhunuar edhe Kushtetutën.

Vetëm se nga ky përdhunim që po ndodh në mes të ditës në sytë e gjithë shqiptarëve, bastardi që do të ngjizet nuk do të lindë pas periudhës 9-mujore, pasi ka shumë  mundësi të  abortohet nga populli me metodat e “mjekësisë  popullore” pa gërshërët e kirurgut.

©Ilir Gjini