Blog

A do shpiket “vaksinë” për shpëtimin e zgjedhjeve? - Nga Ilir Gjini

As pandemia Covid-19 që infektoi parlamentarët dhe as ndonjë “kritikë” e thënë me gjysëm zëri nga Ambasadorët, nuk e ndaluan Kryeministrin e Partisë Socialiste dhe taborin e tij që në Parlament vetëquhet opozitë, të ndryshonin Kushtetutën. Tabori i opozitës i bëri Ramës shërbimin e radhës duke i dhënë plot 30 vota për të patur një avantazh më tepër në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo që ra në sy në këtë tragjikomedi, qenë pretendimet për fallsifikim firmash të deputetëve të listës opozitare dhe një deputete që kishte plot pesë herë të drejtën e votës. I përmenda këto fakte të vogla, vetëm për t’i kujtuar publikut se nëse edhe në organin në të lartë ligjvënës mund të fallsifikohet firma dhe vota, a nuk do të ndodh edhe më keq se kaq në zgjedhjet e ardhshme? Në të njëjtën llogjikë me Ramën flamurtari i opozitës Murrizi kërkoi edhe depolitizim të administratës zgjedhore!

Pyetja që shtrohet është: a kemi një administratë nënpunësish që i binden vetëm ligjit, apo një admistratë militantësh që i binden verbërisht “Maliqit”? Jemi në një situatë kur edhe ligji edhe “Maliqi”, madje edhe ata që duhet të përfaqësonin popullin opozitar, janë në dorën e një “Maliqi” të vetëm.

Arrestimet e bujshme të SPAK që nuk kursyen as të vdekurit, nuk ngjallin aspak shpresë se do të zbardhet e vërteta! Për kë manipuluan komisionerët? Përgjimet e dosjes së famshme 339, tregonin se përfaqësues të krimit të organizuar në bashkëpunin me Kryebashkiakun Dako, po ndikonin mbi zgjedhësit në favor të pushtetit.

A do të kemi zgjedhje apo thjesht votime?

Opozita e vërtetë që sot figuron vetëm si figurante në Këshillin Politik, është para një dileme të madhe: të vazhdojë të luajë rolin e figurantit kur duhet të kishte një rol protagonisti në “filmin” e regjisores Kim “Reformë”, apo ta braktisë atë?

Në zgjedhjet e ardhshme ajo po hyn e vetëdijshme në një duel të pabarabartë. Në fushën e Kryeministrit janë reshtuar në skalione sulmi: pushteti qëndror e lokal, Tv-të kombëtare dhe Pallati i Drejtësisë, të cilit tani i mungon edhe çatia.

Përjashtim këtu nuk bën as edhe drejtësia e re SPAK që u krijua të peshkonte me rrjetën antikorrupsion peshkaqenët, por përfundoi duke peshkuar me grep cironkat “komisionerë” që u shantazhuan apo u blenë nga krimi i organizuar!

A janë ambasadorët arbitra të paanshëm?

Në klimën armiqësore pozitë-opozitë roli Ambasadorëve ka qenë mjaft i rëndësishëm për zbutjen e tensioneve politike në gjithë periudhën post diktatoriale. Me një anim të kujdesshëm nga pushteti i radhës, roli i tyre si arbitër apo “zjarrfikës” i konflikteve politike, është parë me pozitivitet nga shqiptarët.

Ajo që bie në sy sot është një mbështetje e hapur amerikane në favor të pushtetit të Kryeministrit. Bëni zgjedhjet pa opozitën, pastaj ta vendosë Gjykata Kushtetuese?! Uluni prapë në Këshillin Politik, por në fund vendos Kryeministri me Hajdaren e Murrizin?! Edhe pse Znj. Kim para kamerave e quan me përkëdheli miku i saj Luli, me qëndrimet e fundit i ka hequr opozitës edhe topin e shfryrë nga këmbët, duke ia dhënë ta gjuajë Murrizi.

Pas provës gjenerale me Teatrin, Kryeministri do bëjë maksimumin për të shembur godinën e zgjedhjeve të lira me rruspat e P.P.P-ve, pa harruar edhe ndihmën e opozitës së murrizëve. Me veprimet e fundit mbi Kushtetutën, Kryeministri testoi reagimin e ndërkombëtarëve. Me shumë gjasa ata do të mbyllin njerin sy, për të patur sërish një reformë tjetër elektorale pas katër vitesh.

Kur shkencëtarët nga e gjithe bota po përpiqen të shpikin vaksinen anti Covid-19, opozita shqiptare, të cilës Covidi i ka kufizuar edhe të drejtën e revoltës, po mundohet të shpikë vaksinën për shpëtimin e zgjedhjeve 2021 nga uzurpimi i pushtetit. A do mundet?

©Iliri Gjini - Toronto