Blog

Thonjtë e Presidentit - Nga Faruk Myrtaj

Nuk do jetë ndjerë mirë qytetari shqiptar, kur (edhe) numrit një të shtetit, Presidentit të Republikës, z. Rexhep Mejdani, iu desh të zgjaste njerin nga gishtat e tij dhe dikush, një komisionier militant që di të ruajë, manipulojë a vjedhë votat e partisë tjetër, ia llangosi gishtin me një bojë që, si gjithë të tjerëve edhe atij, edhe sot e kësaj dite... nuk i ka dalë.

Mbase të gjithë vuajmë prej sindromës për të cilën akuzojnë miqtë e tij Gabriel Garcia Markezin, i afërt me Fidel Kastron, që quhet Sindrom i Pushtetit të Njëshave, por shqetësimi është tjetërkund...

Boja e Zgjedhjeve në gishtat e shqiptarëve, nuk po del që s’po del. Madje ka depërtuar në thonjtë tanë në atë thellësi që, duam s’duam, do na lërë me brejtjen e ripërtëritjen e këtyre thonjve!

Garancia e organizatorëve të zgjedhjeve, por edhe betimi i opozitës për të ruajtur votën e votuesve shqiptarë, ishin aq të bërtitura, aq të siguruara, aq të qarta në rregullshmëri e ligjshmëri, aq të verifikuara e të vëzhguara nga organizmat vendore dhe ndërkombëtare sa... për pak u besuam!

Dhe, ç’të bënim, ulëm kokën, vumë përfundësh sedrën tonë... dhe pranuam të na vinin nga një blanë-boje në gishta. Si ato delet apo berrat e shënuara me bojë, që zgjidhen për majmëri për tek kasapi.

Edhe Presidenti, që më për shtat do ta kishte të interesohej (së paku në midis-kohën prej zgjedhjeve të fundit, lokale) të na pajiste të gjithëve me karta të posaçme votimi se të lyente edhe gishtin e tij me bojë, ashtu, njelloj si shtetasit e tij bëri.

Nuk duhet të ndjehemi mirë, as vetë Njëshi jonë, që kur takohet me të huajt, më lehtë e ka për të provuar -me gishtin e ngjyer me boje- se ka votuar, edhe ai, se sa në vendin e Tij votohet seriozisht…dhe… as është mbyllur e as do të harrohet, për një kohë të gjatë (nëse nuk ndodhin çudira të tjera në zgjedhjet e tjera), këto e të tjera, bëjnë që sekush të pendohet që pranoi të llangosej me bojë, për hir të kësaj politike.

Pozita tashmë i ka lënë mënjanë zgjedhjet, ka hallet e saj, të brenda-llojit, a thua sikur këto janë hallet e vërteta të votuesve, që tjetër u premtohet e tjetër u dhurohet. Tashmë vihet në dyshim jo vetëm kryeministri por edhe drita, uji, vazhdimi i reformave.

Opozita, nga ana e saj, sa s'e vulosi bojkotin e zgjedhjeve, sikur garancia që iu premtua të mos e kishte llogaritur palën përballë, pushtetin, mjetet dhe paranë e saj.

Bojkoti tashmë s'është as politikë e re dhe as qëndrim që premton.

Nga që nuk ishte në Kuvend, aty ku bëhen e miratohen ligjet, opozita humbi të drejtën ligjore, por edhe morale, për të vënë në dyshim ndërtimin dhe veprimin e institucioneve, prej Gjykatës së Lartë, KQZ-së e deri ndarjen e zonave elektorale, librin real të zgjedhësve që tashmë, megjithë vërejtjet, vëzhguesi ndërkombëtar i merr në konsideratë.

Boja, megjithatë, si kujtesë e gjallë, është në gishtat e duarve tona, në thonjtë tanë, që, duke u rritur, nëpërmjet zhvendosjes së nënshtresave të tyre, e nxjerrin bojën deri në majat e tyre. Do të presim sa të vijë koha e dita kur të kemi mundësinë t’i presim dhe të harrojmë zgjedhjet dhe bojën e tyre.

…Shenja që kemi votuar (të na besojë Partia jonë?!), shenja që kemi shfrytëzuar lirinë tonë (për të votuar për ligjbërësit dhe vendimarrësit?!), shenja që të qetësohen të tjerët, rivalët e kundërshtarët tanë (se nuk kemi mundësi të shkojmë në një qendër tjetër votimi?!), apo shenjë për të na kujtuar edhe një herë se…kot që votojmë?…

Dhe justifikimi përpara vendit është: siç na i bënë më 1996 ua bëmë më 2001-in.

Përpara Botës është justifikimi: në këtë Ballkan, në një Shqipëri ku për një gjysëm shekulli kurrë nuk u votua në liri, si mund të realizohen kaq shpejt votime të lira, kur ju..., zotërinjë perëndimorë, a nuk na pranuat ju kur erdhëm në pushtet më 1997-ën?!

Boja në gishtat tanë po bën, edhe ajo, përpara. Në gishtin e qytetarit të thjeshtë, por edhe në gishtin e Presidentit.

Kur e zeza e bojës së zgjedhjeve të shkojë në majat e thonjve, do t’i presim dhe do të shpëtojmë prej kujtimeve…dhe prapë do premtojmë se do të bëjmë një hap tjetër, në drejtim të…pa ditur!

2001

©Faruk Myrtaj