Blog

Në pritje të vaksinës anti Covid 19 - Nga Artan Fuga

Në këto kohë të vështira për njerëzimin dhe si për të gjithë kombet, edhe për ne si shqiptarë, kohë pandemie shumë të rëndë, mendja shkon te tre horizonte që në fakt janë një i vetëm i përbashkët. Kur do të gjendet vaksina, a do të gjendet ndonjë medikament shërues për Covid 19, si do të bëhet që ky virus të largohet nga rruga dhe ta lejë njerëzimin në rrugën e tij të përballjes me ekzistencën?

Sapo doli lajmi që rusët kanë gjetur vaksinën, e kanë prodhuar dhe testuar, një re e madhe propagandistike nuk mungoi ta anatemojë, ta dyshojë, ta minimizojë, madje edhe ta shpallë edhe të dëmshme!

Unë si edhe ju, madje si e gjithë bota, nuk di ndonjë gjë të madhe për këtë sekret që veç anëve të mëdha gjeopolitike dhe luftarake, për sundimin e botës, ka edhe pasoja financiare që sot mund të maten me qindra e mijra miliarda euro a dollarë në muaj.

Kush është ai gazetar apo ekspert që ka zotësi të penetrojë sot në këtë aferë për të na thënë nëse është një flluckë propagandistike, një shantazh apo një arritje e vërtetë?

Kush është ai që e di se cilat janë efektet sekondare të kësaj vaksine ruse veç ndonjë të marri që endet rrugëve të Tiranës si bartës i shkencës për të gjitha hallet tona?

Kush e di se kush volli, kush pati temperaturë, kush pati dhimbje koke, kur këto testime me siguri ruhen me po aq kujdes sa edhe patentat e teknologjive të energjisë bërthamore?

Ku e di unë? Mundet, nuk përjashtoj asgjë që të jetë një gënjeshtër, ose një vaksinë e patestuar si duhet! E pastaj?

Pse pak gënjeshtra na japin të hamë çdo ditë o njerëz? Ne nuk dimë se sa është numri real i të infektuarve sot, a i të vdekurve nga Covidi 19, e ndërkohë duam të dimë sot se çfarë pasojash të vërteta paska vaksina ruse!

Ja është gënjeshtër! E çfarë humbasim ne si qytetarë gjynahqarë shqiptarë që nuk dimë se çfarë na qendron varur mbi kokë?

Ka shumë mundësi që vaksina ruse të jetë bërë me shpejtësi sputniku dhe të jetë testuar pa mbajtur parasysh të gjitha të drejtat e njeriut, të pacientit, të individit që provon mbi trupin e tij vaksinën!

E pastaj?

Duhet të dimë historinë e vaksinave dhe të të gjitha arritjeve të mëdha që njerëzimi ka bërë gjatë rrugëtimit të tij. Provat, operacionet, vaksinat, medikamentet e reja janë provuar në fillim mbi hallexhinjtë jo mbi aristokratët, mbi atë që në rrezik jete nuk ka pasur çfarë të humbasë, jo mbi të shëndoshin, mbi ushtarin në front, jo mbi gjeneralin në shtatmadhori, mbi leprozin, jo mbi zonjushën aristokrate, mbi të dënuarit, jo mbi gjyqtarët!

E hidhur, revoltuese moralisht, por e vërtetë cinike e pakundërshtueshme.

Duhet ta njohim pak sociologjinë e evoluimit të mjekësisë jo të flasim kot! Ka libra të mrekullueshëm historie të vërtetë, jo propagandë, që flet për atë si sillet njeriu në kohë epidemish!

Duhet ta dimë që të drejtat tona na mbrojnë, i kemi shumë të shtrenjta, aspak gati t'i sakrifikojmë, por duhet të dimë gjithashtu se zbulimet e mjekësisë në shekuj janë provuar mbi njerëzit me pak të drejta jo te ata me shumë të drejta!

Nëse një rus, një kinez, një meksikan, një çek, një italian, një shqiptar a ku e di unë provon mbi kurrizin e tij vaksinën për të cilën njerëzimi ka nevoja urgjente sot, atëhere secili nga ata është një hero!

Eshtë heroi i sotëm po aq legjendar sa edhe ai që vinte dorën mbi zjarr për të vërtetuar se ishte i pafajshëm, po aq sa Lui Pastër që provonte vaksinën e tij mbi trupin e vet, po aq sa ai që pranon të mbajë për disa javë një zemër artificiale dhe vdes.

Pas shekujsh emrat e tyre shkruhen me gërma të arta!

Unë nuk e di se çfarë po bëhet me vaksinën. Askush nga ne nuk e di! Por, dihet që sinjalet e ardhura nga Italia, Shtetet e Bashkuara, nga Kina, nga Rusia, a nga kudo kanë gjithmonë një të mirë. Në garën për të shpëtuar njerëzimin, a në garën për të fituar miliarda, monopoli mbi vaksinën pas lajmit rus është çarë. Kjo do të përshpejtojë që të kemi në më pak kohë një vaksinë gjithmonë e më të avancuar.

Vaksina ruse nuk prodhoka aq shumë sa duhet antitrupa? Po, kush na ka thënë se një zbulim që në fillim është perfekt? Kush mund të na thotë se vaksina perëndimore nesër bazuar në arritje më të mira ndoshta nuk do të jetë më e perfeksionuar? Kur duam më të mirën, atë që për paragjykim i japim një reputacion më të mirë, pse të mos mendojmë se kundër Covid 19 bota duhet të ecë me përpjekje të përbashkëta?

Përse ai që bën lavatriçe, televizora, mulli kafeje më të mirë, duhet patjetër të ishte i pari edhe që të lajmëronte se e ka vaksinën?

Ka elemente konkurrencialë dhe propagandistike midis fuqive botërore? E pastaj? Çfarë gjëje sot nuk e ka këtë vulë?

Pse të mos kujtojmë që ndërsa kemi mit me të drejtë kur Amstrongu bëri hapin e tij të vogël në hënë, si hap i madh i njerëzimit, në orbitë kishte dalë ashtu me kushte lufte më parë Gagarini, dhe madje para njeriut kishta dalë qeni Lajka!!!

Gënjeshtër apo e vërtetë, në këtë botë gënjeshtare, perfekte ose jo, në këtë botë joperfekte, një gjë është e sigurt: ata mbi të cilët provohet vaksina kundër Covid 19 sot janë për njerëzimin heronjtë e vet!

Po aq sa mjekët, infermierët, i gjithë personeli spitalor kudo në botë, edhe te ne edhe më shumë kur dihen kushtet si punojnë, po aq mendimi shkon te ata që marrin mbi supe përgjegjësi epokale duke menduar për të gjithë ata miliona të sëmurë, dhjetra mijë humbur jetën, e që janë si ti, si unë, si ai!

E gjithë mirënjohja jonë shkon te heronjtë që provojnë mbi trupin e tyre vaksinën kudo ku janë, te zbuluesit, te mjekët dhe personeli mjeksor kudo edhe në vendin tonë në radhë të parë, si edhe te urimi për të sëmurët të shërohen sa më shpejt, duke ngushëlluar me zemër e trishtim ata që kanë humbur të dashurit dhe të afërmit e tyre!

©Artan Fuga